Protesta në Greqi për çështjen e emrit “Maqedoni”

Publikuar më 22. 01. 2018 nga Dionis Xhafa

Qindra mijëra grekë protestuan të dielën në qytetin verior të Selanikut kundër përdorimit të fjalës “Maqedoni” në çdo zgjidhje mes Athinës dhe Shkupit mbi emrin e ish Republikës Jugosllave. Greqia thotë se emri Maqedonia nënkupton një pretendim territorial mbi rajonin e vet verior me të njëjtin emër. Të dy vendet ranë dakord këtë muaj për të ripërtërirë përpjekjet për të zgjidhur e ngërçin e vjetër 25 vjeçar, i cili ka bllokuar përpjekjet e ish-Republikës Jugosllave për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s dhe Bashkimin Evropian. Dëshmitarët të dielën thanë se rreth 300,000 njerëz u mblodhën në Selanik – qyteti më i madh në rajonin e Maqedonisë e Greqisë – shumë prej të cilëve kishin ardhur nga rajonet anembanë vendit. Ishte një nga protestat më të mëdha në Greqi vitet e fundit.

Protestuesit valvitën flamuj grekë, mbanin pankarta me mbishkrimin “Ka vetëm një Maqedoni dhe është Greke!” dhe brohorisnin kur një drejtues në miting kërkoi një referendum mbi emrin, ndërsa u mblodhën rreth statujës së Aleksandrit të Madh në qendër të qytetit dhe përgjatë shëtitores bregdetare dhe në port. Deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, Athina ka rënë dakord që vendi të mund të referohet ndërkombëtarisht si ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, emër sipas të cilit u pranua në Kombet e Bashkuara më 1993. Të dy vendet thonë se shpresojnë të arrijnë një marrëveshje deri në qershor, por një sondazh javën e kaluar tregoi se shumica e grekëve nuk duan që “Maqedonia” të përdoret në ndonjë zgjidhje për emrin.

/D.Xh/