Punësimi i mësuesve, kalendari i datave për testimin

QSH publikon kalendarin e datave për provimeve e portalit “Mësuesit për Shqipërinë”. Nisin më 11 korrik me Gjuhën Shqipe dhe përfundojnë me Edukimin Fizik më 2 gusht. Formulimi i testit dhe vlerësimi

Enida Vërça

Kanë mbetur edhe dy ditë nga nisja e sezonit të provimeve për mësuesit të cilët aspirojnë të punësohet nëpërmjet portalit “Mësuesit për Shqipërinë”. Qendra e Shërbimit Arsimor ka publikuar një pjesë të datave të provimeve për disa profile, të cilat pritet të nisin me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë më datën 11 korrik. Kandidatëve u është lënë pesë ditë kohë për këtë testim, i cili do të ndiqet më pas nga ai i Arsimit fillor, që pritet të fillojë më 19 korrik dhe do të jenë në dispozicion katër ditë. Më pas do të jepet provimi për Arsimin Parashkollor, Edukimi Fizik dhe ai i Gjuhëve të Huaja i cili përfshin: Gjuhën Angleze, Frënge, Gjermane dhe atë Italiane. Sa i takon mënyrës se si do të informohen kandidatët për dhënien e njërit prej këtyre provimeve, pritet të jetë në bazë të rendit alfabetik ose në bazë numrit të kartës së identitetit. QSHA është duke punuar për organizimin e listës së mësuesve. “Në vijim do të publikohet kalendari me datat, oraret dhe profilet përkatëse për zhvillimin e testimit të informatizuar”, bën me dije QSHA, duke njoftuar se ditët në vijim do të dalin edhe seancat e tjera të profileve të testimit të informatizuar të mësuesve.

Testimi

Testimi i informatizuar do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit të testimit të informatizuar. Ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me: 1. Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal); 2. Kopje të Kartës ID ose Pasaportës; 3. Formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP. QSHA njofton se kandidatëve që do t’u mungojë një nga këto dokumente, nuk mund të marr pjesë në testimin e informatizuar. Për paraqitjen në qendrat e testimit, kandidati duhet të ketë parasysh edhe rregulloren e provimit, ku bëhet me dije se ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të testimit, pasi kjo vlerësohet si kriter përjashtimi. Po ashtu ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e testimit si dhe ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të testimit.

Hartimi i provimit

Provimi për kandidatët për mësues do të bëhet në mënyrë të njëjtë me atë të lincencës që ata kanë mbrojtur. Në këtë mënyrë, pyetjet do të zgjidhen automatikisht nga kompjuteri që disponon një fond me shumë pyetje të tilla. Testi është i ndarë në dy pjesë: çështjet didaktike që kanë 43% të peshës totale, ndërsa përmbajtja shkencore e profilit të mësuesisë përbën 57%. Nga provimi me 50 pyetje, ato janë planifikuar me nivele të ndryshme vështirësie, të cilat do të vlerësohen me pikë të ndryshme. Të gjitha do të jenë me alternativa, 30 prej të cilave të nivelit mesatar, 10 nga ato që konsiderohen të lehta dhe po aq pyetje që hartuesit i kanë futur në grupin e të vështirave. Një pjesë e mirë e pyetjeve kanë të bëjnë me aspekte të pedagogjisë dhe metodologjisë dhe gati po aq nga programi lëndor. Nuk do të mungojnë edhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, etikës dhe komunikimit si dhe çështje të dokumentacionit shkollor.

Dy faza

Kujtojmë që testimi i mësuesve të cilët kandidojnë për një vend pune, është ndalur në dy faza, atë të doërzimit të dosjeve, i cili përmban 20% të vlerës totale të pikëzimit dhe faza e dytë, provimi i cili përmban 80% të vlerës totale të pikëzimit. Për këtë vit kanë qenë mbi 7, 200 dosje aplikantësh të cilat janë dorëzuar nëpërmjet shërbimit postar pranë drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar (Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë). Referuar të dhënave gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1,700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Në 4 vite të zhvillimit të portalit janë punësuar 6,104 mësues, shifër e cila është ne ndryshim te vazhdueshëm sepse punësime ndodhin gjatë gjithë vitit shkollor, të punësuar me kontratë të përhershme dhe përkohshme si mësues zëvendësues. Ndërsa nga 7,200 aplikimet e këtij viti në portal, priten të punësohen rreth 1300-1400 mësues.

Datat

Nga 5953 kandidatë që do të japin provimin për një profil të caktuar, për të zënë një vend pune, vetëm 4300 do të jenë pjesë e testimit, pikët e të cilit janë thuajse vendimtare për punësimin përgjatë këtij viti shkollor. Alternativa e tjera të punësimit për mësuesit janë thuajse inekzistente, duke bërë kështu që punësimi nëpërmjet portalit “Mësuesit për Shqipërinë” të jetë primar dhe vendimtar  Kalendari i datave të provimit të informatizuar të mësueseve në muajit korrik-gusht për 9 profile janë:

Data       Profili

11-17 korrik          Gjuhë Shqipe dhe Letërsi

18-23 korrik          Arsimi Fillor

24-26 korrik          Arsimi parashkollor

26 korrik                Arsimi Special

29-31 korrik          Gjuha Angleze

31 korrik                Gjuha Frënge

31 korrik                Gjuha Gjermane

1-2 gusht               Edukim Fizik

5 gusht   Gjuha Italiane

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet