Pronat, ndryshon sërish procedura për kompensimet

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Pronat, ndryshon sërish procedura për kompensimet

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka ndryshuar sërish metodën e trajtimit të dosjeve për pronarët. Tashmë, këta të fundit nuk do të paraqiten në sportelet e Agjencisë sipas grafikut me bazë qarku, por ankesat ose kërkesat për ecurinë e procesit do t’i marrin online. Në një njoftim të lëshuar nga institucioni bëhet e ditur se sqarimi rreth problematikave të pronarëve apo marrja e një dokumentacioni shtesë do të bëhet nga portali e-albania. Përmes dy  portave, ku njëra shërben për ankesat dhe tjetra për statusin e dosjes, ish-pronarët mund të marrin informacion pa pasur nevojë të paraqiten në sportelet e ATP-së në Tiranë.

Hapat

Me anë të dërgimit online të kërkesës për marrjen e informacionit, vetë ATP-ja, përmes personave përgjegjës, kryen shqyrtimin e kërkesës bashkë me dokumentacionin shoqërues. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, ajo trajtohet nga specialistët dhe brenda 30 ditësh qytetarit të interesuar i kthehet përgjigjja online përmes e-mail-it si dhe te seksioni “Hapësira ime” në portalin e-Albania. Në rast se përgjigjja kërkohet edhe në letër, atëherë qytetari duhet të paraqitet fizikisht pranë sporteleve të ATP-së.

Edhe kur aplikimi për kërkesën nuk është sipas rregullave të paracaktuara, sërish njoftimi i qytetarit bëhet me e-mail, duke shmangur çdo lloj keqkuptimi të mundshëm. E njëjta procedurë ndiqet edhe nëse qytetari ka ankesa në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të ndjekura nga ATP-ja. Në dokumentacionin e nevojshëm kërkohet dokument identifikimi; kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal); formulari i aplikimit për informim në lidhje me ecurinë e dosjes dhe dokumentacion shtesë, nëse është e nevojshme.

Sa  i përket regjistrimit, një pronar duhet të logohet  në portalin e-Albania; të zgjedhë shërbimin “Kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes”; të  plotësojë të dhënat e formularit, duke bashkëngjitur dhe dokumente plotësuese nëse është e nevojshme dhe  më pas të klikojë butonin “Dërgo”. Specialisti i i Zyrës Juridike bën shqyrtimin e aplikimit dhe përpilon përgjigjen duke ia dërguar aplikantit të nënshkruar në mënyre dixhitale ose me postë në hard copy, në varësi të kërkesës së aplikantit.

Çështja e pronave mbetet ende mjaft e ndjeshme dhe në sportelet fizike të Agjencisë së Trajtimit të Pronave mbërrin një numër i konsiderueshëm kërkesash që kërkojnë të marrin përgjigje. Posaçërisht, online në portalin e-Albania qytetarët e interesuar mund të kryejnë shumë shpejt dërgimin e një kërkese për informacion në lidhje me ecurinë e shqyrtimit të dosjeve të ndjekura nga ATP-ja.

N.GJ