Prokuroria: Lavdërim Muhaxheri donte të ngrinte shtetin islamik Ballkan

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Prokuroria speciale e Kosovës dorëzon në Prokurorinë e Krimeve të Rënda provat ndaj 9 të dyshuarve nga Kosova që janë arrestuar për organizim të sulmeve terroriste. Në dosje thuhet se ka qenë vetë Lavdërim Muhaxheri që i ka kërkuar shtetasve nga Kosova që të bashkëpunojnë me shtetas nga Shqipëria për të sulmuar tifozët dhe futbollistët e Izraelit që do vinin për ndeshjen Shqipëri-Izrael në Shkodër, por që për shkak të masave u zhvendos në Elbasan. Referuar të dhënave që vijnë nga mediat e Kosovës bëhet me dije se Prokuroria Speciale e Kosovës pritet t`i dërgojë në gjyq të 9 të dyshuarit, që kishin për qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit.

Më pas, në bashkëpunim mes tyre të krijojnë në Kosovë Shtetin Islamik si dhe janë urdhëruar nga pjesëtari i organizatës terroriste të ISIS-it Lavdrim Muhaxheri, i cili tashmë dyshohet se është vrarë. Një nga urdhëresat e Muhaxherit, thuhet në vendimin e komunikimit të akuzave ndaj tyre, është edhe sulmi terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar dhe parë ndeshjen Shqipëri-Izrael më 12 nëntor të vitit të kaluar. Këto urdhra, thuhet në materialet e prokurorisë së Kosovës, Muhaxheri i ka dhënë nëpërmjet bisedave telefonike me programet e sofistikuara të komunikimit që janë gjetur në aparatet celular të 9 të arrestuarve.

Gjatë këtyre bisedave, janë transkriptuar edhe mesazhe ku Muhaxheri i premtonte paratë që do të niste për të blerë armët apo eksplozivin. Në materialin e prokurorisë, që tashmë i është dorëzuar edhe Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, thuhet se në banesat e disa të arrestuarve Policia e Kosovës ka gjetur rreth 300 gramë eksploziv dhe 500 gramë nitrat amoniati. Nga ana tjetër Prokuroria e Kosovës ka vënë në dispozicion të Prokurorisë Shqiptare edhe komunikimet e disa prej 9 të dyshuarve me të arrestuarit në Shqipëri. Ndërkohë, sipas vendimit të caktimit të masës së sigurisë ndaj të arrestuarve në Shqipëri për sulmin terrorist gjatë ndeshjes së futbollit, nuk është evidentuar ndonjë provë konkrete apo fakt që përfshijnë të dyshuarit në këtë sulm.