Pronat, buxheti i shtetit cakton 5 miliardë lekë për dëmshpërblimet  

Komisioni i Ligjeve diskuton buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë. 216 milionë lekë për Agjencinë e Trajtimit të Pronave, Zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu flet për procesin e shpronësimeve 

Lindita Bushgjokaj

Dje, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut u zhvilluan disa seanca dëgjimore me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në vend, lidhur me kërkesat e tyre buxhetore për vitin 2019. Ato shpalosen kërkesat buxhetore në përputhje me nevojat që parashikon institucioni, por të shumta ishin edhe pakënaqësitë e tyre në lidhje me mangësitë financiare gjatë vitit të shkuar. Në fillim, komisioni priti përfaqësuesin e Ministrisë së Drejtësisë, zëvendësministrin Toni Gogu, por edhe përfaqësuesen nga Ministria e Financave, znj.Geraldina Prodani, e cila parashtroi para deputetëve buxhetin me shifra konkrete që parashikohen për kompensimin financiar të pronarëve të shpronësuar nga legalizimi.

Reforma e Pronës                                                        

Geraldina Prodani, përfaqësuese e Ministrisë së Financave në Ministrinë e Drejtësisë, pasi prezantoi buxhetin për policinë e shtetit, theksoi ndër të tjera një problematikë shumë sensitive për aktualitetin shqiptar, siç është reforma e pronës, si dhe kompensimin financiar që parashikohet për pronarët e shpronësuar, të ndodhur në proces legalizimi. Ajo tha, se fondi i pronave që është dërguar edhe në Strasburg, parashikon një vlerë afatmesme deri në 5 miliardë lekë. “Përsa i përket fondit të pronave, ai është kundrejt të gjithë kalendarit që ne kemi dërguar edhe në Strasburg për reformën e pronave dhe akordohet për periudhën afatmesme në vlerën 5 miliardë lekë.

Grabitja e pronës 

Gjatë mbledhjes u shtruan disa pyetje diskutimi lidhur me reformën e pronës, për të cilët vetë Kuvendi ka konstatuar problematika specifike gjatë monitorimit. Relatorja e ligjeve Vasilika Hysi, tha se një problem evident që qeveria ka hasur gjatë punës monitoruese është një mospërputhje midis hartave të ALUIZNI-t dhe hipotekës, të cilat kanë impakt edhe në procesin e vetingut dhe në punën që duhet bërë për parandalimin e grabitjes së pronës. Pyetja që shtroi Hysi, lidhej me buxhetin që duhet për të zgjidhur problemin e pronave. “Reforma e Pronës është një angazhim për t’i dhënë fund të gjitha problematikave që ekzistojnë me pronat, qoftë me ALUIZNI-n dhe me hipotekën. Një nga problemet që kemi konstatuar në misionin monitorues të parlamentit është mospërputhja e hartave midis këtyre dy institucioneve. Dhe këto kanë impakt edhe në procesin e vetingut, por edhe të punës që duhet të bëjnë për të parandaluar transaksionet dhe grabitjen e pronës. Reforma e pronës është parashikuar në këtë buxhet apo qeveria do të ketë ndonjë fond në vijim për të bërë atë idenë për bashkimin e agjencisë së pronës dhe krijimin e të gjithë databases, që duhet për të hedhur në sistem gjitha pronat që zotërojnë pronarët që janë në proces legalizimi?”, theksoi Hysi. Në përgjigje, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave tha se për krijimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, parashikohen rreth 216 milionë lekë që bëhen aktive qysh nga janari 2019.

