PS nis shkarkimin e kreut të KQZ-së, pjesë e paktit Rama-Basha

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Partia Socialiste ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri. Kërkesa është bërë nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në Facebook. Kjo kërkesë vjen pas debatit të javës së shkuar, ku PS kërkoi shkarkimin e kreut të Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj. Sipas Partisë Socialiste, Kapllanaj është i dënuar në Itali dhe duhet që të shkarkoje, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga opozita që ka shumicën në KQZ. Kreu i KQZ, Klement Zguri është pjesë pa paktit Rama-Basha dhe është një emër që është propozuar nga opozita. “Jemi në kushtet kur është mëse e qartë se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit dhe përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të zgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të dhe i ndikuar nga urdhërat politike.

Shembull konkret dhe i patolerueshëm i njëanshmërisë së verbër politike dhe mungesës së profesionalizmit.”, shkruan ndër të tjera Taulant Balla në Facebook. Sipas Ballës asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë më të qëndrojë në atë detyrë dhe është detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që menjëherë të fillojë procedurat për shkarkimin e zotit Klement Zguri nga detyra e Kryetarit të KQZ, për shkelje të rëndë të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Gjatë këtyre ditëve mbarë opinioni publik është njohur me faktin se edhe pse Prokuroria dhe Gjykata italiane i kanë konfirmuar Prokurorisë shqiptare dhe KQZ dënimin me dy vite burg “për vjedhje”…” të Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike dhe për pasojë “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Mbarë opinioni publik u njoh edhe me faktin se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri me paramendim vendosi të fshehë dhe të arkivojë pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin deklarues Agron Faslli Kapllanajn.”- deklaroi Balla.

Zguri

Klement Zguri ka reaguar pas paralajmërimit të bërë nga Partia Socialiste për nisjen e proçedurave për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të KQZ-së. Zguri pretendon në reagimin e tij se akuzat e PS-së nuk qëndrojnë, madje sipas tij e kundërta është e vërtetë. “Puna e KQZ-së për fat të mirë është në dritën e diellit. Nuk ka vetëm kronika lajmesh, por ka mbledhje, proçesverbale, akte dhe vendime. Të gjitha publike. Të gjitha mund të konsultohen në çdo kohe nga çdo njeri. KQZ-ja nuk fsheh. KQZja vetëm zbardh. Kështu që edhe në rastin konkret, e vërteta është krejt tjeter, është e kundërta e asaj qe pretendohet. Por, në respekt të funksionit zyrtar që mbuloj, unë e kam të ndaluar të përfshihem në beteja, apo lojra politike, ndaj nuk bëhem dot pjesë e debatit. Përgjigja ime mund të jetë vetëm zyrtare dhe vetëm drejtuar organit të emërtesës, sapo ai ta kërkojë këtë”, u shpreh Zguri.

Më herët Partia Socialiste akuzoi kreun e KQZ se ka fshehur dosjen e kryebashkiakut Agron Kapllanaj, për të cilin socialistët pretendojnë ndërprerjen e mandatit bazuar në ligjin për dekriminalizimin. Sipas PSsë, gjykata italiane ka konfirmuar dënimin e Kapllanajt, ndërsa dokumentet iu fshehën KQZ nga kryetari i saj. Por Zguri në sqarimin e tij thotë se sulmet ndaj KQZ-së, sidomos kur janë haptazi abuzive, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe të motivuara nga interesa politike të palidhura me KQZ-në dhe zgjedhjet, dëmtojnë rëndë autoritetin dhe pavarësinë e KQZ-së, mbjellin frikë dhe pasiguri te institucionet, cenojnë shtetin ligjor.