Qëlloi me automatik 14-vjeçaren, i riu: Do të fejohej me një tjetër (Detaje)

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Kanë dalë të tjera detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Babunjë në Divjakë, ku një 22-vjeçar ka qëlluar me automatik në drejtim të vajzës 14-vjeçare.
Mësohet se 22-vjeçari Bajram Krasniqi prej kohësh ngacmonte bashkëfshataren e tij të mitur, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur. Ndonëse ishte në pritje të një sinjali dhe një përgjigjeje pozitive nga ajo, sipas “BË” i riu mësohet të ketë marrë lajmin e “hidhur”, pasi prindërit e saj kishin vendosur ta fejonin me dikë tjetër. Krasniqi në inat e sipër, pas lajmit, ka siguruar një armë zjarri automatik, ndërsa ka vendosur të marrë “hak” ndaj vajzës që dashuronte, pasi kjo e fundit refuzoi dashurinë e tij.
Siç bënë të ditur edhe burime policore, i riu ka qëlluar në drejtim të vajzës disa herë, por fatmirësisht plumbat nuk e kapën 14-vjeçaren. Ndërkohë, pak pas ngjarjes ai u arrestua, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.