Prostesta kundër Ramës në Lezhë për rrugën, shoqërohen 20 të rinj

Nga Nikoleta Kovaçi

Banorët e Torrovicës që kërkojnë ndërtimin e rrugës organizohen në rrjetet sociale për t’i dalë përpara kryeministrit, gjatë mbledhjes së qeverisë, por ndalohen që në mëngjes nga policia. Kryeministri premton çmontimin e “tepsisë” në portin e Shëngjinit

Ka mjaftuar një thirrje në rrjetin social Facebook që policia të motivohet për të mos lejuar prishjen e vizitës kryeministrore në Lezhë. “Kërcënuesit” e kryeministrit dhe të qeverisë që ai çoi dje në Lezhë janë ca të rinj nga Torovica e Lezhës. Ata kanë kërkuar grumbullimin e bashkëvuajtësve të tyre në zonën ku banojnë për t’u bashkuar për të dalë në protestë ditën e djeshme në momentin kur të shkonte qeveria për të bërë takimin e lajmëruar. Por policia që gjendet në krye të detyrës për këtë rast, po jo për vrasësit e Aleksandër Ndokës, nis e identifikon të gjithë personat që kishin dhënë miratimin dhe pëlqimin për tu bashkuar në atë tubim paqësor.

Ditën e djeshme, që më mëngjes, policia e Lezhës ka marrë masa, ka ngrit postbllokun dhe në dalje të Torovicës, në vendin që quhet “kryqëzimi i Balldrenit”, ka nisur të kryejë kontrollin e të gjitha mjeteve që dilnin nga Torovica. Prej aty janë nxjerrë edhe të gjithë personat që ishin identifikuar përgjatë natës dhe janë shoqëruar në komisariatin e Lezhës. Në fakt zyrtarisht nuk është bërë me dije asnjë detaj në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ndoshta një mekanizëm i harruar ushtrimi presioni dhe terrori, ndërkohë që mësohet se pas shoqërimeve djemtë dhe burrat e Torovicës janë lënë të lirë.

Shoqërimet

Janë rreth 20 persona që janë shoqëruar mëngjesin e djeshëm në policinë e Lezhës. Nga burime të besuara të “Shekullit” bëhet me dije se të shoqëruarit pasi kanë lënë dëshmitë e tyre në komisariat, janë lënë të gjithë të lirë. Askush prej tyre në fakt nuk është dhunuar dhe as kërcënuar, por mësohet se që të gjithë kanë marrë një mesazh të qartë nga ku iu është kërkuar që të mos bëjnë gabim të dalin e të protestojnë kundër qeverisë. Në fakt, banorët e Torovicës mësohet se kanë dashur të protestojnë për të drejtat e tyre që lidhet kryesisht me mungesën e rrugës.

Ata kanë kohë që kërkojnë që tu bëhet rruga, ndërkohë që Rama iu ka premtuar lezhjanëve ditën e djeshme që do të bënte një rrugë që do të lidhë “Ranën e Hedhun” me Velipojën, një zonë që më shumë është përdorur për nisjen e skafeve me drogë në drejtim të Italisë. Ndërsa nuk dihet nëse i ka zënë në gojë kërkesat që kanë lëshuar banorët e Torovicës që pavarësisht presionit dhe shoqërimit në komisariat sërish ia kanë dalë të mblidhen dhe t`ia bëjnë të qartë të gjitha kërkesat qeverisë dhe kryeministrit.

Identifikimi i drejtuesve të protestës

Banorët e Torovicës kanë kërkuar të jenë në Lezhë gjatë mbledhjes së qeverisë për të kërkuar rrugën e premtuar prej deputetëve të mazhorancës në kohën kur ata kanë qenë në fushatë dhe iu kanë marrë edhe votat banorëve të asaj zone. Statuset e disa të rinjve, banorë të Torovicës, që kërkonin një prezencë sa më të madhe për t`i treguar problematikën kreut të qeverisë, bënë që policia t`i bllokonte dhe më pas t`i linte të lirë me idenë që nuk do të dilnin në tubimin e premtuar. Në fakt ka ndodhur e kundërta ndërsa mësohet se policia ka identifikuar katër qytetarë të cilët pritet të merren në pyetje dhe të vihen edhe nën akuzë për faktin se ata mund të kenë kryer një tubim të paligjshëm meqë nuk kanë patur leje nga policia për një akt të tillë. Sipas burimeve që vijnë nga Lezha mësohet se asnjë nga personat që kanë qenë ditën e djeshme në protestën e Torovicës, asnjë nuk janë me precedentë të mëparshëm penal, por bëhet me dije se ata kanë qëndruar në shesh deri në mbarimin e mbledhjes së qeverisë.

Kanë parashtruar kërkesat e tyre por nuk dihet se cili do të jetë fati i tyre pasi të largohet kryeministri dhe qeveria nga Lezha. Ata janë ankuar ditën e djeshme edhe në media për atë çfarë iu ka ndodhur po pak kush e ka bërë publike historinë e tyre. Burime konfidenciale nga policia e Lezhës kanë bërë me dije se blutë kanë patur një listë me emra të cilët janë mbajtur nën vëzhgim nga uniformat blu që nga momenti i mbërritjes dhe deri në largimin e kryeministrit. Të gjithë këta persona mësohet se janë banorë të Torovicës, të cilët asnjëherë nuk kanë qenë të skeduar për asnjë lloj krimin apo vepre penale. Policia është vënë edhe në kërkim të organizatorëve të protestës edhe pse bëhet me dije se asnjë incident nuk u shënua përgjatë gjithë tubimit.

Takimi

Qeveria ‘Rama 2’ është zhvendosur në Lezhë në fundjavë në një mbledhje dy ditore, që është kthyer në traditë me marrjen e mandatit të dytë. Mbledhja ka si qëllim njohjen e kabinetit qeveritar me problemet e zonës. Mbledhja zhvillohet të premten dhe të shtunën. Në përfundim të mbledhjes, kryeministri Edi Rama njoftoi për mediat edhe vendimet që kishte marrë qeveria në mbledhje. Mbështetja për agro-turizmin, porti i Shëngjinit, debati për tepsinë, protesta e banorëve të Torovicës, por edhe investimet në qark ishin pjesë e mbledhjes dhe vendimeve. Rama u shpreh se qeveria ka miratuar një projekt për rindërtimin e portit të Shëngjinit, ndërsa theksoi se ashtu si në Durrës dhe këtu duhet një reformë e thellë, pasi është një nga shembujt e tepsisë, ndërsa kërkoi hetim për keqqeverisjen në administrimin që është bërë. “Në port duhet një reformë shumë e thellë e administratës së portit.

Është një nga ato çuditë e mëdha që kemi trashëguar nga epoka e tepsive dhe nëse, ndërkohë ka një proces të hapur penal, apo një kallëzim të paktën penal për Portin e Durrësit ku është bërë një hata e madhe e ku shpresoj shumë që prokuroria të bëjë punën e vet për të ndëshkuar përgjegjësit, edhe këtu, sigurisht, rruga e ndëshkimit duhet të jetë pjesë e këtij procesi reformimi”. Porti i Shëngjinit në mandatin e parë të qeverisë Rama u drejtua nga përfaqësues të zgjedhur nga LSI, që ishte aleatja kryesore në bashkëqeverisje. “Vendosmëria ime për t’i shkuar deri në fund çuarjes së tepsisë për skrap është më e madhe se kur jam zotuar dhe do të jetë cdo ditë edhe më e madh, vështirësia është cdo ditë edhe më e madhe. Ky proces ka dy anë, njëra reformimi i administratës dhe kjo nuk është cështje drejtorësh, por modernizimi”.

Të tjera

Lavdi sportit!

Nga Enver Robelli Në çdo Kampionat Botëror të futbollit është mirë të lexohet libri “Lavdërimi i sportit” i profesorit Hans…

Abissnet