Prokuroria drejt dështimit me pajisjen përgjuese

Nga Nikoleta Kovaçi

Kërkohen shtyrje afatesh për hetimin e një prej skandaleve më të mëdha të ndodhura me dijeni të autoriteteve

Në maj përfundon afati për hetimin e “IMSI Catcher”. Prokuroria jonë iu kërkon italianëve ekspertizë për sendin

Përdorimi i pajisjes për përgjime personash kundër pushtetit. Si u fut në burg dhe u përgjuan të burgosurit 

Çështja e sherrit për pajisjen që ç`orientoi gjithë vendin një vit më parë, duket se po shkon drejt pezullimit. Ashtu ndodh në të gjitha çështjet e mëdha në vendin tonë, pasi prokuroria vonohet në mbledhje të dhënash konkrete, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje ku ngatërrohen probleme të mëdha të politikës në vend. Kështu është edhe rasti i Imsi Catcher, një aparaturë që s`dihet se ku është, që prokuroria ende nuk ka mundur të gjejë një ekspert të vendos mbi ato informacione që ka patur në lidhje me përdorimin e saj, ku dhe pse, ndërsa ia kanë shkruar edhe palës italiane.

Këta të fundit, ndoshta të zënë më shumë me hetimet për dosjen “Katania”, nuk kanë kthyer përgjigje ende për të. Afatet përfundojnë në majin e këtij viti, ndërsa personat që u ndëshkuan për të thuajse u lëvizen nga radhët ku drejtonin. Ish-drejtuesi i policisë së shtetit, tashmë është larguar nga detyra në të cilën ishte kur ndodhi ajo që u konsiderua edhe ngjarja skandal me përgjimet!

Asnjëherë nuk u mor vesh se kush u përgjua dhe se cilat ishin përfitimet e përdorimit të asaj pajisjeje sidomos në ambientet e një burgu në Tiranë. Por ajo që u bë me dije aso kohe ishte fakti që pajisja u përdor e madje me dijen i të zyrtarë të lartë të ministrisë së Brendshme. Përdorimi i saj, solli një betejë të ashpër institucionale, ndërkohë që hetimet u ndaluan tek sjellja në gjykatë e personave që kishin tagrin të vendosnin për lëvizjen e pajisjes. Haki Çako dhe dy vartës të tij, u pezulluan. Dolën para gjykatës.

Dhanë versionet e tyre, versione që i pranoi gjykata. Çako u kthye në detyrë, ndërsa personi që kishte direkt përgjegjësi për pajisjen, kohë më pas, u largua fare nga Shqipëria. U tha se pajisja ishte vetëm për trajnimin e një skuadre policore. Por jo zyrtarisht Prokuroria pranoi se mjeti ishte përdorur edhe në disa ambiente të tjera, përveç një burgu. Sipas të dhënave pajisja përgjuese lëvizej me makinë titullari, ndërsa në qeli u tha se u përdor për një vrasës me pagesë dhe për një person tjetër, me probleme të mëdha me ligjin dhe i përfshirë në sherr të madh edhe politik.

Kërkesa

Prokuroria e Tiranës mësohet se ka shtyrë edhe 3 muaj të tjerë afatet hetimore për skadnalin “Imsi-Catcher”, një çështje kjo që qëndron e hapur prej dy vitesh nga njësia Task-Force për veprën e “shpërdorimit të detyrës”. Shkak për zgjatje të kohës hetimore është bërë heshtja e palës italiane që nuk ka kthyer ende një përgjigje nëse do ta pranojë apo jo ekspertizën në pajisje. Për këtë arsye sipas burimeve, prokurorët kanë përsëritur me letërporosi kërkesën për të ekspertuar pajisjen Imsi Catcher në mënyrë që të zbardhin dyshimet e tyre a u përdor apo jo kjo aparaturë për të kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri apo ajo u përdor vetëm për trajnimin e policisë.

Siç thonë burimet, fillimisht prokurorët kanë marrë në maj 2017 në të cilën italianët konfirmuan se pajisja Imsi Catcher ndodhet në Tiranë në ambientet e ambasadës italiane. Pas datës 23 maj 2017 pala italiane ka heshtur. Por prokuroria e kaloi me një justifikim profesional që përderisa territori i ambasadës konsiderohet tokë italiane, prokurorët nuk mund të sekuestrojnë dhe as të ekspertojnë pajisjen pa dëshirën e italianëve. Prej kësaj kohe prokuroria shqiptare ka përcjellë dy kërkesa referuar të drejtës ndërkombëtare, ku kërkohet që prokurorët të jenë të pranishëm se bashku me një specialist shqiptar për të kryer ekspertizën.

Italianët

Mediat italiane i kushtuan shumë rëndësi atij skandali. Madje në atë skandal u përfshin edhe komponentë diplomatik. Ata vijuan të shkruanin për ditë me radhë për sa i përket ekzistencës së asaj pajisjeje, forcës së saj përgjuese, mënyrës se si kishte kaluar në port pa u kontrolluar nga askush (në fakt, aso kohe radarët më shumë rrinin të fikur se sa në punë edhe pse ishim dhe jemi vend anëtar i NATO-s) ndërkohë u bë me dije se përgjimet ishin bërë me urdhrin e ish-ministrit të Brendshëm. Nga të dhënat e asaj kohe u thanë edhe disa vende të rëndësishme që ishte parë të qëndronte për orë me radhë mjeti që mbartte pajisjen përgjuese, por gjykata nuk pranoi të vijonte gjykimin, mbase për të evituar përplasjen e madhe politike dhe sulmin që partia në pushtet dhe qeveria po i bënin në mënyrë frontale.

