PS tërhiq amendamentin që izolon shqiptarët në SHBA dhe BE

Socialistët kanë vendosur të tërheqin për shqyrtim ligjin që penalizon me 10 vite daljen nga Shqipëria të atyre që kryejnë krime zgjedhore. Amendamenti do të tërhiqet për t’u konsultuar edhe më gjerësisht me opozitën parlamentare

Lindita Bushgjokaj

Shumica parlamentare është tërhequr nga amendamenti për të ndaluar me 10 vite udhëtimin në SHBA dhe BE për këdo që bën krim elektoral. Vendimin surprizë e ka dhënë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili nga foltorja e Kuvendit ditën e djeshme, tha se në bashkëpunim me opozitën e re është rënë dakord që neni të tërhiqet. Sipas burimeve ky amendament binte ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, ndërkohë nga ana tjetër PS nuk kishte votat për ta miratuar, pasi edhe deputetët e opozitës së re e kanë kundërshtuar. Në ndryshimet e kodit penal, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëroi ashpërsime  të masave në Kodin Penal për mbajtjen dhe përdorimin e armëve. Madje Lleshaj mendon se çdo njeri mund të ketë vrarë dikë në vitin famëkeq të 97. Në fund të këtij sesioni plenar socialistët jo pak herë shfaqën nervozizmin mes njëri-tjetrit, siç ishte në nisje mes Ilir Beqjas dhe Gramoz Ruçit apo debatet mes kreut të grupit socialist Taulant Balla dhe disa deputetë socialistë.

Ndryshimet në Kodin Penal

Dje, Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla solli në Kuvend 7 propozimet e socialistëve lidhur me ndryshimet në kodin penal lidhur mbrojtjen e të drejtës së autorit, ruajtjen e qetësisë publike, siguria shëndetësore, sigurisë ushqimore, mbajtjen e armëve pa leje, mbrojtjes së mjedisit dhe kodin elektoral. Balla tha se është i vetëdijshëm se Meta do i kthejë këto ligje në Kuvend pasi nuk mendon për interesin e shqiptarëve por për atë të opozitës. “Ky kuvend ka bërë një prej gjërave për të mira në 28 vite atë të bllokimit të ushtrimit të lojërave të fatit. Amendamentet e kuadrit ekzistues të Kodit Penal për rendin dhe qetësinë publike janë pasojë e kërkesave në rritje të qytetarëve. Nuk shkon dot në një bregdet shqiptar teksa pranë hotelit dhe shtëpisë ku ke marrë përsipër të çosh familjen për pushime të vjen një boom boom dhe vetëm pushime nuk mund të quhen. Nevoja për ndryshime në Kodin Penal mbi çështjet për mbrojtjen e të drejtës së autorit vjen si pasojë e debatit të gjerë publik për rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë kundër kopjimeve apo përdorimeve të padrejta të veprave të të tjerëve.  Ndryshimet që propozohen për ashpërsimin e dënimeve në veprimtarinë e lojërave të fatit janë pasojë e legjislacionit të ri në vend për ndalimin e veprimtarisë së lojërave të fatit dhe bixhozit.  Amendimet në lidhje me rendin dhe qetësinë publike janë pasojë e ankesave në rritje të qytetarëve anembanë vendit, që subjektet tregtare nuk respektojnë kërkesat e legjislacionit për zhurmat dhe synojnë ashpërsimin e dënimeve në rastet kur ka tejkalim të normave të lejuara me ligj për zhurmat në mjedise që prishin qetësinë publike”.

Murrizi: Hoqët dorë nga ligji, për të ndaluar daljen jashtë vendit

Deputeti i opozitës Myslim Murrizi deklaroi se ndryshimet në Kodin penal të sjella nga socialistët vijnë në përputhje me interesat e tyre. Ai tha se ata hoqën dorë nga ligji për të ndaluar daljen jashtë vendit pasi Basha i fali 61 bashkitë Ramës përmes një marrëveshjeje. “Unë nuk besoj se paskeni marrë indicie për këtë kod. Keni marrë indicie nga një incident që i ndodhi Alimadhit me tre pijanecë të porositur. Nuk ka kod civil që heq skizofreninë nga mendja. Sa janë dënuar për goditje për shkak të detyrë. Ju thoni se goditja e mjekut edhe infermierit por para se t’i ruajmë duhet t’i krijojmë mundësinë që të mos ikin në Gjermani. Edhe goditja vjen për shkak të pagave që i keni lënë. 22 nenet që keni propozuar kanë në thelb mbrojtjen nga protesta. U gëzova që e paskeni heq mbrojtjen me tela me gjemba.  Ju donit prapë të fusnit se kush ia prish qetësinë partisë të futet në burg se kishit frikë se do plaste lufta. Hera e parë që bëjmë ligj që të mos ketë mjete transporti që transportojnë armë. Një javë kemi protestë silencioze, një javë molototvse. Nga i marrin armët ata. Ju doni të godisni të fundit dorën që hedh. Kodin penal e keni hartuar 11 herë nuk keni pse shpikni rrotat. Meqë bujari iua fali 61 bashkitë ju thoni se nuk i ndalon më ata që të ikin jashtë shteti por me marrëveshje”, tha Murrizi.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka propozuar ndryshime rrënjësore në kodin penal si domosdoshmëri për të harmonizuar më mire dispozitat e kodit penal të ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme. Gjithashtu, ajo ka kërkuar nga prokuroria që të kryeje me përgjegjësi veprimtarinë e saj për hetimin e veprave penale, duke vënë theksin te ato që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë. “Një kod i ri penal është një domosdoshmëri e kohës për te harmonizuar më mirë dispozitat e Kodit penal të ndryshuara në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur e cila ka krijuar jo pak probleme ne harmonizimin e tij te brendshëm. Por gjithashtu kjo diktohet edhe nga nevoja për t’i përshtatur më mirë institutet e Kodit penal me zhvillimet e vet shoqërisë dhe kryesorja me dukuritë dhe veçoritë e reja, te vet kriminalitetit ne tërësi dhe krimit te organizuar ne veçanti. Kjo iniciativë pa dyshim kërkon një analizë të plotë të situatës aktuale dhe një metodologji që ndërton një proces gjithëpërfshirës dhe sa më profesional me një asistence ndërkombëtare me ekspertë të njohur në këtë fushe, jo vetëm si domosdoshmëri e ndryshimeve por edhe si një kërkesë e përshtatjes me direktivat e bashkimit Evropian”, tha Gjonanj.

