Protestuan kundër vendosjes së flamurit turk në Qafë-Mollë, procedohen 60 persona

Publikuar më 05. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Prokuroria e Lezhës në bazë të referimeve nga Policia e Shtetit, ka nisur procedimet në gjendje të lirë për rreth 60 persona të cilët protestuan kundër vendosjes së flamurit turk në HEC-in e Qafë-Mollës. 10 prej tyre përveç akuzës për tubim të paligjshëm, akuzohen edhe për “kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “shkatërrim të pronës”.
Mesditën e 31 dhjetorit në digën e hidrocentralit të Qafë-Mollës, në Fang të Mirditës disa persona prishën flamurin turk të vendosur mbi digën e hidrocentralit të ndërtuar nga kompania turke. Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, personat e përfshirë në këtë ngjarje janë shprehur se ata nuk janë pyetur për investimin, i cili sipas tyre ka ndërruar rrjedhjen e lumit dhe se nuk duan investime turke në zonën e tyre.
Dhjetëra qytetarë nëpërmjet një tubimi shkatërruan me mjete të ndryshme rrethanore simbolin e flamurit turk në HEC-in e Qafë-Mollës, ndërsa protesta u mbështet edhe nga historiani Paulin Zefi.