Që t’i shkojmë budallallikut deri në fund

Pano Soko

Presidenti dekretoi shtyrjen e zgjedhjeve në 30 Qershor. KQZ vendosi mos marrjen parasysh të Dekretit të Presidentit dhe vazhdon përgatitjet për zgjedhjet në 30 Qershor. Opozita miratoi ngritjen e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, një strukturë semi-politike që do të kujdeset për mbrojtjen e demokracisë nga veprimet anti kushtetuese.  Të enjten Parlamenti shkarkon Presidentin me shumicë të cilësuar votash. Më pas Presidenti dekreton shpërndarjen e Parlamentit, në interpretim të nenit 84 të Kushtetutës. Parlamenti refuzon dekretin e shpërndarjes së Parlamentit dhe miraton një amendim në vendimin për shkarkimin e tij, i cili e bën vendimin e shkarkimit të ekzekutueshëm menjëherë, pa pritur për miratimin e Gjykatës Kushtetuese, duke i njohur Presidentit të drejtën e ankimimit të këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti urdhërohet të lirojë zyrën menjëherë. Parlamenti zgjedh një President të Përkohshëm, deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe certifikimit të vendimit të shkarkimit. Gramoz Ruçi zgjidhet President i Përkohshëm. Garda e Republikës urdhërohet të ndalojë hyrjen e Presidentit në godinën e Presidencës. Opozita e konsideron këtë një grusht shteti.

Opozita organizon kryengritjen në mbrojtje të Kushtetutës dhe institucioneve. Ata sulmojnë Parlamentin, Kryeministrinë dhe KQZ, sepse i konsiderojnë këto institucione si përgjegjëse për grushtin e Shtetit. Njëkohësisht ata sulmojnë Presidencën, pasi e konsiderojnë Presidentin e Përkohshëm anti-kushtetues. Demonstruesit sulmojnë godinat dhe tentojnë pushtimin fizik të tyre. Garda e Republikës që është pozicionuar në mbrojtje të godinave përgjigjet me zjarr kur protestuesit hyjnë brenda perimetrit. Eventualisht ka të vdekur. Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë kalon nga një formacion politik, në një krah të armatosur. Misioni i saj i reklamuar është çlirimi i institucioneve. Tashmë përplasjet mes forcave të policisë dhe forcave të AQMD janë shpërndarë në disa qytete. Kryeministri shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendos shtetërrethimin në Tiranë dhe disa qytete. Ndalohet qarkullimi nga ora 20:00 – 6:00. Del një urdhër arresti për një pjesë të mirë të eksponentëve të opozitës, të cilët kanë ikur jashtë vendit. Ndërkohë forcat guerrile të AQMD sulmojnë shtëpitë e disa prej eksponentëve të lartë të shtetit, Kryeministrit, disa ministrave dhe deputetëve. Ata sulmojnë dhe shkatërrojnë disa TV private dhe disa biznese që i konsiderojnë si pronë e oligarkëve. Ndërkohë përplasjet, shpeshherë të armatosura, vazhdojnë. Ato janë shpërndarë tashmë në gjithë Shqipërinë… Në këtë moment ndërhyjnë ndërkombëtarët..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet