Pse nuk investohet Rusia në opozitën shqiptare?!

Agim Popoci

Histeria e madhe Anti-Trump që nuk po përzgjedh politikanë ose civil, por çdo gjë që merr frymë dhe shikon nga Presidenti amerikan Trump, futi në lavatriçen e saj edhe opozitën shqiptare ose më saktë liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

A mund të investohet shteti rus edhe në një shtet të vogël si Shqipëria ose partinë më të madhe opozitare, kjo nuk ka dilemë. Që Rusia mund të fus hundët në një shtet të vogël, këtë e ka demonstruar me Malin e Zi, e pse nuk duhet të investohet edhe në  një parti si PD, kur ka më shumë anëtarë se sa shteti malazez banorë.

Për t’i dhënë përgjigje kundërshtarëve të Presidentit Trump dhe “mamave” të ndryshme, qofshin ato edhe Jones, që janë kuriozë të dijnë se çfarë kërkon Rusia në Shqipëri ose më saktë në PD, duhet të shërbej pikërisht rasti i shtetit më të vogël në Ballkan, Mali i Zi.

Ndihma ruse

Projektimi i “ndihmës ruse” në trurin shqiptar sot nuk interpretohet nga një këndvështrim euratlantik edhe pse Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqiptarët njohin vetëm ndihmat e Stalinit dhe i janë mirënjohës, dhe gjithçka që ndodhi pas anëtarësimit të vendit tonë në Aleancën Veriatlantike dëshmoi se shqiptarët vazhdojnë të mos e kuptojnë dhe kanë dy togfjalësh-përgjigje që shkojnë nga një ekstrem që thotë, se  “amerikanët nuk e bëjnë kot, kanë interesin e tyre”, deri tek ekstremi tjetër, “shqiptarët janë më proamerikanët në botë”. Për fat të keq nuk e dinin dhe nuk e dijnë se çfarë vlere të madhe kanë si pjesëtarë të familjes më të fuqishme në botë, nga niveli më i ulët deri tek nivelet më të larta shtetërore.

Që këtë nuk e kuptojnë shqiptarët, duke pasur parasysh historikun e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, kjo ndoshta nuk është edhe hataja vetë, por që këtë “nuk e kuptojnë” edhe gazetarët investigativë amerikanë, kjo është alarmante! Aq alarmante sa lë gojëhapur edhe projektuesit e nëndheshëm dhe mbi dhe, të “ferrit” të Presidentit Trump.

Ti kthehemi për momentin Malit të Zi. Shërbimi sekret rus intensifikoi aktivitetin e tij në Malin e Zi, vetëm atëherë kur ishte e qartë se ky shtet po shkon drejtë anëtarësimit në NATO. Porta e fundit në Detin Adriatik, ku NATO nuk kishte vënë dorë, kishte  mbetur vetëm Mali i Zi, aty ku rreth gjysma e popullsisë ishte nën ndikimin ekstrem të Rusisë ashtu si edhe pjesa e Kishës Ortodokse, e cila vazhdon të merr urdhra nga Beogradi.

Ditët e fundit të para anëtarësimit malazez në Aleancë ishin ditët e tmerrit, që kulmuan me një aktivitet kriminal ruso-serb i cili ishte organizuar për vrasjen e kryeministrit dhe nxitjen e trazirave në Podgoricë.

Për vigjilencën malazeze nuk është se mund të flasim, ama për atë të Washingtonit nuk do shumë mend. Vetëm Rusia mund ta kishte halë në sy Malin i Zi i cili po bëhej pjesë e NATO-s, dhe asnjë qenie tjetër në këtë botë. Mbyllja ushtarake e këtij bregdeti për Rusinë, ishte jo humbja nën kontroll e një shteti ku Putini me bashkëpunëtorët  e tij kishte lënë qindra miliona euro në pasuri të paluajtshme, por humbja e një lufte njëqindvjeçare për kontrollimin e një pjesë të Evropës, që nuk është vetëm Adriatik 3 ose vetëm Mal i Zi.

Ç’lidhje ka këtu Shqipëria?! Kjo është pikërisht edhe pyetja kryesore pa arritur tek “Biniatta Trade LP”, “Muzin Capitol Partners”, “Asverro Corp dhe Liminez Commerce”, “Babyonica”, “KF Global Management”, “Mother Jones”, Evgeny Sheremetyev, Kostantin Ferulev dhe Lulzim Basha së bashku me takimin e Donald Trump.

A mund të investohet Rusia në një lider ose parti politike e cila është nën kontrollin e NATO-s, dhe nëse po, ku ishte ajo kur deri në anëtarësimin e plotë në Aleancën Veriatlantike, Shqipëria jo vetëm që nuk kishte kufij të sigurt por nuk kishte as aromë shteti.

 

SHBA në Shqipëri

 

Çdo gjë që ka ndodhur nga viti 1999 deri në vitin 2009 mund të ndërlidhet me investimin e madh rus, akuza që nuk kanë munguar që nga dita e parë e fillimit të projektit të madh amerikan A3. Viti 2003 dhe investimi i drejtpërdrejtë i SHBA me Kartën e Adriatikut në Tiranë, nuk nënkuptonte vetëm anëtarësimin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në NATO, por edhe prezencën amerikano tashmë edhe ushtarake përveç se politike në Ballkan. Kur kësaj i shtohet edhe negociata që po zhvillohej për statusin përfundimtar të Kosovës, padyshim se pesha më e madhe binte mbi qeverinë shqiptare.

Nuk është se kanë munguar shkrime dhe investigime për zhvillimet në Shqipëri deri në ditën e shpërthimit të madh në Gërdec. A mund të kishte dorë Rusia në këtë tragjedi? Po, bile nuk mund të gjendej palë që është më shumë e interesuar, vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe tri ditë para vendimit të qartë, se në Samitin e NATO-s i cili do të zhvillohej më 3 Prill në Bukuresht, Shqipëria dhe Kroacia do të marrin ftesën për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike. Përveç gjeopolitikës, dështimi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ishte edhe dështim i Amerikës, dhe këtë nuk e kishte të qartë vetëm Presidenti Bush dhe aleatët e tij, por edhe Putini me shokë, për të cilët sot një grup i histerikëve të paguar mediatik do të na bindë se Donald Trumpin e kanë në grusht.

Për fatin e mirë të Shqipërisë, në çdo rast, fryma ruse ishte prezente por në asnjë mënyrë nuk ndërlidhej me fatin e këtij vendi, sepse thjeshtë këtu ishte Amerika. E nëse rusët e kanë pikasur vërtetë Lulzim Bashën, atëherë janë të vonuar, madje shumë  të vonuar.

Në vitet 2007-2009 Lulzim Basha ishte Ministër i Punëve të Jashtme, dhe nëse dikush e mendon se Vladimir Putin këtë e nuk e kishte parasysh, atëherë ai qenka i gatshëm për check-up. Por, nëse dikush e mendon se Putin me shokë e kanë çuar nëpër mend qoftë edhe për një çast se SHBA u lë në dorë gjithë këto fate të mëdha euroatlantike, liderëve lokal, atëherë nuk ka pse e bënë check-up-in, le t’i kursejë lekët e Beqjes sepse qenka i çmendur.

Për t’ju rikthyer në fund, Presidentit Trump dhe rublave të Lulzim Bashës. Nuk dihet se sa do të joshej ky i fundit sikur të ishte në pushtet, por e sigurt se tek joshja do të përfundonte, për arsyet e sipërpërmendura.

Meqë është në opozitë, dhe me përvojën e ministrit të jashtëm dhe atij të brendshëm në katër vite, një gjë e ka mësuar dhe e ka të sigurt: Mund të fitoj dhe të humb zgjedhjet, por kurrë në kurriz të Amerikës. Këtë e kanë provuar edhe shtete shumë të fuqishme, si Britania e Madhe dhe Franca, dhe Putinin e kthyen sërish në tabelë të qitjes!

Të tjera

Abissnet