Prokurori që arrestoi Fullanin dhe Xhikën, sot përballë KPK-së

Foto 1 nga 1 Pas Para

Ramadan Troci del sot, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tu njohur me hetimin administrativ. Ai është një emër i lakuar për shkak të dosjeve të forta që ka pasur në duar, ndërsa nga deklaratat vjetore për pasurinë rezulton i pastër  

Bleona Metushi

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci, del sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tu njohur me hetimin administrativ të kryer gjatë këtyre muajve. Troci njihet si një nga prokurorët që ka pasur në duar dosje të forta. Ndërkohë, nga një vështrim i hedhur deklaratave të pasurisë ndër vite, duket se prokurori nuk do ta ketë të vështirë të kalojë “klasën” në kriterin e pasurisë, megjithëse do të jetë hetimi administrativ, ai që do të gjykojë. Seanca ndaj prokurorit Ramadan Troci, do të zhvillohet sot në orën 11:30, ndërsa trupi gjykues përbëhet nga kryesuesja Pamela Qirko, anëtarja Genta Tafa Bungo dhe Suela Zhegu në cilësinë e relatores. Hetimi ndaj Trocit është kryer në të tre kriteret e rivlerësimit, pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës, ndërsa me seancën ndaj tij, KPK i është rikthyer kështu listës prioritare, kujtojmë se prokurori është kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pritet të ngrihet pas përfundimit të Vetingut, edhe për një kandidat tjetër.

Pasuria

Nga deklaratat periodike, rezulton se prokurori Ramadan Troci është pronar i një shtëpie në Tiranë të deklaruar për herë të parë në vitin 2011, ndërsa si burim ka deklaruar kursimet nga viti 2005 deri në momentin e blerjes së banesës, si dhe një kredi bankare në vlerën 2 milionë e 500 mijë lekë. Përgjatë viteve, prokurori ka deklaruar blerjen e një makine tip “Mercedez-Benz”, në vitin 2008, ndërsa si burim ka deklaruar kursimet nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Makina është blerë në shumën e 700 mijë lekëve. Ky automjet është shitur dhe pas tij, është blerë një tjetër makinë në vlerën 300 mijë lekë. Referuar deklaratave të pasurisë, Troci nuk rezulton të ketë në pronësi ndonjë biznes, ndërsa burim i të ardhurave gjatë këtyre viteve, ka qenë paga e tij dhe e bashkëshortes e cila është mësuese. Pas vitit 2011, prokurori përveç të ardhurave nga paga e tij dhe bashkëshortes, ka deklaruar edhe pagën e të vëllait. Ndërkohë, në deklaratën Vetting, prokurori ka deklaruar të ardhura nga qiraja e një banese në pronësi të tij. Nga vështrimi i deklaratave periodike, rezulton se e gjithë pasuria e Trocit është vënë nga paga e tij, e bashkëshortes dhe e të vëllait, ndërsa në vitin 2017 ka deklaruar të ardhura edhe nga qiraja e një banese.

Karriera

Më një karrierë 18-vjeçare në Sistemin e Drejtësisë në vend, prokurori është i njohur për firmosjen e vendimit për arrestimin e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani si dhe kryebashkiakut  të Vlorës, Shpëtim Gjikës. Kujtojmë se, akuzat ndaj Fullanit u rrëzuan nga gjykata, duke çuar më vonë në lirimin e tij. Ramadan Troci e ka nisur karrierën në vitin 2000, ai ka punuar në Prokurorinë e Tiranës deri në vitin 2012, si prokuror i sektorit të vrasjeve në linjën numër 1, ndërsa më herët, ka qenë prokuror në Bulqizë. Gjithashtu, në vitin 2015, Troci është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Prokurorisë. Ndërkohë, prokurori para çështjes së Fullanit, kishte firmosur edhe urdhër-arrestin për ish-drejtorin e INUK, Zyhdi Dajti, ndërsa ka pasur në dorë çështje të rëndësishme si refuzimi i urdhër-arresteve për 21 janarin, ku të akuzuar ishin ish-drejtori i policisë së Tiranës, Hysni Burgaj dhe ish-zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj. Ai ka hetuar gjithashtu, edhe aksidentin e deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashit. Por karriera e prokurorit Troci, ka edhe ankime dhe përplasje.

Këshilltarja e Kushtetueses

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjatë ditës së sotme do të zhvillojë edhe një tjetër seancë dëgjimore, atë ndaj këshilltares ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi. Hetimin për këtë të fundit e ka kryer trupi gjykues me kryesues Lulzim Hamitaj, anëtare Valbona Sanxhaktarin dhe relatore Genta Tafa Bungo. Hetimi ndaj Vorpsit është kryer në të tre kriteret, ndërsa ajo do të dalë para KPK-së, në orën 10:00, ndërsa për rreth 10 vite ajo ka qenë këshilltare ligjore pranë Kushtetueses. Paralelisht më këtë detyrë, Vorpsi jep mësim në Shkollën e Magjistraturës, ku është lektore e së drejtës kushtetuese si dhe eksperte trajnuese. Në lidhje me pasurinë, të dhënat e siguruara, tregojnë se këshilltarja Arta Vorpsi nuk kishte asnjë pasuri në vitin 2005, i cili përkon edhe me deklaratën e saj të parë të pasurisë së ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zonjës Vorpsi është 3.1 milionë lekë; e cila ndahet në 2.7 milionë lekë likuiditete bankare dhe një automjet me vlerë rreth 457 mijë lekë. Të ardhurat për periudhën deklaruese 2005-2017 janë 34.3 milionë lekë. Ato kanë si burim pagën në Gjykatën Kushtetuese, të ardhurat nga angazhimi si eksperte, mësimdhënien si dhe pagën e bashkëshortit.

Vendimi  i zbardhur: Sotiraq Lubonja me “Nivel të ulët profesional”

Ndërkohë që hetimi për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Korçë, Sotiraq Lubonja u zhvillua në të tre kriteret e rivlerësimit, sipas vendimit të zbardhur të KPK-së, ai nuk ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe një nivel minimal të aftësive profesionale. Ndërkohë, në vendim thuhet se gjyqtari është munduar të justifikoj shpenzimet në jetën e tij, por edhe blerjen e disa pasurive me dhuratat e bëra nga vjehrri, vjehrra dhe kunati, por këto justifikime nuk ka qenë bindëse për komisionin, i cili nuk i ka marrë për bazë, ashtu si nuk ka marrë për bazë edhe justifikimin, me të ardhurat e krijuara nga pensioni i nënë së tij. Nga vlerësimi i pasurisë, sipas KPK, rezulton se gjyqtari ka paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim apo përdorim të tij, duke mos paraqitur saktë kohën kur është kryer ndërtimi i shtëpisë në qytetin e Korçës, sipërfaqen reale të shtesës, i konsideruar si ndërtim pa leje dhe kërkesën për legalizimin e objektit të ndërtuar pa leje. “Subjekti i rivlerësimit, Sotiraq Lubonja, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, pasi ai ka treguar një sipërfaqe tjetër nga ajo reale, për banesën e tij në Korçë, duke kryer fshehje të pasurisë, si dhe subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë e ndërtuar. Ai ka kryer deklarim të rremë lidhur me vlerën e ndërtimit të pronës të banesës në Korçë. Ndërtimi pa leje në tokën e dikujt tjetër, ka qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, argumenton Komisioni.

Dhuratat nga vjehrri dhe vjehrra

Më tej, në vendim thuhet se, gjyqtari ka deklaruar si burim të ardhurash, për shpenzime të kryera në jetën e tij, si udhëtime, por edhe për blerjen e disa pasurive, të ardhura të krijuara nga dhurimet nga vjehrri dhe vjehrra, por edhe kunati. Ndërsa komisioni arsyeton se, megjithëse gjyqtari i Apelit, paraqiti një dokument lidhur me të ardhurat vjetore të tyre në SHBA dhe Shqipëri, trupi gjykues nuk u bind lidhur mbi mundësitë financiare të dhuruesve, pasi në asnjë rast të shpjeguar në vendim, subjekti nuk mundi të provojë se ato para kishin ardhur në ndonjë formë që të mund të provohej përfitimi i tyre, si transferta bankare dhe deklarim në kufij, dhe se ato dhurime krijuan dyshime për trupin gjykues. “Trupi gjykues e konsideron si deklarim të rremë burimin e krijimit të dhuratave të përfituara nga vjehrri dhe vjehrra, duke konstatuar mungesë burimesh financiare të ligjshme për të krijuar shumat e dhuruara, si dhe mungesë e dokumentacionit ligjor provues, për realizimin e dhurimeve”, shkruhet në vendimin e zbardhur.

Dhurata nga nëna

Ndërkohë, në lidhje me pretendimin se nëna e tij i kishte dhuruar një shumë prej 4 milionë ka kursimet e saj, nga pensioni, Komisioni ka dalë në përfundimin se nuk është bindëse dhe se nëna nuk ka pasur mundësi financiare për kursimin e kësaj shume. “Mbështetur në analizën financiare, të kryer nga Komisioni, rezulton se nëna ka qenë në pamundësi për realizimin e të ardhurave të deklaruara të kursyera, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se deri në vitet 2002-2003, të ardhurat familjare kanë shërbyer tërësisht për ndërtimin e shtëpisë në Korçë, po ashtu edhe faktin se vetë subjekti i rivlerësimit ka deklaruar kursime ndër vite”, shkruhet në vendim.

Argumentet e KPK-së, pse u konfirmua në detyrë prokurori Xholi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi, i cili ka rezultuar në rregull në të tre kriteret e pasurisë. Ndërkohë që në vendimin e zbardhur, thuhet se janë konstatuar disa mungesa të likuiditeteve, por nuk janë në atë masë sa për të cenuar besimin e publikut. “Nga vlerësimi në tërësi i pasurisë së subjektit të rivlerësimit, Adnan Xholi, nuk janë konstatuar elemente që mund të ngrenë dyshime për fshehje apo deklarim të rremë nga ana e subjektit të rivlerësimit. Deklarimet duken të sakta dhe në përputhje me ligjin. Mungesa e likuiditeteve të konstatuara është në atë masë, sa nuk ka cenuar besimin e publikut, si dhe ka arritur një nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë. Nga hetimi mbi pastërtinë e figurës nuk u gjet asnjë element që të vërtetojë mbi përfshirje të mundshme të subjektit të rivlerësimit në veprime korruptive, për shkak të funksionit apo ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në ligj. Pasi u hetua raporti i Prokurorisë së Përgjithshme, nuk u gjet indice apo element që mund të ngrinte dyshime për paaftësi profesionale apo cilësi që cenojnë figurën e prokurorit”, shkruhet në vendim.

Pasuria

Hetimi administrativ u përqendrua mbi të gjitha te pasuritë e deklaruara nga prokurori Adnan Xholi, në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, konkretisht në Apartamentin, me sipërfaqe 107 metra katrorë, me vlerë 50,000 euro, i cili ndodhet në qytetin e Tiranës, i prenotuar për t’u blerë në vitin 2004, pjesë takuese 100%.  Auto veturë tip “Mercedes-Benz”, prodhim i vitit 2004, me vlerë 4,000 euro. Llogari e hapur më datë 07 dhjetor 2005, pranë “Alpha Bank”, në emrin e prokurorit dhe bashkëshortes së tij, e cila ka shërbyer për lëvrimin e kredisë për blerjen e apartamentit në Tiranë. Vlera e deklaruar: 6,290 lekë, në pjesë takuese 50 %. Gjendje në “Credins Bank”, në vlerën prej 807,873 lekësh. Gjendje në “Raiffeisen Bank”, në vlerën prej 258,410 lekësh. Gjendje e llogarisë në “BKT”, në vlerën prej 212,389 lekësh. Gjendje cash, më datë 31.12.2016, në vlerën prej 800,000 lekësh.

KPK konfirmon në detyrë ndihmësen ligjore Miranda Nakajn

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi dje në detyrë ndihmësen ligjore, Miranda Nakaj, si të përshtatshme në të tre kriteret e rivlerësimit. “Komisioni njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 07.11.2018 për subjektin e rivlerësimit, znj. Miranda Nakaj, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 08.11.2018 vendosi: Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Miranda Nakaj, ndihmëse ligjore në Gjykatën Administrative të Apelit”, tha kryesuesja e trupit gjykues dje. Sipas hetimit të KPK, ka rezultuar se Nakaj ka marrë një kredi konsumatore në vlerën e 810 mijë lekëve, një tjetër kredi prej 510 mijë lekësh në BKT dhe një overdraft prej 78 mijë lekësh në BKT. Nga hetimi i pavarur I KPK, ka rezultuar se kandidatja për gjyqtare ka kryer deklarim të saktë, edhe lidhur me adresat, pasi  deklarimet e subjektit kanë rezultuar të njëjta me provat e siguruara nga hetimi. Kjo, pasi nuk ka rezultuar të jenë ngritur dyshimet për pasuri në pronësi apo me qira në adresat e deklaruara nga Nakaj. Adresat e deklaruara prej saj kanë qenë apartamente në pronësi të të atit. Nga hetimi është konstatuar deklarim i saktë edhe për një hua prej 150 mijë lekësh e marrë nga shtetasi B.B në vitin 2015 dhe e shlyer nga të afërmit e magjistrates.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet