Provimet bëhen pa barkod dhe sistemi i regjistrimit nuk punon

Nga Lindita Bushgjokaj

Studentët e Fakultetit “Histori-Filologji”, Universiteti i Tiranës, të pyetur nga gazeta  “Shekulli” për mënyrën sesi funksionon procesi i testimeve dhe vlerësimit, kanë bërë me dije shqetësimet e tyre mbi vështirësinë e marrjes së notës me mosfunksionimin e sistemit prej dy vitesh. Kjo situatë i ka detyruar t’i drejtohen formave primitive të marrjes së përgjigjeve nga pedagogu përkatës dhe sekretaria. Ata shprehën të shqetësuar, pasi për të marrë notën duhet të kalojnë nga arroganca e sekretareve, dhe nëse nuk paraqiten ditën e shpalljes së notave nga pedagogu, rrezikojnë të mos njihen me rezultatin. Ata pohuan gjithashtu, se provimet i realizojnë pa barkod, i cili do të ruante anonimitetin e tyre dhe do siguronte transparencë në vlerësimin e notave, thanë ata.

Si bëhet procesi i vlerësimit të testimeve dhe sa transparentë janë notat?

Elsa Malo

Nuk kemi bërë asnjëherë provime me barkode. Kur kemi bërë pagesën na kanë thënë që regjistroheni automatikisht. Këtu nuk funksionon sistemi dhe kur shkojmë te sekretaret thonë se i regjistrojmë vetë notat. Ky problem është që nga fillimi i viti, ndërsa notat i marrim direkt nga pedagogu.

Sara Glocka

Jo, nuk na vendosin barkode, por provimet i bëjmë me emrin dhe mbiemrin tonë. Është e vërtetë që nuk punon sistemi dhe notat i marrim nga pedagogët përkatës.

Sidorida Fejzuhahi:

Sapo mbaruam sezonin e parë dhe nuk kemi bërë asnjë provim me barkod, po ky është një rregull që duhet të jetë i zbatueshëm nga ana e fakultetit, pasi nuk janë shumë të sigurta provimet dhe ekziston mundësia e manipulimit me notën.

Sonila Sala:

Jam në vit të dytë dhe nuk kemi bërë ndonjë provim me barkod. Nuk kam pasur ndonjë problem, por do ishte mirë të respektohej ky rregull në provime. Ndërsa mungesa e sistemit është pak problem, sepse ka pasur raste që nuk kam qenë prezent ditën kur ka dhënë notat pedagogu, jam interesuar në sekretari më kanë thënë që do hidhen në sistem, por sistemi nuk punon.

Kristjana Hodaj

Për mendimin tim është i rëndësishëm barkodi, sepse provimi identifikohet vetëm nga kodi dhe marrim vlerësim sipas meritës, pa u ndikuar nga emrat. Këtë vit nuk ka funksionuar sistemi dhe duhet t’i marrim notat në sekretari, por thonë se nuk e kemi për detyrë, pedagogun se gjejmë, ku do ti marrim notat ne?

Punonjëse e Tik-ut

Të interesuar për një të kuptuar arsyen e mosfunksionimit të sistemit të notave prej dy vitëesh, gazeta “Shekulli” interesohet pranë zyrës së Tik-u, në Fakultetin “Histori-Filologji”. Enkeleda punonjëse e këtij shërbimi bëri me dije se problemi është krijuar pasi nuk është ribërë tenderi për mirëmbajtjen e serverit, të cilën e ka në dorë Rektorati, tha ajo. “Unë jam thjesht një punonjës si gjithë të tjerët, sistemi administrohet në rektorat. Unë di që nuk është ribërë tenderi për mirëmbajtjen e serverit dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk ka vazhduar sistemi. Kjo ka ndodhur jo këtë verë, por verën që shkoj, pasi ka qenë një tender nga një firmë private së cilës i mbaroj kontrata dhe nuk është ribërë. Rektorati e ka në dorë që të ribëjë këtë tender për mirëmbajtën e serverit. Studentët e merrnin komunikimin online për rezultatet, ndërsa sekretaret e kishin më të lehtë gjithë punën e një studenti”, tha ajo.

Të tjera

Abissnet