Fond i konsiderueshëm

Nisur nga problematika e kompensimit të pronave, ku një pengesë u konstatua gjatë monitorimit dhe kishte të bënte pikërisht me rrezikun e tjetërsimit të pronës. Ky është një problem për të cilin qeveria nuk ka gjetur asnjë zgjidhje të mesme me qytetarët, të cilët edhe sot vijojnë protestat për shkak të ankesave që kanë lidhur me procesin e dëmshpërblimeve. Për këtë arsye banorët e kryeqytetit janë të zhgënjyer nga qeveria, pasi sipas tyre kanë marrë premtime elektorale lidhur me procesin e legalizimeve, por askush nuk ua ka zgjidhur problemin e legalizimit të pronave. Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Toni Gogu, tha se ministria po merret me procesin e shpronësimeve, si dhe parashikon një shumë të madhe financiare për kategorinë e qytetarëve të prekur nga shpronësimet. “Për pjesën e pronave jemi fokusuar kryesisht te kompensimi financiar i shpronësimeve. E kemi marrë përsipër dhe është një faturë goxha e konsiderueshme dhe e madhe. Tek ndihma juridike patjetër, që janë aprovuar në qeveri një pjesë e përllogaritjeve, por gjithashtu vijmë me disa kërkesa shtesë për ndihmën juridike dhe janë pjesë e buxhetit ngritja e drejtorisë me të gjitha shpenzimet përkatëse. Por ne do të donim që të ishin katër qendra dhe të funksiononin brenda vitit 2019, në mënyrë që ne të pilotonim shërbimet e ndihmës parësore, të cilat kanë një shumë të caktuar dhe bëhet fjalë për 10 milionë lekë.”, tha Gogu.

Fond për të miturit e dënuar

Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë i përket rehabilitimit të të miturve të dënuar. “Përsa i përket fondeve që kërkohen për rehabilitimin dhe edukimin e të miturve Ministria e Drejtësisë ka një rritje të investimeve në vlerën 160 milionë lekë, kundrejt vitit të kaluar. Vlera në total është 1 miliard lekë, prej të cilave 717 milionë lekë janë fond me financim të brendshëm, duke prioritizuar ato që janë më të rëndësishme”, deklaroi para deputetëve përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Geraldina Prodani.

Avokatit të Popullit i përgjysmohet buxheti, nga 4 milionë në 2 milionë lekë

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, risolli edhe njëherë në vëmendje të Komisionit të Ligjeve kërkesën e tyre për një buxhet me vlerën prej 4 milionë lekësh, e cila nuk është miratuar nga Komisioni i Ekonomisë. “Neve kemi bërë disa kërkesa në lidhje me buxhetin tonë. Kërkesa e parë ka qenë për një shtesë në kërkesat tona operative me 2 milion lekë. Kjo kërkesë është bërë edhe vitin e kaluar, të cilën ju e miratuat, por Komisioni i Ekonomisë nuk e miratoi. Pra, kjo është një kërkesë që ne e kemi risjellë përsëri dhe për ta kujtuar është në kuadër të faktit, ku institucioni e ka pothuajse të pamundur të kryejë atë aktivitet që duhet të kryejë pas përfundimit të projektit Danez i cili mbulonte 70% të aktivitetit, përsa i përket promovimit të të drejtave të njeriut. Dua të sjell në vëmendjen tuaj, që prej vitit 2014-të institucioni i Avokatit ka pasur edhe promovimin e të drejtave të njeriut, ku një pjesë e shpenzimeve të tyre janë mbuluar nga projekti danez në atë kohë. Me përfundim të këtij projekti këto fonde ishin të pamjaftueshme dhe prandaj ne i bëmë një kërkesë, e cila përbënte vetëm 20% të nevojave të institucionit për vitin e kaluar. Kjo shifër, jo vetëm që nuk na është miratuar, por edhe na janë ulur shpenzimet kapitale nga katër milionë lekë, që edhe kjo me duket një shifër shumë e vogël për institucionin tonë, në 2 milion lekë shpenzime kapitale, pa asnjë lloj justifikimi. Kemi kërkuar edhe një shtesë për dy ndihmëskomisionerë në kuadër të ndihmës për punën me integrimin, por nuk na është miratuar. Kjo vlerë do të ishte diku 3-4 milionë lekë për dy komisionerët. Një vlerë që është zëri për pagat dhe për kontributin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësor”, tha Ballanca.