Këqyrja e pajisjes

Këqyrja e Imsi Catcher kërkohet pasi në verë prokuroria humbi në gjykatë me lëvizjet e saj për të këqyrur disa kompjutera të sekuestruar në Policinë e Shtetit, pasi sipas argumentit të gjykatës prokurorët nuk ishin bindës se për çfarë u shërbente ky veprim hetimor. Gjatë 2016-s, çështja Imsi Catcher ishte mbase një prej temave më të rrahura në politikë që u finalizua me ngritjen e një komisioni hetimor. Nga ana e gjykatës pati një pezullim të përkohshëm nga detyra të ish-drejtorit të përgjithshëm Haki Çako dhe dy masa arresti shtëpiak, vendime këto që u shfuqizuan nga Gjykata e Apelit.

Por italianët dhe shumë oficerë policie të pyetur në Prokurori këmbëngulin se pajisja është përdorur për trajnim, ndërkohë që prokuroria hedh dyshime se në fakt ajo është përdorur gjatë fundjavave edhe në burgje. Shpresa e fundit për këtë hetim ka mbetur ekspertiza për të cilën Prokuroria ka kohë deri në maj, pas këtij muaji asaj i mbaron koha dhe nëse nuk ndodh asgjë atëherë çështja pezullohet.

“Remo Contro”

Në Shqipëri gjithçka është e mundur

Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i policisë shqiptare nga viti 2015, i quajtur nga armiqtë e tij politikë dhe personal “Haki droga” dhe arbitër i fuqishëm në ‘Kanabistan’, siç është quajtur vendi i shqiponjave. Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të kanabisit dhe furnizuesi kryesor i Europës me ‘bar’, sipas të dhënave.

Të përfshirë në trafik kanë qenë drejtuesit e policisë lokale dhe ish-ministri i Brendshëm. Skandal politik ky i shoqëruar me paradoksin e përfshirjes në trafik të shefit të policisë, njëkohësisht krahu i djathtë i ministrit të shkarkuar. Për memorien e lexuesve italianë, Haki Çako u kthye në personazh ndërkombëtar në qershor të vitit 2016, kur u pezullua nga detyra i akuzuar se lejoi futjen në vend të aparaturave që ishin në gjendje të përgjonin telefonat celularë. Pajisja e përgjimit e futur në Shqipëri përfshiu policitë e të dyja anëve të Adriatikut, për të cilat “Remocontro” bëri raportime të hollësishme. Rrëmuja që u bë nga kjo pajisje nuk është sqaruar asnjëherë që nga ajo kohë.

Mes skandalit dhe luftës për pushtet

E gjitha lind nga përfshirja e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe të besuarit të të tij në trafikun e drogës. Logjika politike dhe kërkesat parlamentare kërkonin që shefi i policisë të ndiqte fatin e ministrit të tij, por mbështetja e Kryeministrit Edi Rama i dha Haki Çakos forcë për të rezistuar nga shkarkimi deri dje. Në mes është përplasja me ministrin e ri Fatmir Xhafaj. Në Shqipëri, shumë raporte politike formale rregullohen nga çështjet familjare dhe klanore.

Prishja e marrëdhënieve mes të dyve u bë publike gjatë vizitës së ministrit tonë (italian) në Shqipëri. Xhafa e priti Minnitin i vetëm. Haki Çako u përjashtua edhe nga takimet në të cilat u fol pikërisht për trafikun e drogës Shqipëri-Itali. Minniti, ish-shefi i ‘spiunëve’ italianë, dhe SHISH, shërbimi sekret shqiptar (i shkollës italiane) tregoi 128 policë të përfshirë në “lidhjet me kanabisin”. Shefi i policisë nuk ishte dhe nëse ishte, a flinte gjumë?!

Arroganca kriminale e shfaqur

Një tjetër episod që rëndon besueshmërinë e Haki Çakos është kryengritja e Elbasanit. Policia u sulmua nga banda lokale pa pasur forcë të reagonte. Një episod që tregoi degradimin e ‘uniformave blu’, të denoncuar asokohe nga mediat shqiptare. Për këto fakte të rënda, munguan arrestimet e ‘kokave të mëdha’, ndërkohë mediat shqiptare raportuan se shumë agjentë policie kishin refuzuar të bënin pjesë në “Task Forcën” e formuar për të luftuar krimin, për shkak të mosbesimit ndaj kupolës së policisë.

Mediat raportuan edhe për ‘IMSI Catcher’, pajisja e përgjimit italian e futur ilegalisht në Shqipëri dhe e përdorur për përgjime, që edhe sot mbeten të panjohura. Pajisja u përdor nga agjentët e policisë me urdhër të Haki Çakos që asokohe, gusht 2016, i shpëtoi arrestimit “falë një sulmi të ashpër politik” kundër gjykatësve dhe prokurorëve. Kush e di se çfarë sekretesh fshihte Haki Çako për të qëndruar në detyrë! Kush e di se çfarë sekretesh di ai, që vendosën shkarkimin e tij!

Të tjera

Abissnet