Pse Shqipëria është bërë një shqetësim i vërtetë për BE-në

Nga Jade Toussay

Është një vend për të cilin flitet pak, por komuniteti i të cilit vazhdon të rritet në Francë. Në vitin 2016, Shqipëria u bë vendi i parë i origjinës së azilkërkuesve në Francë me 7432 kërkesa të regjistruara nga Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi. Kjo shifër është më shumë se për vendet në luftë apo  prehë e zive të bukës të tilla si Siria dhe Afganistani, Sudani apo Iraku. Një shifër që është dyfishuar në një vit, por që Ministri i Brendshëm Gerard Collomb – i cili shkon në Tiranë këtë të premte, më 15 dhjetor – synon ta shohë në rënie. Vizita e ministrit vjen tre muaj pas prezantimit në Francë të një plani veprimi nga Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i cili do të “përforcojë, në kufijtë e Shqipërisë, kontrollet e nisjeve drejt Francës dhe  vendeve të tjera të BE-së, dhe të luftojë emigracionin e të miturve të pashoqëruar, si dhe fallcifikimin e dokumentave “. Detajet e këtij plani – që nuk përcaktojnë objektiva sasiorë – nuk janë komunikuar.

Por vizita në terren e Gérard Collomb duhet të bëjë të mundur hartimin e një bilanci. Franca, dhe më gjerësisht Bashkimi Europian, shihen si El Dorado në Shqipëri, një vend prej 3 milionë banorësh pak më i madh se Bretanja, ku dukuria e emigrimit është rritur ndjeshëm që nga viti 2010. Sipas shifrave zyrtare, 17,095 shqiptarë kanë bërë një kërkesë për azil brenda zonës Shengen në nëntë muajt e parë të vitit. Gjermania është gjithashtu shumë e kërkuar, me 4750 kërkesa, por Berlini e ka frenuar këtë fenomen. Në anën tjetër, në Francë, trendi pritet të rritet, pasi Ministri i Brendshëm raportoi në fund të tetorit një rritje “absolutisht eksponenciale”, duke deklaruar se “në gjysmën e parë, ne jemi në 4200 kërkesa të shtetasve shqiptarë”.

Franca mendon për një “kthim të asistuarve”

Për të shpjeguar këtë fenomen, zëvendës Ministrja e Brendshme shqiptar, Rovena Voda, përmend një “legjislacion më fleksibël” në Francë, për afatet e aplikimit dhe shqyrtimin “nga gjashtë deri në nëntë muaj” kundër një muaj në Gjermani: “Kjo i motivon njerëz, me shpresën e qëndrimit, për të gjetur një punë. ” Të rinjtë – përfshirë të miturit – përbëjnë pjesën më të madhe të këtij emigracioni, të shtyrë nga prindërit e tyre ose pa dijeninë e tyre. Fenomeni është bërë aq i përhapur që tani të lësh fëmijën të emigrojë  është e dënueshme me gjobë apo edhe burg në Shqipëri. Për të përballuar këtë emigracion masiv Franca ka katërfishuar këtë vit numrin e “kthimit të asistuar” në Shqipëri, një procedurë e dënuar nga OJQ-të që e shohin si një dëbim të maskuar. Midis 1 janarit dhe 22 nëntorit 2017, 1329 qytetarë shqiptarë kishin pranuar tashmë shumën e 300 euro për t’u kthyer në shtëpi dhe “ne do të tejkalojnë 1.500 kthimet vullnetare në vitin 2017,” i tha  AFP-së Didier Leschi, drejtori i përgjithshëm i Zyrës Franceze për Imigracionin dhe Integrimin (Ofii). Kjo përfaqëson një katërfishim të madh në krahasim me vitin 2016, i cili kishte regjistruar 362 kthime të asistuara. Por, përderisa këto masa mund të kufizojnë imigracionin shqiptar në tokën franceze, ato nuk ndreqin shkaqet e emigrimit masiv. “Varfëria, papunësia, korrupsioni dhe klientelizmi kanë shtyrë të rinjtë për të gjetur një të ardhme më të mirë diku tjetër,” analizon për  Le Figaro Vangjel Dule, anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Vështirësitë që shpjegojnë gjithashtu se pse fillimi i procesit të pranimit të Shqipërisë në BE është i bllokuar.

Korrupsioni, narko-shteti dhe diskriminimi

Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e BE-së për më shumë se një dekadë. Në vitin 2006, vendi nënshkroi një marrëveshje stabilizim-asocimi me BE-në, hapi i parë drejt një aplikimi për vend anëtar, i cili gjithashtu është paraqitur. Por nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian kush dëshiron. Deri në qershor të vitit 2014, Shqipëria zyrtarisht u bë kandidate pas tre përpjekjeve të pasuksesshme. Edhe këtu, asgjë nuk u fitua. Kryeministri socialist Edi Rama deklaron vetë së “është fillimi i një sfide të madhe”, dhe pranon se ka “ende shumë punë për të bërë.” Për të integruar BE-në, Shqipëria duhet së pari të “intensifikojë përpjekjet e saj për të për të reformuar administratën publike, sistemin gjyqësor dhe për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria duhet gjithashtu të intensifikojë përpjekjet e saj për të respektuar të drejtat e njeriut dhe politikat kundër diskriminimit, kryesisht kundër minoriteteve, “tha Këshilli Europian në raportin e tij.

Që nga zgjedhja në vitin 2013 të socialistit Edi Rama (gjithashtu një ish-student në Beaux-Arts de Paris, siç thekson Le Monde), situata politike është stabilizuar në Shqipëri, e cila pa dyshim ka luajtur një rol vendimtar në njohjen e statusit të kandidatit të tij në BE. Kryeministri i ri u angazhua me të vërtetë sapo mori detyrën për të kryer reformat e nevojshme për këtë qëllim. Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 konfirmuan rizgjedhjen e partisë së Edi Rama, e cila fitoi një shumicë të madhe në Parlament. Por problemi i narkotikëve ka dobësuar kohët e fundit pozicionin e saj. Në nëntor, një i afërm i Edi Ramës i cili deri në pranverën e vitit 2017 mbajti postin e Ministrit të Brendshëm, u implikua në trafikimin ndërkombëtar të kanabisit. Opozita e kapi menjëherë çështjen dhe e denoncoi “një trafikant droge të qeverisë që duhet të bjerë dhe t’i hapë rrugë një qeverie anti-mafias”. Partia Socialiste do ta kishte bërë Shqipërinë “Kolumbinë e Evropës”, sipas së djathtës, e cila shumëfishon sulmet kundër pozitës në vend. Vendi prej vitesh ka qenë eksportuesi më i madh i kanabisit në BE, veçanërisht në Itali, sipas raporteve të njëpasnjëshme nga Europol. Kjo tregti do të përfaqësonte një të tretën e vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë ose më shumë, sipas burimeve diplomatike perëndimore. Në raport progresin e fundit, Brukseli beson se autoritetet “dështuan në identifikimin e grupeve kriminale”. Në nëntor, qeveria shqiptare paraqiti një plan “kundër krimit të organizuar dhe në veçanti, kundër lidhjeve midis krimit dhe zyrtarëve të lartë ose udhëheqësve të shtetit”. Por ai gjithashtu beson se është “një problem evropian” dhe ka kërkuar ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare. Përveç trafikimit të narkotikëve, raporti i Këshillit Evropian thekson diskriminimin kundër pakicave që jetojnë në Shqipëri dhe korrupsionin në fushën e drejtësisë. Ndonëse është bërë progres në këto fusha. Në vitin 2015, një raport i Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) theksoi përparimin që nga viti 2009, duke përfshirë krijimin e një plani veprimi për përfshirjen e Romëve (pakica e dytë më e madhe në vend pas grekëve) dhe një plan kundër diskriminimit kundër njerëzve LGBT. Raporti i vitit 2017 i Amnesty International gjithashtu thekson përparimin në luftën kundër korrupsionit gjyqësor, falë një reforme gjyqësore të miratuar në korrik nga Parlamenti. Të gjitha nuk janë fituar ende.

Në frontin ekonomik, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në kontinentin evropian me një PBB për kokë banori prej rreth 4000 euro (për krahasim, ajo e Francës ishte 31.800 euro në vitin 2016). Por formalizimi i saj si kandidat për Bashkimin Evropian i ka dhënë disa përparësi: për periudhën 2014-2020, Shqipëria do të përfitojë nga gati 650 milionë euro për të mbështetur reformat e saj, si dhe për të zhvilluar bujqësinë e saj, në luftën kundër papunësisë dhe për politikat sociale. Një investim që duket se ka pasur efekte, me një rritje prej 2.5% në vitin 2015. Federica Mogherini, kreu i diplomacisë evropiane, gjithashtu tha në nëntor se 2018 do të ofronte “një mundësi unike për të bërë përparime konkrete në rrugën drejt integrimit në BE” të vendeve të Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë. Hapi i ardhshëm do të zhvillohet në shkurt të vitit 2018, kur Komisioni Evropian do të shqyrtojë ecurinë e fundit të vendeve të Ballkanit.

*Botuar në “Huffington Post” Francë. Përshtatur në shqip nga përqasje.com

Të tjera

Abissnet