Pse e kërcënon Edi Rama, Bashkimin Evropian?

Publikuar më 18. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Virginia Hall

Në një konferencë të mbajtur nga instituti “Miqtë e Evropës” në fillim të nëntorit në Bruksel, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lëshoi një farë ultimatumi, duke sugjeruar se “Shqipërisë po i sos durimi me vonesën e procesit të integrimit nga BE”. Rama vazhdoi duke caktuar një afat kohor, duke lënë të kuptohet se nëse Shqipëria nuk nis bisedimet e anëtarësimit deri në korrik 2018, Tirana do të rimarrë në konsideratë prioritetet e saj poltike dhe do të nisë të punojë aktivisht me aktorët të tjerë ndërkombëtarë. Analistët e interpretojnë këtë si dhënie përparësie marrëdhënieve me Rusinë, Kinën e Turqinë.

“Është ekzagjerim të mendosh se BE ka dhënë një hartë reformash dhe ka qenë forca drejtuese e ndryshimeve në Ballkanin Perëndimor dhe ne mbeteti të përkushtuar për të qenë pjesë e familjes evropiane. Megjithatë, nuk i kuptoj politikanët që nga njëra anë përpiqen për “një Evropë të bashkuar” dhe nga ana tjetër na kërkojnë të presim deri sa të zgjidhen sfidat e brendshme. Nëse puna është kështu, atëherë mund të shohim për alternativa nga Kina, Rusia e Turqia”, tha Rama. Një nga hipotezat se pse Rama shfaqet konfrontues është se hapja e negociatave do t’i jepte një mjet diversioni për të hequr vëmendjen nga skandali i korrupsionit të lidhur me drogën, me në qendër ish-ministrin e tij të brendshëm, Saimir Tahiri.

Tahiri dhe kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj, janë npn hetim nga autoritetet italiane dhe shqiptare. Këto të fundit kanë kërkuar arrestimin. Ndërkaq, prokurorët në Catania të Italisë po ngrena akuza të reja për falsifikime. Sipas një deputeti shqiptar, i cili preferon të mbetet anonim, “ditët e Tahirit jashtë burgut janë të numëruara, por historia e vërtetë është se kush do të zhytet bashkë me të; Tahiri ka nisur tashmë t’i bëjë shantazh qeverisë”. Ai tani po përballet me akuzat e përfshirjes në manipulimin e zgjedhjeve të qershorit 2017. Nëse kjo rezulton e vërtetë dhe ai frohet për të dëshmuar, dëshmia e tij mund të ketë pasoja në stabilitetin e qeverisë.

“Armët më të forta të Edi Ramës janë mashtrimi dhe propaganda”, thotë kreu i opozitës, Lulzim Basha. Ai shpjegon se kryeministri e di që perspektiva e anëtarësisë në BE mund të përdoret për të larguar vëmendjen nga skandalet e brendshme. Dhe nëse Shqipëria hap negociatat në qershor 2018, opinioni publik mund ta lërë mënjanë çështjen e  Tahirit. Gjithsesi, media shqiptare është e sigurt se skandali i Tahirit është vetëm maja e ajsbergut. Prokurorët në Catania dhe Shqipëri duken të vendosur për ta ndjekur çështjen e Tahirit.

Kohët e fundit, policia shqiptare arrestoi biznesmenin e vetëshpallur 25-vjeçar Orest Sota, me 863 mijë euro në makinaë dhe dy patenta lundrimi në emër të Tahirit. Nëse ai do të zhdukej, bashkë me të do të zhdukej edhe një problem i madh për qeverinë shqiptare. Por në këtë rast të veçantë, kur policia konfiskoi celularin e Sotës, aty gjeti mesazhe të shkëmbyera me Sotës e guras së Tahirit, ku diskutonin për marrëveshje dhe tendera qeveritarë. Regjistrime të kohëve të fundit të bisedave midis vëllezërve Habilaj tregojnë për blerje stolish të shtrenjta prej diamanti për nënën dhe gruan e Tahirit.

Fakte të reja pritet të dalin së shpejti. Për më tepër, qeveria e Ramës po përpiqet të zbutë historinë e Kelment Balilit. Burime qeveritare në Athinë thonë se Balili – bosi më i madh i drogës në Shqipëri – ia ka shpëtuar arrestimit për vite me radhë kryesisht për shkak të përkrahjes politike që gëzon në vendin e tij. “E gjithë policia e shtetit është e korruptuar”, thotë ish-kryeministri Sali Berisha. Pak javë më parë, prokurorët nxorën mandat arreste për tre ish-drejtorë policie: Sokol Bode, Jaeld Çela e Gjergji Kohila.

Ata akuzohen për trafik droge. Të tre kanë qenë emëruar nga ish-ministri i brendshëm, Saimir Tahiri. Por ata u larguan nga vendi para ekzekutimit të mandateve. Berisha tha se “vetë kryeministri Rama, bashkë me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako po mbrojnë narkobosët e Shqipërisë, të ashtuquajturit baronë me uniformë”.

Pas arrestimit të Orgest Sotës, u zbuluan mesazhe midis tij e Jaeld Çelës, duke zbuluar rrjetin e komunikimit midis Tahirit, Sotës e Çelës. Qeveria e Ramës përballet me shumë skandale. Me kriminalitetin në kulm dhe me interceptimin e barkave me mijëra ton kanabisi shqiptar, autoritetet greke dhe italiane janë të alarmuara. Kufijtë shqiptarë janë më pak të sigurt nga sa pritet nga një anëtar i NATO-s dhe bashkëpunimi për luftën kundër trafiqeve është më pak se optimal. Në raportin e dhjetorit 2017, Europol konkludonte se: “Shqipëria mbetet burimi kryeso i kanabisit herbal të trafikuar në BE”.

Vlerësime konservative sugjerojnë për një xhiro 5 miliardë euro nga trafiku i drogës në Shqipëri, çka do të thotë gjysma e GDP të vendit. Ndërsa FBI po heton mbi pastrimin e parave në Shqipëri, ajo mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë. Teksa është e qartë që Tirana nuk është më pranë anëtarësimit në BE nga sa ishte vite më parë, ajo që ka rëndësi është manaxhimi i shpresave. Gjashtë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për kryeministrin Edi Rama.

Nëse bisedimet e anëtarësimit nuk nisin në qershor 2018, ai mund të mos jetë në gjendje të mbajë kapakun mbi të paktën katër skandale të tjerë ministrorë, sipas burimeve të rangut të lartë brenda Partisë Socialiste. Pak shanse ka që bixhozi gjeopolitik t’u shërbejë interesave të Shqipërisë, por Tirana është e dëshpëruar për kredibilitet dhe legjitimitet që buron nga gjasme guximi në politikën e jashtme. Kjo nuk është hera e parë që Brukseli merret me këtë fenomen në Evropën Juglindore.