Prokurori i Tiranës Petrit Fusha ikën sot nga posti, pritet shefi i ri

Publikuar më 29. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Kryeprokurorja e re Arta Marku pritet të bëjë ditën e sotme lëvizjen e parë midis drejtuesve të prokurorive të rretheve. Emri i parë që do lëvizë dhe që pritet të kryhet prezantimi i drejtuesit të ri do jetë në Prokurorinë e Tiranës.
Drejtuesi i kësaj prokurorie Petrit Fusha, do i ndërpritet komandimi si drejtues dhe do rikthehet në funksionin e dekretit të dhënë nga presidenti, me konkretisht pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjatë këtyre ditëve kryeprokurorja Arta Marku ka pasur takime në zyrën e saj me tre prokurorë të Tiranës, ku ka shfaqur interes se cili përmbush kriteret për të qenë në krye të akuzës së kryeqytetit.
“Kombineës” mëson se tashmë Arta Marku ka zgjedhur një nga tre emrat dhe se pritet që ditën e sotme, të realizohet dhe prezantimi i shefit të ri pranë prokurorisë së Tiranës.
Fusha ka qëndruar për disa vite në krye të kësaj prokurorie, ku fillimisht ka qenë i emëruar dhe më pas u komandua nga Adriatik Llalla, sërish drejtues i kësaj prokurorie megjithëse dekretin e kishte në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ndërkohë mësohet se drejtore kabineti kryeprokurorja Arta Marku ka zgjedhur të emërojë prokuroren Alketa Zilfa, e cila ushtron detyrën e saj në prokurorinë e Tiranës.
Emërimi i Zilfës në krye të drejtorisë së Kabinetit mësohet të jetë bërë që prej 22 dhjetorit 2017. Nga sa mësohet Zilfa më parë ka qenë drejtuese e njësisë Task-Forcë në prokurorinë e Fierit.