Propaganda, municioni i fundit i mediave të Thaçit!

Gëzim Mekuli

Është e panevojshme që në këtë kohë e në këto rrethana të papërshtatshme politike, të ndizet debati rreth bashkëpunimit të opozitës për të koordinuar protestat kundër Thaçit. Mendoj se kjo “kritikë” dhe ky “debat” mediatik janë të qëllimshme, të menduara “mirë” dhe, gjithsesi, kanë një strategji të kontrolluar nga mediat e gjumit të orkestruara nga pushteti: Ky “debat”, ndër tjerash, ka edhe elemente të luftës speciale dhe të fushës së propagandës, e që në teorinë e shkencave të mediave dhe të komunikimit njihet edhe me emrin “spin doctors”, shprehje kjo e përdorur për herë të parë ne gazetën “The New York Times” në vitin 1984. “Spin doktors” janë mjeshtër të komunikimit që kanë për detyrë kontrollimin e komunikimit dhe të debatit publik. Këta janë specialistë që e planifikojnë dhe e shtyjnë debatin dhe porosinë aty ku këta duan dhe e dëshirojnë. Duke u nisur nga kjo teori mund të argumentoj se, “debati”, shpifjet dhe inatet e shprehura për kapitullimin e epokës së Thaçit, është i mbështjellë me cilësitë e “spin doktorëve”, pra të një lufte speciale e propagandistike. Politika, ekonomia dhe kultura shqiptare, kanë telashe të mëdha. Populli është pa siguri, pa shëndetësi e pa arsimim. Territori i Kosovës është në rrezik. Qeveria kapitulloi para çetnikëve të Serbisë!

Serbia po udhëheq, e Thaçi po e ndjekë pas…

Situata e ngutshme retorike po na alarmon që të kundërshtojmë e të mos pajtohemi me neokolonializmin. Dhe, mu atëherë kur nga forumi intelektual i shqiptarëve pritet debat dhe kritikë në drejtim të atyre që po e çajnë e po e varrosi Kosovën, shpërthen “debati”, manipulimi, «shqetësimi» dhe “kritika”. Por, ky “debat”, “shqetësim” dhe kjo “kritikë” shpërtheu në drejtim tjetër, çuditërisht e krejtësisht në anën tjetër: në vend se të merremi me problemin e madh të Kosovës, me Thaçin dhe me klanin mafioz të tij, tanimë po zhvillohet “debati” dytësor dhe “kritika” periferike për Albin Kurtin dhe për bashkëpunimin e “çuditshëm” të tij me Isa Mustafën për të organizuar protestat popullore kundër planeve serbe të Thaçit. Largimi i vëmendjes së popullit nga dështimet, hajnitë, nga pazaret serbe të Thaçit me tokën e Kosovës, dhe nga tragjedia që po na instalohet nga këto “bisedime”, dhe orientimi i opinionit për të dëmtuar, e për të zbehur, bashkëpunimin e LDK/së me VV-në, nuk është asgjë tjetër pos një strategji e specialistëve të mediave dhe komunikimit (kupto këtu specialistë serbë dhe gazetarët e paguar nga këto struktura) për të “shitur” dhe për t`i dhënë debatit kah ku këta e dëshirojnë. Pra, zhvendosjen e opinionit publik nga problemi madhor e kombëtar, tek një apo dy persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet