Pronat, 1462 të shpronësuarit që përfitojnë kompensimin financiar nga ATP

Publikuar më 10. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) ka përfunduar procesin e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1997, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe i ka bërë publike ato në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare nr.5 datë 06.02.2018, si dhe në faqen zyrtare të ATP-së në internet www.atp.gov.al. Në përfundim të procesit të verifikimit të vendimeve të administruara pranë arkivës së ATP-së, u identifikuan gjithsej 1462 vendime të vitit 1997, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin.

Të dhënat lidhur me numrin e vendimit, gjeneralitetet e subjekteve të shpronësuar, sipërfaqja e njohur për kompensim, vlerësimi financiar përkatës apo mangësitë në dokumentacion dhe problematikat në vlerësim, jepen të detajuara në regjistrin që shoqëron këtë njoftim. Subjektet, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar të vitit 1997, të vlerësuar financiarisht dhe të publikuar, kanë të drejtë dhe mund të paraqiten të aplikojnë për kompensim pranë ATP-së, duke plotësuar dhe paraqitur dokumentacionin e kërkuar sipas kritereve të përcaktuara në VKMnë nr.223, datë 23.03.2016, për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar.

Sipas ATP-së, të gjithë subjektet, të cilët evidentojnë mangësi në dokumentacion dhe problematika në vlerësim në regjistrin e vendimeve të vitit 1997, mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit. Në rastet kur subjektet e interesuar nuk sjellin dokumentacion të nevojshëmpër vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit brenda afatit 6 mujor nga data e publikimit të regjistrit, si dhe në rastet kur ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon, vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht sipas parashikimeve ligjore.

Pronat by Anonymous 3jCS12 on Scribd