PS-LSI s’ndalin sulmet, Luan Rama: Kryeministri, një mashtrues

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk vendosin paqe mes vetes, në javën e fundit të fushatës që do finalizohet me votimet më 25 qershor. Kreu i PS-së, Edi Rama sulmoi dje LSI-në për çfarë ka dështuar në 4 vjet bashkëqeverisje. Nga vetë LSI-ja ka patur reagime dhe kundërpërgjigje ndaj akuzave të Ramës, siç ka ndodhur edhe dje për mosdhënin e lejeve të legalizimit në bashkinë e Vorës. Rama bëri përgjegjëse LSI-në për mosdhënien e lejeve të legalizimit për 3 mijë familje në Vorë. Në një konferencë për mediat, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha se ky është një mashtrim.

Ai sfidoi kryeministrin, duke i kërkuar 3 mijë familjeve të Vorës që të marrin lejen e legalizimit në Tiranë. “Me lejoni të bëj të ditur atë që në fakt edhe zotëria në fjalë, kryetari i Rilindjes e di shumë mirë, por që qëllimisht ia fsheh të vërtetën qytetarëve dhe që ka të bëjë me faktin që hipotekën në qarkun e Tiranës, që hipotekën në Durrës, që hipotekën në Vlorë, në Elbasan dhe në 80 % të qarqeve dhe të bashkive e kanë pikërisht njerëzit e Rilindjes të emëruar prej tij.

Në këto kushte përballë asaj çfarë tha i sot në Vorë, unë i ftoj të 3 mijë familjet qytetare banore të Bashkisë së Vorës që të paraqiten nesër pranë hipotekës së Tiranës për të marrë aktet e pronësisë meqenëse tani e ka zotëria në fjalë të gjithë pjesën e tepsisë. Dhe përgjegjësi, drejtori, regjistruesi si të doni quajeni, i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Tiranë të bëjë gati 3 mijë aktet e pronësisë, certifikatat e pronësisë dhe t’i japë nesër qytetarëve të Vorës, pra familjeve të Vorës për të dëshmuar që këta e bëjnë sot dhe e paska pasur fajin LSI-ja, siç aludon zotëria në fjalë”, ka deklaruar nënkryetari i LSI-së.

Luan Rama zbuloi edhe një fakt që PS dhe LSI e kanë fshehur më parë. PS dhe LSI kanë bërë takime për vijimin e koalicionit, gjë që duket se është mbyllur përfundimisht. “Ai mos t’i marrë qytetarët shqiptarë as për manekinë dhe as për budallenj, sepse ata e dinë shumë mirë të kuptojnë dhe të ndëshkojnë çdo fajtor, pavarësisht shfaqjesh prej kameleoni që mund të bëj secili qoftë edhe duke ndryshuar ngjyrat e flamujve apo të logove partiake. Ka një problem vërtet të madh kryetari i Rilindjes.

Ka problem që në fakt na e ka shfaqur sa herë zhvillonim takime në kuadër të ftesës që ai na bënte për të vazhduar koalicionin dhe në 4 vitet e ardhshme, problemin e raporteve me Rilindjen, sepse raportet me PS ai tashmë i ka mbyllur përfundimisht”, tha nënkryetari i LSI-së. Për akuzat në fjalë reagoi ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, duke urdhëruar nisjen e hetimeve.

“Ministri i Drejtësisë mori kontakt të menjëhershëm me strukturat përgjegjëse në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë mbi këtë çështje. Pavarësisht informacioneve paraprake, Ministri i Drejtësisë, për të bërë transparencë të plotë mbi këtë   çështje,   ka   urdhëruar   kryerjen   e   një   hetimi   të   plotë   administrativ   mbi   këtë problematikë”, njoftoi zyra e ministrit.