Prokuroria kërkon heqjen e mandateve të Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës

Publikuar më 27. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Dekriminalizimi, deputeti i PDIU-së dhe ai i LSI-së mund të humbasin mandatin pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar KQZ. Deputeti çam mohon pretendimet e organit të akuzës se është ndaluar në Itali për vjedhje

Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi mund të humbasin mandatin e deputetit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar KQZ. Kërkesa është firmosur nga Rovena Gashi, ndërsa në një reagim për mediat deputeti Rakipi ka mohuar pretendimet e organit të akuzës se është ndaluar në Itali, ashtu sikundër pretendohet. Sipas organit të akuzës, dy deputetët të cilët vite më parë kanë jetuar e punuar në Itali ku janë arrestuar për vjedhje, si dhe kanë përdorur emra të tjerë, kundravajtje të cilat nuk i kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Zbulimi i ndalimit në Itali i këtyre dy deputetëve për vjedhje dhe përdorimi i emrave të tjerë është bërë pasi janë dërguar shenjat e gishtave tek autoritetet italiane dhe Interpol.KQZ konfirmoi se kishte marrë informacion për pesë kërkesa bazuar mbi ligjin e dekriminalizimit.

Në dy prej informacioneve kërkohet heqja e mandatit të deputetit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën, dy të tjera janë për ish-deputetë, ndërsa ka rezultuar i pastër kryebashkiaku i Pogradecit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se ka marrë  nga Prokuroria e Përgjithsme kërkesën për të hequr mandatet e deputetit të PDIU Aqif Rakipi dhe atij të LSI Gledion Rehovica. Kreu i KQZ Klement Zguri i tha BIRN-it se zyra për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme i kishte dërguar informacion për pesë zyrtarë të zgjedhur, verifikimit për të cilit kishte nisur në fillim të këtij viti. Zguri tha se kishte kërkesë për heqjen e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën. Deputeti Rakipi tha se “nuk dinte për çfarë bëhej fjalë”, ndërsa shtoi se “Nuk e dinte me çfarë motivi e kërkonte [prokuroria]”.

Zguri tha se KQZ nuk kishte pasur kohë “të shihte detajet” e informacionit dhe bëri me dije se për këtë do të kishte një mbledhje mëngjesin e të mërkurës. “Dy prej tyre janë ish-deputetë, kështu që nuk preken nga ligji, ndërsa dy të tjerë po”, tha Zguri, ndërsa konfirmoi edhe emrat.  Ai tha se bëhej fjalë për një kërkesë për informacion të nisur muaj më parë, ku përfshiheshin Mhill Fufi dhe Omer Mamo, të cilët ishin deputetë në legjislaturën e fundit, por që nuk preken nga ligji pasi nuk u rizgjodhën, dhe Rehovica e Rakipi për të cilët është kërkuar heqja e mandatit.

Në të njëjtën kërkesë sipas Zgurit ishte edhe kryetari i bashkisë së Pogradecit që sipas informacionit nga prokuroria ka rezultuar i pastër dhe nuk preket nga ligji. Burime nga prokuroria po ashtu konfirmuan për BIRN kërkesën. Ata thanë se për dy deputetët, ishte dërguar një kërkesë për heqjen e mandatit sëfundmi, pasi janë gjetur mospërpudhje mes vetëdeklarimit dhe asaj që prokuroria ka gjetur në verifikimet e saj. Kërkesa për verifikime të të shkuarës së deputetit të PDIU, Aqif Rakipi,  u përsërit nga PD në tetor të këtij viti. PD e cilëson Rakipi një mik të kryeministrit, ndërsa fajësoi këtë të fundit se po i jepte mbrojtje pasi u akuzua se shkaktoi një aksident me vdekje dhe braktisi vendin e ngjarjes në gusht të këtij viti. Pas kësaj kërkesë të dytë, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, njoftoi për një takim me kryeministrin Edi Rama, në të cilin sipas prokurorisë ishte biseduar lidhur me verifikimin e thelluar në “kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Aqif Rakipi”.

I kontaktuar nga BIRN Rakipi tha se nuk kishte informacion, ndërsa shtoi se nuk kishte dënime. “As kam bo gjo ndonjiherë, as të kem ndonjë dënim asgjo”, tha ai.  Rehovica po ashtu më herët i ka mohuar akuzat, por ai nuk qe e mundur të kontaktohej. Ligji për dekriminalizimin u miratua në fillim të vitit 2016, pas një fushata gati dy vjeçare të Partisë Demokratike, që akuzoi shumicën se kishte përfshirë në listat për deputetë e kryetar bashkish persona me të shkuar kriminale.  Dy depuetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, e ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, humbën mandatet pas verifikimeve që filluan me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ndërkohë dy deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Armando Prenga dhanë dorëheqjen. Për disa zyrtarë të tjerë për të cilët u kërkua heqja e mandatit,  KQZ vendosi mes debateve se nuk kishte arsye të mjaftueshme për tu hequr mandatin.

Aksidenti, PD kërkoi heqjen e imunitetit të Rakipit

Më 14 gusht 2017, rreth orës 04:41 të mëngjesit, në rrugën interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, mjeti që drejtonte deputeti Rakipi aksidentoi për vdekje Seit Sorrën, banor i zonës së Kasharit, ndërkohë që ai u largua nga vendgjarja, pa  tentuar që të t’i ofrojë  ndihmën e parë viktimës. Në një reagim publik për aksidentin në të cilën është përfshirë deputeti Rakipi, të hënën Partia Demokratike kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit të PDIU-së.

“Neni 273 i Kodit Penal, i cili është në fuqi edhe për miqtë e Edi Ramës, dikton se Aqif Rakipi mban përgjegjësi edhe për largim nga vendi i aksidentit, përgjegjësi që në vetvete denohet deri në 1 vit burgim,” thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike. “Largimi nga vendngjarja pas përplasjes për vdekje të Seit Sorrës, përveçse akt burracak i deputetit Rakipi, është edhe vepër e pastër penale që e rëndon pozitën e tij para ligjit,” shtoi ajo. Rakipi fitoi një mandat të dytë parlamentar si pëfaqësues i PDIU-së në rajonin elektoral të Elbasanit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Ndonëse thirrja publike e PD-së ka qenë e paqartë, një kundërpërgjigje publike nga PDIU nuk ka vonuar.

Këta të fundit e kanë akuzuar Partinë Demokratike se po bën politikë me aksidentin. “PDIU i bën thirrje Partisë Demokratike në mjerim të mos bëjë rolin e hienave me një rast të një aksidenti tragjik që urojmë mos t’i ndodhë kërkujt,” tha PDIU në një deklaratë për shtyp. “Ndërhyrja politike dhe në raste të tilla aksidentesh është një politikë e mjerë jashtë çdo standardi demokratik dhe mënyra më absurde për të bërë opozitë,” shtoi ajo. Policia e Shtetit deklaroi se “Pavarësisht lëvizjes nga vendi i ngjarjes dhe paraqitjes në Komisariatin e Policisë të drejtuesit të automjetit,  janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proçeduriale, ekzaminimet e ndryshme kriminalistike , testi i  alkoolit dhe sqarimi i rethanave të ngjarjes,” tha Policia rreth incidentit. Në deklaratën e saj, policia theksonte se “se është e do vazhdojë  të jetë garantë e zbatimit të ligjit, pavarësisht nga statuset apo përfaqësimet e subjekteve “.

 

Kush mund t’i zëvendësojë

Nëse KQZ miraton kërkesën e Prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të dy deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, përkatësisht të PDIU dhe LSI-së, atëherë ato do të zëvendësohen nga emrat pasardhës në listën shumëemërre të dy partive politike në Qarkun e Elbasanit dhe Beratit. Në rradhë për PDIU-në është Florenca Halili, ndërsa për LSI në Berat është Silva Caka. Në rastin e PDIU-së Halili hyn në Kuvend për shkak se në qarkun e Elbasanit kjo forcë politike nuk ka respektuar kuotat gjinore, çka do të thotë se në Kuvend do të hyjë kandidatja e parë femër, pavarësisht pozicionit që ndodhet në listën shumëemërore. Sipas organit të akuzës, dy deputetët të cilët vite më parë kanë jetuar e punuar në Itali ku janë arrestuar për vjedhje, si dhe kanë përdorur emra të tjerë, kundravajtje të cilat nuk i kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit.