Protestojnë fermerët, paratë na i vjedh qeveria

Fermerët e Myzeqesë kanë sfiduar reshjet e shiut për të protestuar para Ministrisë së Bujqësisë. I vendosin ultimatum qeverisë për të plotësuar 5 kërkesa. Kompensim, subvencione, rregullim tregu dhe uljen e TVSH-së

Enida Vërça

Shiu i rrëmbyeshëm i ditës së djeshme, nuk i ka ndalur fermerët e Myzeqesë të vinin në Tiranë dhe të protestonin para Ministrisë së Bujqësisë, për të referuar problematikat e tyre. Në katër kërkesa drejtuar ministrisë, ata i vendosën 24 orë kohë në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë për t’i vlerësuar në të kundërt, protestat do të përshkallëzohen në ditët e ardhshme. “Vetëm protokolli kërkesat tona. Dorëzuan kërkesat me shkrim. Na thanë se do t’i shikojnë kërkesat dhe të ulemi pastaj. Ata u shprehen të gatshëm për tu ulur me fermerët. Ne do të vazhdojmë të protestojmë. Deri në orën 16:00, i kemi çuar njoftim policisë së Tiranës për protestën tonë. Besoj se do të jemi deri në këtë orë këtu, për më pas do të vendoset”, u shpreh njëri prej fermerëve. “Ne nuk pretendojmë fonde shtesë në kurriz të taksapaguesëve shqiptarë, nuk jemi këtu për të lypur. Ne kërkojmë një skemë që të na mbështesë realisht. IPARD-i i reklamuar nga ministri nuk është për ne. Kërkesat e vendosura nga AZHBR për fondet e BE-së nuk janë për fermerin shqiptar që nuk arrin të gjejë treg në vend e jo më të investojë për të zgjeruar fermat. Fondet shkojnë në xhepat e tyre.”- shprehet Eduart Sharka kontabilist, pjesë e shoqatës së “Fermerët e Myzeqesë”, i cili konfirmon gjithashtu se edhe ata fermerë që kanë hyrë në borxh për të investuar që të përfitonin nga fondet e BE-së, nuk kanë përfituar dot. Fermerët i kërkojnë sot Ministrisë së Bujqësisë që të ndryshojë skemën e subvecionimit për ta dhe të rregullojë mekanizmin e TVSH-së dhe nga fondi i emergjencës qeveria tu akordojë fermerëve 5 mijë lekë për dynym për mallin e hedhur dëm sepse ata nuk mund të mbjellin sërish, pasi nuk kanë shlyer ende furnitorët e inputeve.

Skema aktuale

Për fermerët është e pamundur të përfitojnë nga skema aktuale e cila sipas tyre urdhëron tregtarin të kompensojë 6% fermerin për akcizën e naftës dhe kostot e tjera. Ata kërkojnë që subvecionimi të bëhet drejtpërdrejtë në mënyrë që të mos jenë pjesë e labirinteve të AZHBR-së, që deri tani sipas tyre ka rezultuar një dështim. “Nga 500-600 fermerë që aplikojnë, vetëm 100 përfitojnë”- pohon Sharka. Kërkesat e ripërsëritura në protestën e katërt të fermerëve, janë kompensimi me çmim dysheme i produkteve stok si pasojë e çregullimit të tregut. Për këtë, fermerët kërkojnë ngritjen e një agjencie pranë Ministrisë së Bujqësisë që të merret me studimin e tregut dhe orientimin e fermerëve, prandaj, sipas tyre, mungesa e një agjencie, apo zyre të tillë bëri që fermerët të përballen me situatën aktuale emergjente. “1 dynym serë kërkon gati 2,5 mln lekë nga mbjellja në prodhim. Kostoja e një kg domate është 40 lekë dhe ne edhe pse e kemi shitur 15 lekë, na mbeti stok. Kërkesa për produkteve vendase është ulur drastikisht. Tregu i brendshëm i fruta-perimeve është informalizuar më tej,” shprehet një fermer në protestë duke theksuar se asnjë nuk merr përsipër sigurinë e serës, nuk ka një ligj për këtë. Ata thonë se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit. “Fermeri di të mbjellë dhe të shesë. Pjesa tjetër e kontrolleve dhe e studimeve I takon Ministrisë. Ne punojmë palodhur në fermat tona, por po sulmohemi me dashakeqësi duke u etiketuar si kriminelë të shëndetit të njerëzve. Produktet tona po vërshojnë jashtë, si qenkan të kontaminuara”- u shpreh një fermer, i cili kishte marrë me vete edhe fëmijët e tij në protestë për të treguar që në serën e tij prodhimet janë të sigurta sepse me to ushqen edhe fëmijët e vetë. Fermerët kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë gjithashtu të ndërtojë laboratorë të certifikuar dhe akredituar për kontrollin e cilësisë së produktit dhe gjendjen e tokës, pasi sipas tyre kanë investuar miliona lekë dhe nuk dinë ku kanë mbjellë pasi nuk ka asnjë certifikatë për kontrollin e cilësisë së tokës.

Kërkesat:

  1. l) Ndryshim të skemës së subvencionimit duke kaluar nga “subvencionimi indirekt” nëpërmjet ashtuquajturës normë kompensimi të TVSH-së 6%, në subvencionim direkt për fermerët ja me pak se 10 lek për çdo njësi baze te produktit të hedhur në treg kundrejt faturës tatimore të shitjes. Stimulim te eksportuesve nëpërmjet DPD për çdo eksport të realizuar sepse ato janë promotorë të zhvillimit të bujqësisë.

2) Vlerësim dhe kompensim financiar me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut.

3) Barazim në paketën fiskale 2020 te shkallës së TVSII-së ne shitje me atë ne blerje për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale sepse aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH-së që sot është në mënyre paradoksale 0% në blerje dhe 20% në shitje dhe përfshirja e të ashtuquajturës normë kompensim 6% në këtë mekanizëm i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të pambrojtur dhe për pasojë i ka detyruar të furnizohen me produktet bujqësore nga importi dhe të braktisi produktet.

4-) Kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë të krijoje menjëherë zyrën apo agjencinë e studimit te tregjeve dhe orientimit të fermerëve. Te garantojë shërbimin e ekstensionit me specialistët e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë, laborator për analizë të tokës, garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore, kontroll dhe monitorim të cilësisë së produkteve tona nëpërmjet laboratorëve të akredituar.

5) Kërkojmë nga qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e palëve në këtë treg. Kujtojmë që fermerët prej kohësh kanë protestuar, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre dhe vlerësim nga shteti për punën e tyre. Protestat e tyre kanë qenë nga format më të ndryshme, me marshime, fjalime të shumta si dhe derdhjen e produkteve të qumështit, apo perimeve në rrugë, për të treguar se si malli i tyre mbetet stok.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet