Prokuroria kërkon sërish bllokimin e pasaportës së Tahirit

Nga Nikoleta Kovaçi

Një ditë pas publikimit të vendimit të Krimeve të Rënda që përjashtonin emrin e Tahirit nga grupi i “Habiljave”, prokuroria depoziton rekurs për ndalimin e lëvizjes jashtë vendit të ish-ministrit të brendshëm! 

Teksa e kishin hequr nga lista e personave që duhet t`iu zgjaten hetimet për grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës, Prokuroria nga ana tjetër ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë për t`i kërkuar kësaj gjykate që të ndërhyjë me një vendim për Saimir Tahirin. Ish-ministri, i cili është vënë nën akuza të rënda, ka fituar betejën me prokurorinë për çështjen e bllokimit të mjeteve të identitetit të tij, por nuk mendon kështu prokuroria. Ajo nuk i është bindur Gjykatës së Apelit me atë vendim për kthimin e pasaportës së ish-ministrit të vënë nën hetim por ka kërkuar që mjeti i identifikimit të tij të bllokohet sërish me qëllim që ai mos të largohet jashtë vendi.

Edhe pse të dhënat bëhen të ditura nga burime konfidenciale, zyrtarisht prokuroria nuk ka vënë në dispozicion të publik asnjë dokument ku bëhet me dije ky rekurs, ashtu siç nuk bënë me dije as dërgimin e letër-porosisë për rrugët që kishte bërë me mjetin e drogës në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm. Por ndërsa prokuroria kërkon që Gjykata e Lartë të bllokojë pasaportën e Tahirit, personit që është nën dy akuza të rënda që lidhen me grupin e Moisi Habilajt dhe të bandës së tij ku ka favorizuar trafikun e drogës, asnjë prokurori nuk shpjegoi zyrtarisht faktin e përjashtimit të emrit të tij nga vendimi i 19 janarit të Krimeve të Rënda për zgjatjen e afatit hetimor edhe për ish-ministrin e po ashtu edhe për njërin nga vëllezërit Habilaj! Do të jetë Tom Ndreca gjyqtari që do të shqyrtojë këtë kërkesë të prokurorisë në shkallën më të lartë të gjykimit!

Rekursi

Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkon Gjykatës së Lartë të bllokojë pasaportën e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Organi i akuzës i ka bërë rekurs vendimit të Apelit të Krimeve që i ktheu pasaportën Tahirit pasi shfuqizoi masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” të dhënë nga Shkalla e Parë. Sipas të dhënave jo zyrtare bëhet me dije se Prokuroria për Krimet e Rënda nuk heq dorë nga kërkesa e saj për bllokimin e pasaportës së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pasi e humbi këtë betejë në Apel, ajo kërkon ricaktimin e të njëjtës masë shtrënguese ndaj ish-ministrit në Gjykatën e Lartë. Organi i akuzës i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda të datës 26 dhjetor 2017, i cili liroi nga sekuestroja pasaportën e Tahirit. Sipas të dhënave zyrtare nga Gjykata e Lartë rekursi në fjalë është depozituar në datë 7 shkurt 2018.

Ai mban si objekt “Caktimin e masës së sigurimit personal; ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Shorti i hedhur për këtë çështje ka përzgjedhur gjyqtarin Tom Ndreca si relatorin e saj, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar një datë për seancën e parë të këtij gjykimi. Ish-ministri Tahiri po hetohet nga Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal” dhe për “korrupsion i zyrtarëve të lartë”. Duke u bazuar në akte hetimore të drejtësisë italiane, prokuroria pretendon se Tahiri ka favorizuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal të Habilajve në trafikun e kanabisit. Në janar, Prokuroria tha se shtyu me tre muaj afatin e hetimit të kësaj çështjeje, por duke përjashtuar emrin e Saimir Tahirit dhe të Artan Habilajt. Po ashtu pak ditë më parë ishte sërish prokuroria Krimeve të rëna që bëri me dije se i është drejtuar me një letër-porosi autoriteteve greke, ku kërkon të dhëna që mund të kenë interes për hetimin e çështjes ku është i akuzuar edhe ish-ministri i shumëpërfolur.

Verifikimi 

Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka depozituar rekursin e vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda me 7 shkurt, pikërisht në kohën kur tha se kishte nisur edhe një letër-porosi për në Greqi për të mësuar prej andej se sa here ishte parë makina e Tahirit në tokën e fqinjëve. Rekursi dhe lajmi për letër-porosinë erdhën një ditë pasi në media doli një vendim i gjashtë prokurorëve të kësaj prokurorie në të cilin ishte përcaktuar se zgjateshin afatet e hetimit për tre muaj për të gjithë grupin e Moisi Habiljat, përfshirë edhe të ekstraduarin Nazër Sehitaj nga Gjorm i Vlorës. Po ndërsa listoheshin të gjithë emrat e grupit dhe citohej edhe procedimi 134, në atë vendim nuk ishte emri i Tahirit dhe as i Artan Habilajt. Për të dy këta persona nën hetim, prokuroria thotë se po kërkon informacion shtesë, ndërsa nuk dihet se për çfarë procedimi do shërbejë ky informacion meqë emri i tij nuk gjendej në atë vendim shtyrje afatesh.

Të tjera

Abissnet