Lleshaj: Nuk e ndalojmë dot futjen e armëve kontrabandë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se Shqipëria nuk është një vend që ka kufizime për prodhimin e armëve dhe nuk mund të bllokohet kufiri i gjelbër dhe ashtu si futen cigaret kontrabandë mund të futen edhe armët. Ai tha se duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshkimi ndaj posedimit të armëve. Lleshaj deklaroi se duke forcuar dënimin penal i shërbejmë jetës së qytetarëve duke sjellë në vëmendje edhe vitin ’97’ kur u vranë njerëz në mënyrë të pavullnetshme. “Shqipëria është një vend, që nuk ka kufizime sa i përket prodhimit të armëve në Shqipëri. Pra parimisht edhe Shqipëria mund të prodhojë armë, ka prodhuar, mund të prodhojë dhe nesër dhe mbase duhet të prodhojë dhe nesër. Dhe sot Shqipëria prodhon mjete shpërthyese, prodhon fishekzjarrë nga ato që shtruat pyetjen fort shqetësuese ‘nga hyjnë’; edhe prodhohen fishekzjarrë në Shqipëri që ju duhet ta dini, dhe duhet ta dinë edhe të tjerët.  Sigurisht që prodhohen në mënyrë të paligjshme, ose edhe të ligjshme; janë prodhuar për eksport, por janë keqpërdorur këtu. Sa i përket bllokimit të kufirit, pati një kontraditë për faktin se ne nuk mendojmë që duhet të bllokojmë kufirin për të ruajtur mosfutjen e armëve në Shqipëri. Shqipëria është vend i lirë dhe kufijtë tanë janë shumë porozë për arsye se janë kufij të gjelbër tashmë. Nuk janë kufij me tela me gjemba dhe përmes këtyre kufijve të gjelbër mund të futen. Ashtu siç futen kontrabandë cigare e mallra të tjera, mund të futen edhe armë dhe mjete të rrezikshme. Prandaj duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshkimi penal ndaj posedimit të armëve. Ne do të shkojmë në një hap më të rëndësishëm më vonë duke forcuar kriteret për mbajtjen e armëve edhe në mënyrë të ligjshme. Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve europiane ka një politikë penale relativisht liberale sa i përket dënimit penal.  Ju e dini që ne jemi një vend që nuk e ka dënimin me vdekje, ndërkohë që ka vende të tjera që kanë dënim me vdekje dhe ndjekin politika shumë liberale ndaj armëve, po themi Amerika, e cila i lejon armët, por bashkë me armën të jep mundësinë e uljes në karrigen elektrike apo në shtratin e infuzionit helmues kur ti e shkel. Ne që e kemi hequr dënimin me vdekje, duhet të heqim edhe mundësinë fizike që dikush të vrasë. Kur ja kemi hequr këtë mundësi ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, i cili siç thatë ju nuk mund të pengohet kurrë për t’u çmendur, që një ditë të caktuar duke e patur lehtësisht në dorë armën, edhe mund ta përdorë keq edhe mund të vrasi njeri”, tha Lleshaj.

Bashkitë e opozitës çojnë 30 qershorin në Kushtetuese

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë referon në Gjykatën Kushtetuese procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi, pas daljes nga gjykata tha se kërkesa e tyre ka si objekt konstatimin e antikushtetues të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe certifikimin e kushtetutshmërisë të veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike lidhur me regjistrimin e saj në gjykatë për zgjedhjet e 30 qershorit. “Kemi referuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me objekt konstatimin antikushtetues të procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor. Objekti i dytë ka lidhje me certifikimin e kushtetutshmërisë të veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike lidhur me regjistrimin e saj në zgjedhjet e 30 qershorit me argumentet që tashmë dihen. Dekreti i Presidentit duhej të merrej në konsideratë. Shpresojmë që në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese të jetë në punë dhe të funksionojë të mund të fillojë menjëherë gjykimin e një çështje me rëndësi”, tha Ademi. Deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Ademi tha se shpreson që Edi Rama të mos pengojë dhe kjo gjykatë të ngrihet sa më shpejt dhe të mos fusë duart në emërimet që do të realizohen. “Shpresojmë që gjykata të marrë sa më shpejt në shqyrtim këtë çështje. Ndër të tjera ajo iu përgjigj interesit të medias lidhur me veprimet që do të ndjekin, për lirimin ose jo të zyrave ndaj të zgjedhurve të rinj vendor nga procesi i 30 qershorit. “Ne po veprojmë në mënyrë institucionale. Gjithë kryetarët e bashkive i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë, një e drejtë e jonë, për të ndërtuar demokracinë mbi bazën e shtetit. Apeloj që çështjet të hetohen dhe gjykohen në mënyrë të pavarur duke mos iu nënshtruar presionit politik. Kemi gjykata që kanë vepruar në mënyra të ndryshme”, theksoi Ademi. Këtë qëndrim, kryebashkiakja Ademi e ka bërë të ditur edhe më herë në një dalje për mediat, ku ka thënë:  “Ashtu siç kam paralajmëruar edhe më herët, kam paraqitur të gjitha provat që vërtetojnë shkeljet e ligjit në një proces që nuk kishte asgjë të përbashkët me zgjedhjet”, shkruan Ademi, ndërsa apelon Prokurorinë të bëjë detyrën dhe të hetojë pa iu nënshtruar asnjë presioni politik dhe çfarëdo lloj tjetër dhe të zbatojë vetëm ligjin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet