Provimi i portalit “Mësues për Shqipërinë”, më 6 mars

Nga Lindita Bushgjokaj

Ministria e Arsimit publikon datën e provimit për aplikantët e portalit “Mësues për Shqipërinë”, provimi do të jetë dixhital dhe përgjigja e punësimit do merret në kohë reale nga sistemi. Nikolla: Portali bën renditjen, nuk të nxjerr fitues

Provimi në portalin “Mësues për Shqipërinë”, do të nisë të martën e ardhshme  më 6 mars dhe do të mbarojë në fund të muajit prill, ku pritet që të aplikojnë 6 mijë mësues. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, në një takim me mësues nga Tirana, dje në Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, ku ishin të pranishëm vetëm mësues që kanë dalë fitues në portal vitet e kaluara me sistemin e vjetër të aplikimit, ndërsa mungonin pjesa më e interesuar e kësaj kategorie mësuesish, ata të cilët konkurrojnë për herë të parë me sistemin e ri dixhital. Sipas Nikollës, ndërs ata 6 mijë mësues që do të marrin pjesë në provim 46% janë të rinj dhe 54% kanë riaplikuar. “Është një numër rreth 6 mijë aplikantë, por jo të gjithë aplikojnë për herë të parë, sepse portali ofron mundësinë e riaplikimit të gjitha kandidatëve apo të gjithë aplikantëve të portalit “Mësues për Shqipërinë” të viteve pasardhëse. Kemi një shpërndarje të tillë: rreth 46% aplikantë të rinj, me 54% ata që kanë riaplikuar. Provimi i Portalit “Mësues për Shqipërinë” starton me datë 6 mars dhe përfundon me datë 30 prill. Portali “Mësues për Shqipërinë” mundëson përmes këndit të mësuesit informim në kohë reale të çdo mësuesi, sesi është jo vetëm renditja e tij, por sesi është përditësuar lista pas çdo emërimi të bërë. Ky portal bën të mundur njoftimin e vendit të ri të hapur për çdo mësues në mënyrë automatike, përmes dërgimit të emaile-ve me adresën e çdo aplikanti, tha Nikolla.

Drejtori i Institutit të Zhvillimi të Arsimit, Gerti Janaqi, tha se provimi nuk do ketë ndryshime përsa i takon mënyrës së hartimit të tezës, ku parashikohen 24 fonde pyetjesh, ndërsa risitë lidhen me mënyrën sesi do të administrohet procesi. “Pjesa e fondit të pyetjeve dhe mënyra sesi janë hartuar tezat është ndjekur e njëjta procedurë. Nuk kemi ndryshime të qenësishme. Janë rreth 24 fonde të pyetjeve, ndërkohë që programet e fondit për çdo profil të mësuesisë janë hartuar që në janar të vitit 2018. Të gjithë aplikantët kanë kohë që punojnë me këtë program, por ajo që do të ndryshojë është një risi në mënyrën sesi do të administrohet i gjithë procesi i provimit “Mësues për Shqipërinë”, tha Janaqi.

Drejtoresha e Shërbimit të Arsimit, Rezana Vrapi, tha se për herë të parë pas pesë vitesh përvojë do të aplikohet metoda dixhitale e testimit, duke hequr dorë nga provimi tradicional me laps dhe letër. Gjithashtu, bën me dije se kohëzagjatja e provimit do të jetë një orë dhe pyetjet të cilat janë hartuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, do jenë në përputhshmëri me programet orientuese që janë dhënë paraprakisht për mësuesit, ndërsa me sistemin e ri të testimit mësuesit kanë mundësi të pajisen me rezultatin në kohë reale. “Pas pesë vitesh përvojë provimi “Mësues për Shqipërinë” do të zhvillohet në mënyrë digjitale, në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Nuk do të jetë më një test i tipit laps dhe letër, por në kompjuter. Qendra e Shërbimeve do të bëjë shumë shpejt publik kalendarin e provimit, ku secili kandidat do të ketë mundësi që të shikojë emrin ditën e provimit dhe orën. Kohëzgjatja e provimit do të jetë një orë me një numër të caktuar pyetjesh, procesi është i monitoruar nga kamera dhe individë të cilët nuk janë as hartues pyetjesh dhe as në konflikte interesi. Në fund të procesit secili kandidat pajiset me rezultatin në kohë reale. Pyetjet janë të hartuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit mbi bazën e programeve orientuese dhe instituti respekton përputhshmërinë e këtyre pyetjeve, me gjithçka që ju është dhënë paraprakisht kandidatëve për mësues. Nga vetë instituti është përcaktuar niveli i vështirësisë së testit, profilet e pyetjeve që do t’i nënshtrohen mësuesit dhe specifika të tjera”, tha Vrapi.

Nikolla: Portali bën renditjen, nuk të nxjerr fitues

Një shqetësim që po kalojnë mësuesit lidhet me punësimin e tyre. Përvojat e ndryshme të mësuesve nga e gjithë Shqipëria kanë treguar se Portali nuk i ka ndihmuar të punësohen në profilet e tyre të shkollimit, por ka pasur edhe raste që shumë mësues që kanë dalë të parët në portal janë të papunë ose janë zëvendësuar nga persona të tjerë jashtë portalit. E pyetur për këtë problem, ministrja e Arsimit tha për “Shekulli”-n, se jo të gjithë aplikantët në portal, fitues apo jo punësohen, pasi portali siguron renditjen dhe jo punësimin, tha Nikolla.

Znj.Ministre, nga këta 6 mijë aplikantë që konkurrojnë në portalin Mësues për Shqipërinë”, sa arrijnë të punësohen në shkollat përkatëse sepse ka ndodhur, që shumë prej tyre fitues në vend të parë janë pa punë?

“Portali nuk ka fitues, por bën thjesht renditjen. Këta dalin të gjithë fitues kur kanë diplomën e mësuesisë dhe kanë fituar të drejtën për të ushtruar profesionin përmes licencës së mësuesit, pra provimit të shtetit. Portali “Mësues për Shqipërinë”  bën renditjen, kjo do të thotë, se nëse në profilin matematikë kemi 400 e disa mësues në një qytet të caktuar apo dhe 30 mësues, ne e rendisim sipas meritës. Kjo do të thotë se vendi i parë i lirë që krijohet i takon të parit të renditur për të shprehur vullnetin nëse pranon të vijojë në këtë shkollë apo jo. Besoj se ju e kuptoni që të punësohen të gjithë, do të thotë që në arsim të kemi 6 mijë vende punë të lira. Nëse kemi të lira 6 mijë vende dhe kemi 6 mijë kërkues pune, patjetër që do punësohen. Gjithmonë, numri i vendeve të lira që krijohen në sistem është shumë herë më i vogël sesa numri i vendeve të mësuesve që kërkojnë të futen në sistem. Ne kemi zbatuar këtë proces që i jep vlerë meritës dhe në kushte të plota të transparencës”, shprehet Nikolla.

Vendimi

Miratohet kuota, 1500 punonjës i shtohen arsimit parauniversitar me kontratë

Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme numrin e praktikantëve që do të kryejnë praktikën profesionale me kontratë të përkohshme për sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën 1 janar – 15 qershor 2018 dhe 15 shtator – 31 dhjetor 2018. Sipas vendimit, numri i praktikantëve është 1 500, ndërsa ato gjatë periudhës së kryerjes së praktikës profesionale përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi (njësitë arsimore vendore) pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në masën 27.9%. Njësitë arsimore vendore (drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore), gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale, realizojnë çdo muaj pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në emër të punëdhënësit në masën 16.7% si dhe në emër të punëmarrësit në masën 11.2%, të përllogaritur. Masa mujore e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përllogaritet mbi pagën minimale mujore 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë, të miratuar me vendimet e Këshillit të Ministrave nr.399, datë 3.5.2017, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, si dhe nr.77, datë 28.1.2015, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar. Ndryshimet në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi reflektohen menjëherë në masën e pagesës që punëdhënësi paguan çdo muaj për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2018, të përllogaritur në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në shumën 90 396 000 lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2018, për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Të tjera

Abissnet