Të reflektohet ndryshim në pagën e Avokatit të Popullit

Ndër të tjera, Ballanca tha para komisionit të djeshëm, se paga e Avokatit të Popullit duhet të pasqyrohet në ndryshimet buxhetore, njësoj si paga e avokatit të gjykatësit, duke mos e justifikuar qëndrimin e Ministrisë së Financave, se ndryshimi është mbi tavanet e miratuara. “Një kërkesë tjetër që kemi paraqitur sipas ligjit, është se paga e Avokatit të Popullit është e barasvlershme me pagën e avokatit të Gjykatës së Lartë. Duke qenë se në fillim të këtij viti paga e avokatit të Gjykatës së Lartë do të pësojë ndryshim, ne kemi kërkuar që ky ndryshim të reflektohet edhe përsa i përket Avokatit të Popullit. Gjithashtu pagat e komisonerëve janë sa 2/3 e pagës së Avokatit të Popullit. Më duket i padrejtë dhe i pambështetur qëndrimi i Ministrisë së Financave, e cila pretendon se ky shpenzim i ri që ne kërkojmë të fusim në buxhet për pagat, është një shifër e cila është mbi tavanet e miratuara dhe për këtë arsye nuk na e miraton. Kërkesat tona buxhetore janë 5 milion e 500 mijë lekë për diferencat buxhetore, 3 mijë e 200 euro për dy ndihmës komisionerë të rinj që kemi kërkuar. Kërkojmë që mos të na ulen investimet kapitale, sepse edhe në këtë masë, janë relativisht të vogla për të mbështetur aktivitetin tonë. Dhe ndërtesa është e amortizuar, nuk është se kemi ndërtesë të re.

Komisioneri i Shërbimit Civil: Ministria e Financave refuzoi kërkesat tona

Pranvera Strakosha, përfaqësuese e nga Komisioneri i Mbikqyrjes së Shërbimit Civil, kërkoi që të bëhen disa ndryshime në strukturë, si dhe janë kërkuar katër inspektorë, por nuk janë marrë në konsideratë nga Ministria e Financave. Gjithashtu Strakosha, theksoi ndër të tjera, se nga ministria përkatëse nuk është marrë parasysh as kërkesa për shtesat e parashikuara për vitin zgjedhor 2019-20, si dhe një automjet për transportin e komisionerëve. “Gjatë këtyre viteve të veprimtarisë së komisionerit, ka lindur nevoja për disa ndryshime në strukturë, të cilat u konstatuan edhe nga komisioni i nderuar në momentin, ku komisioneri ka raportuar për veprimtarinë vjetore për vitin 2017-të. Për këtë arsye, ne kemi paraqitur kërkesat tona për Ministrinë e Financave, por nuk janë pasqyruar, as nuk janë marrë parasysh. Kemi kërkuar thjesht katër inspektorë, pasi veprimtaria e komisonerit është e shtuar në inspektime, në mbikëqyrje dhe në ndjekje të zbatimit të vendimeve, që është një detyrë e Kuvendit, dhe në kuadrin e strukturës për monitorimin e institucioneve. Impakti që do të kishte në buxhet ndryshimi i strukturës, është 5 mijë e 200 mijë lekë. Ndërkohë për mallrat dhe shërbimet e tjera për tre vitet në vazhdim, kemi kërkuar një shtesë për vitin zgjedhor 2019-2021. Duke qenë se komisoneri përfshihet detyrimisht për shkak të ligjit në monitorimin e sjelljes së administratës shtetërore, gjatë periudhës zgjedhore, ne kemi inspektuar pothuajse të gjitha institucionet që përfshihen në shërbimin civil, me inspektorët tanë me shërbimet direkte, dhe kjo shtesë është përsa i përket dietave brenda vendit që kemi kërkuar. Edhe kjo nuk është marrë parasysh. Vjet Ministria e Financave na ka bllokuar automjetin për lëvizjen e komisonerëve gjatë proceseve zgjedhore. E kërkojmë që të realizohet këtë vit kërkesa”. Ndërsa përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, nuk dha asnjë zgjidhje konkrete për kërkesat e shtruara nga institucioni në fjalë, duke u mjaftuar me buxhetin që është deklaruar për vitin 2019. “Ministria e Financave e ka thënë mendimin e vet lidhur me buxhetin që ka ardhur dhe s’ka asgjë për të shtuar”, tha Prodani.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet