Pronarët, ndahen 117 objekte

Publikuar më 13. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar listën e objekteve që do të shërbejnë për kompensimin fizik, pas inventarizimit të pronave në vend. Me ligjin e ri, kompensimi fizik do të aplikohet për herë të parë si formë alternative e kompensimit dhe do të ketë përparësi mbi kompensimin financiar. Agjencia më herët ka shpallur hartën e plotë, me objektet e fondit fizik dhe fondin e pronave bujqësore, ndërsa ka miratuar për tetorin 171 objekte të ndërtuara në 11 qarqe të vendit. Sipas rregullave të reja, pronarët fitojnë kompensim fizik, vetëm nëse disponojnë një vendim përfundimtar njohjeje të pronës.

Në ATP, ata duhet të paraqesin një kërkesë për kompensimin fizik së bashku vendimin përfundimtar të ish­ AKKP-së, ish-ZRKKP-së, ish-KKKP-së apo vendimin gjyqësor përkatës, që njeh të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, shoqëruar me plan­vendosjen e vendimit; vërtetim nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për statusin juridik të pronës që kërkohet, shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese dhe vërtetimin nga bashkia se sipërfaqja e tokës nuk ka funksion publik.

Si metoda të kompensimit fizik, shteti do të përfshijë edhe ankandin dhe përfitimin nga trojet shtetërore. Në ligjin aktual, thuhet se të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar, i cili ka njohur të drejtën për kompensim, pavarësisht rendit kronologjik, kanë të drejtë të marrin pjesë në ankand, nëse ata shprehin vullnetin me anë të kërkesës për të përfituar kompensim fizik nga fondi i tokës, pavarësisht rendit kronologjik.

Trojet

Për kryerjen e kompensimit fizik, prioritet kanë pronat publike brenda zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të përcaktuara në mbështetje të ligjit “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”. Trojet e dhëna me kompensim në zonat turistike duhet të përdoren vetëm në përputhje me masterplanin për zhvillimin e turizmit dhe planet rregulluese respektive të territorit, të miratuara në zbatim të tij. Sipërfaqet e caktuara për kompensim publikohen në Fletoren Zyrtare, duke bërë të ditur si kategoritë, ashtu edhe vlerat e tyre.

Vlera e pronës që kompensohet nxirret, duke u bazuar në çmimin e tregut, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Procesit të vlerësimit të pronës, sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit, i nënshtrohet toka edhe toka dhe objektet ndërtimore. Në këto të fundit përfshihen ndërtesat dhe strukturat inxhinierike, që e gëzojnë këtë cilësi sipas legjislacionit.

Pronarët, ndahen 117 objekte by JolaAlimemaj on Scribd