Pse hesht shteti për vrasjen e Marios, po opozita..?!

Nikoleta Kovaçi

Kam vite që nuk i ndjek punimet e Kuvendit! Madje as kur thuhet se aty priten të votohen gjëra që janë të vlefshme për vendin! Jo, sërish nuk e shoh. Jo për shkakun se aty kurrë nuk mund të merret ndonjë vendim i duhur për njerëzit e këtij vendi, por se ai parlament është i gjithi një sajesë.

Por sot me vetëdije e prita të niste seanca! Me vetëdijen e plotë se dikush nga ata deputet, 138 që marrin rrogën aty do të thonin një fjalë të vetme për vrasjen e pakuptimtë të Mario Majollarit, djalit që thuhet se u ekzekutua për hakmarrje. Në fakt për gjakmarrje! Po histori tjetër kjo; mospranimi i këtij fakti për një pjesë dhe abuzimi me këtë term për një pjesë tjetër të vendit. Më kot prita! Folën të pozitës dhe të opozitës, folën çfarë nuk thanë e shanë po për Marion nuk foli kush! Më pikoj shpirti! Mallkova e dola nga shtëpia; Mario, mbase, është rasti më tipik i vrasjes për gjakmarrje, ku ka lyer duart me gjak një sistem i tëri drejtësie prej 18 vitesh, që nga koha, kur i ati i tij kishte vrarë dy njerëz.

Qeveria e njëherësh deputetët e mazhorancës, e dija se s`kishin se si të flisnin edhe pse ndoshta mjaftohen me faktin se janë drejt zbardhjes së vrasjes. Por, se di pse, prita ndonjë zë rinor të këtyre që formësojnë “kukullimin” e Parlamentit tonë gjatë të enjteve. Asnjë! Madje as nuk u përmend fare, se si Mario Majollari u vra sepse qeveria shqiptare kishte mashtruar qeverinë suedeze për sigurinë e jetës së Marios në vendin tonë!

Në kohën kur Mario kërkonte azil, të njëjtën gjë bënte edhe një shqiptar tjetër!

Edhe atë e ndiqnin për ta vrarë!

Kishte dy vatra ta hapura; në njërën i shtyrë kur kishte qenë ende i ri dhe tjetrën që e kishte zënë “sherri” pa dashtë! Iku në të njëjtin vend që kishte ikur Mario dhe atje dikush i afroi mundësinë e aplikimit. Autoritetit e Migracionit e vlerësuan realisht gjendjen e tij në bazë të të gjitha të dhënave që kishte shqiptari por një ditë të bukur e thërrasin për të komunikuar me të për çështjen e mosaprovimit të azilit! Në tavolinën e asaj zyre ai kishte gjetur një shkresë në të cilën thuhej, ekzaktësisht ajo që është thënë për Marion: “Sistemi i drejtësisë ka pak probleme, por ka siguri të plotë për jetën e shtetasve që jetojnë aty”! Shqiptari, i cili më mirë vriste veten se sa të kthehej në Shqipëri e pranon sfidën! Nuk di çfarë të thotë dhe del përjashta atyre dyerve! Hap telefonin për të thirrur një njeri të vetin për t`i treguar hallin që i ra kur sheh në rrjetet sociale se në Tiranë, djali i një deputeteje kishte vrarë katër persona! Duke mos ditur gjuhën shqiptari kërkon ndihmë dhe për fat afrohet një përkthyes. Ai i tregon se në Shqipëri kur vret djali i deputetes katër persona, si mund të jetë vend i sigurt! Punonjësit e zyrës pasi informohen në lidhje me rastin në fjalë vendosin për t`ia pranuar kërkesën shqiptarit që ai mos të kthehej në vendlindjen e tij pasi seriozisht mund t`i rrezikohej jeta!

Vazhdova për gjatë gjithë ditës të vrisja mendjen se për se nuk e thotë askush asnjë fjalë për atë jetë të vrarë në mënyrën më mizore të mundshme në emër Gjakmarrjeje, Kanuni apo të Drejte Zakonore?! Ç`ne që mentarët, kolegë të mitë, nuk sajojnë emisione “zemërthyer” dhe “shpirtplasur” njëherësh, për zakonin e “maleve” që ishte ulur këmbëkryq në mes të Tiranës, e madje, më rëndshëm se sa në “male”!? Atëherë nisi sërish e flas me veten! Flas me veten më të madhe, aq sa të më dëgjoni edhe ju, edhe shteti-ish, edhe ky aktuali, edhe të gjithë personazhet që kanë sadopak ndërgjegje të vrarë për prerjen në besë të jetës së Marios. Dhe vazhdoi t`i jap përgjigjen pyetjeve të mia, se qeverinë dhe deputetët e majmë të pozitës i kuptoj, po të opozitës, qoftë edhe për shtirje ta thonin një fjalë kundër mashtrimit të madh ndërkombëtar që ka bërë kryeministri, mik i tyre, për sigurimin e jetës së Marios dhe të dhjetëra Mariove që kanë patur fatin e tij dhe do të kenë po fatin e tij! Atëherë më kujtohet se babai i Marios që kishte vrarë Ilirin dhe Armandon kishte mundur të jetonte i lirë 14 vite! Po, po! I lirë! Ai ndoshta vetë e ka patur të vështirë të shkojë në polici e të thotë; më arrestoni se erdha unë! Jo, fundja ai dhe të gjithë njerëzit fatkeq të këtij vendi janë produkt i një politike anti-njerëzore që është bërë në këtë vend!

Mario u vra! Thuhet se u vra për gjak! Po nga kush?! Pse u vra pas 18 vitesh? Nëse e ka vrarë ai për të cilin thotë policia dhe zakoni…, si ka mundësi që vrau nipin e shokut të ngushtë të të vëllait? Në emër të çfarë motivi i mori jetën një të pafajshmi?! Thua nuk ishte në gjendje ta bënte këtë diferencë fajësie dhe pafajësie të Marios, që ende nuk i kishte mbushur 10 vjet, kur babai i tij, që në fakt nuk jetonte me të, vrau?! Ai që shtiu mbi Marion, thua nuk kishte ndërgjegje me të fortë se shteti, qeveritë dhe politika?! Unë besoj se po, pavarësisht se kushdo që ka vrarë Marion ka vrarë shpresën që ky vend mund të bëhet ndonjëherë nga njerëzit, nga ne të thjeshtët, pa përzierjen me këtë politikë që luhet në parlamentin e shakave lozonjare mes deputetësh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet