Projektligji i qeverisë për filmin, kthim prapa në diktaturë

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Regjisori bashkohet me artistët shqiptarë. Ai argumenton qëndrimin e tij kundër projektligjit “Për artin dhe kulturën”, që prek kinematografinë. Ai u kërkon artistëve të teatrit të bëjnë rezistencë, derisa t’u prezantohet projekti konkret për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar 

Interesat vetjake dhe partiake janë kalimtare, ajo çka mbetet është kultura! Prandaj, arti duhet që të ngrejë probleme, të ngacmojë edhe të shtyjë shoqërinë të ecë përpara. Kineastët nuk duhet të jenë të detyruar, që të bëjnë vepra për interesat e qeverive që vijnë e ikin, sepse kjo mënyrë artin kinematografik e kthe mbrapa në kohë. Ndërsa, gjatë viteve të fundit, kinematografia jonë, ndryshe nga politika shqiptare është prezantuar në mbarë botën, njësoj si shtetet e zhvilluara, duke hyrë kështu në Europë para politikës. Regjisori dhe aktori i njohur Edmond Budina në një intervistë për gazetën “Shekulli” bashkohet me kërkesat e artistëve shqiptarë, të ekranit dhe skenës. Sipas tij, në shtojcat publikuara këto ditë në projektligjin “Për artin dhe kulturën”, gjëja më shqetësuese është, futja e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në varësi të Ministrisë së Kulturës. “Kjo do të thotë, futje e artit kinematografik nën kontrollin e politikës, do të thotë një kthim prapa, si në kohën e diktaturës, ku partia shtet e konsideronte artin, si ndihmëse të partisë për edukimin e masave”.

Zoti Budina, prej 20 vitesh Qendra Kombëtare e Kinematografisë funksionon si institucion i pavarur. Por, në shtojcat e një projektligji të ri “Për ligjin e artit dhe kulturës”, kërkohet që QKK të jetë në varësi të ministrit të Kulturës. Cili është mendimi juaj për këtë varësi, që u kërkohet kineastëve shqiptarë? 

Në këtë projektligj, më duket se gjëja më shqetësuese është pikërisht, futja e QKK-së në varësi të Ministrisë së Kulturës. Kjo do të thotë, futje e artit kinematografik nën kontrollin e politikës, do të thotë një kthim prapa, si në kohën e diktaturës, ku partia shtet e konsideronte artin, si “ndihmëse të partisë për edukimin e masave”. Qeveritë e ndryshme, kjo ndodh rëndom në vendet demokratike, kërkojnë e janë mburrur me decentralizimin. Pikërisht, arti që ka nevojë për liri, çohet drejt centralizimit. Nesër, kushdo qeveri që mund të vijë në pushtet mund të kondicionojë kineastët të bëjnë vepra për interesat e tyre propagandistike, ose të drejtuara sipas shijeve të politikanëve të radhës. Kjo mund t’i kthehet edhe qeverisë së sotme, nesër, në një bumerang.

Nëse Ministria e Kulturës mendon të përshpejtojë procedurat e ndihmojë artin kinematografik, ka shumë mënyra të tjera. Mundet p.sh të hapë një konkurs për financime, që veç QKK-së të merren financime edhe prej saj, të lehtësojë procedurat burokratike, të shtojë buxhetet, t’u japë mundësi rretheve të investojnë në fushën e kinemasë, prej të cilave mund të nxjerrin fitime e mjaft forma të tjera. Eksperiencat e vendeve të ndryshme nuk mungojnë. Në Itali p.sh funksionojnë “Film Comission” e regjioneve. Kështu rritet financimi për filmin, punësohen njerëz në rrethe e po ashtu rriten të ardhurat e tyre. QKK deri më tani ka funksionuar më së miri brenda vendit e tani së fundmi edhe në arenën ndërkombëtare. Prestigji i saj është rritur mjaft, gjë të cilën e ndjejmë ne që jetojmë jashtë Shqipërisë. Për këtë nuk ka nevojë aspak të jetë nën varësi të Ministrisë së Kulturës, përkundrazi, kjo do ta dobësonte, do t’i ulte prestigjin.

Pra ju e shihni këtë, si uzurpim dhe kontroll të artit, ë një dorë të vetme?

Një nga synimet e artit është të ngrejë probleme, të ngacmojë, të shtyjë shoqërinë të ecë përpara. Një vepër e mirë vlen shumë më tepër se shumë artikuj, apo konferenca partiake. Vënia e artit nën kontroll, aq më keq koncentrimi në një dorë të vetme, i bën keq jo vetëm artistëve, por së pari shoqërisë, politikës vetë. Përpara se politikanët të jenë të tillë, janë qytetarë, që kanë nevojë të argëtohen, emocionohen e emancipohen nëpërmjet artit. Askujt nuk do t’i pëlqente, që nesër kur të mos merret me politikë, të vazhdojë të shohë gjëra njëngjyrëshe, në mbështetje të një partie a një personi. Është njësoj sikur një piktori t’i kërkosh të pikturojë gjithmonë gjëra të porositura, ose me ngjyrat e diktuara prej dikujt, që i ka në dorë ekzistencën, që ia pret të ardhurat jetike. Kjo do ta shkatërronte artin e tij.

Edhe aktorët e Teatrit Kombëtar, por jo vetëm, janë revoltuar, sepse u është kërkuar, që të zhvendosen në skenën e re “Turbina”, para se t’ju prezantojnë një projekt për ndërtimin e teatrit ekzistent. Çfarë mendoni për këtë situatë?

E kam ndjekur nëpërmjet shtypit këtë situatë. E gjej me vend shqetësimin e tyre. Njerëzit e teatrit e kinemasë po tregojnë se dinë të ngrenë zërin, kur është fjala për shkeljen e të drejtave. Është një shembull mjaft pozitiv për të gjithë shoqërinë, e cila sipas meje duhet të përfshihet në këtë debat, sepse problemi është i të gjithëve, jo vetëm i njerëzve që merren me këto profesione. Ka të bëjë me kulturën, emancipimin. Shtetet e kombet ndërtohen mbi të gjitha mbi kulturën e ta nëpërkëmbësh atë, do të thotë të mos kesh vizion, të mos e duash vendin tënd. Interesat vetjake ose partiake janë kalimtare, ajo që mbetet është kultura. Mbas reagimit të fundit të ministres së Kulturës, që thotë: “Duhet t’i takoj artistët pasi para se të kuptojmë çfarë kërkojnë, duhet të kuptojnë ata çfarë ofron drafti”, unë kam besim se ajo do të reagojë pozitivisht kundrejt kërkesave të komuniteteve artistike (teatër, kinematografi).

Ajo, që sipas meje, ka nxitur dyshimin tek të gjithë është fakti se, përse ky mendim nuk u mor përpara se të hartohej drafti i projektligjit. Kështu me të drejtë mund të mendohet se ai u nxor në faqen zyrtare për të tatuar pulsin, nëse kalonte pa u vënë re, ata do ta kthenin në ligj, nëse jo, hajde ta diskutojmë!  E pakuptimte është edhe zhvendosja e Teatrit të Operës në ambientet e  Teatrit Kombëtar! Komuniteti artistik të kupton kur gjërat bëhen hapur e me sinqeritet. Prej vitesh e kemi diskutuar me kolegë të mi, që ambienti tek “Turbina” të kthehej në një teatër, por asnjëherë për një Teatër Kombëtar, por për një teatër alternativ. Ai nuk i ka parametrat për të qenë një Teatër Kombëtar, qoftë edhe për dy ose tre vjet. Në të gjithë Shqipërinë, por veçanërisht në Tiranë, ka shumë ambiente ish- industriale të braktisura, që shumë mirë mund të ktheheshin në salla teatri ose qendra kulturore, praktikë që ndiqet në vendet e zhvilluara. Për të mos folur pastaj për zhvatjen ose vjedhjen, që i është bërë shtetit, nëpërmjet korrupsionit, duke privatizuar institucione kulturore (kinostudio, kinematë etj). Janë pikërisht këto veprime të kryera nga qeveritarët e të gjitha ngjyrave në këta njëzetë e tetë vjet, që kanë ngjallur dyshime edhe për draftin e këtij projektligji.

Pra mendoni, që TK të mos shembet, por të ndërtohet sërish në të njëjtin vend?

Ndërtesa ku ndodhet Teatri Kombëtar, ndërtuar më 1939,  tashmë është krejtësisht e amortizuar, pavarësisht rikonstruksioneve e arnimeve të bëra në kohëra të ndryshme. Veç kësaj ka një rrezikshmëri të lartë për jetët njerëzore, jo vetëm për rrezik shembjeje, por nga pikepamja shëndetësore. Edhe pse përsa i përket historisë që mbart e ndonjë vlerë arkitektonike për kohën kur është ndërtuar, mendoj se i ka ardhur koha të prishet për të ndërtuar në vend të tij një teatër krejtësisht të ri me parametrat më bashkëkohorë.

Mendoj se ka ardhur koha, që shteti ta shohë me përparësi ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, pavarësisht shpenzimeve që duhen, sepse ato po të jetë vullneti i mirë gjenden. Për këtë qeveria duhet të garantojë, që në atë vend nuk do të ndërtohet asgjë tjetër veç teatrit. Duhet një projekt tepër serioz, të gjenden financimet e kur gjithçka të jetë gati, vetëm atëherë transferimi i Teatrit Kombëtar tek Turbina, ose diku tjetër, duhet të bëhet. Pa pasur garanci, artistët bëjnë mirë që kundërshtojnë e nuk lëvizin. Kam luajtur në teatrot “Pergola” të Firences, “Valle”, të Romës, “Mercadante”, të Napolit etj., të ndërtuar respektivisht në vitet 1656,1727, 1778. Janë tempuj të kulturës, që kanë bashkuar kombin italian. Askush nuk mban mend se kush ishte kryeministër, ose ministër kulture, por kush është bërë mbështetës për ndërtimin, arkitekti dhe artistët që kanë debutuar në to nëpër shekuj. Edhe qeveritarët tanë, nëse duan që të kujtohen nesër, nuk duhet të ngurrojnë të ndërtojnë vepra, që do t’u mbeten brezave të ardhshëm në shekuj e një prej tyre do të ishte edhe Teatri Kombëtar.

Sot, artistët shqiptarë veprojnë me status të nëpunësit civil, me kontrata 1-vjeçare dhe me paga të ulëta, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. E mendoni të drejtë këtë trajtim, që i bëhet artit skenik dhe figurës së artistit shqiptar?

Padyshim, që nuk e gjej me vend. Së pari, nuk e gjej me vend faktin e kontratave njëvjeçare. Pasiguria asnjëherë nuk është garanci për cilësi. Përkundrazi. Jo vetëm që punon me frikën se po të heqin sot, po të heqin nesër, por edhe me mendjen e ngritur, që po gjeta diçka tjetër që më paguajnë më mirë, po kërcas e iki. Kjo nuk të ndihmon të rritesh nivelin tënd profesional. Je në gjendje ankthi të përhershëm. Një krijim artistik ka nevojë të domosdoshme për qetësi shpirtërore, garanci ekonomike, që të mos mendosh se ç’do t’u jap fëmijëve për të ngrenë nesër kur të më skadojë kontrata. Të mos punosh me personazhin me mendjen tek telefoni, që mbase më merr dikush për ndonjë punë jashtë orarit. Niveli, përparimi, emancipimi i një vendi duket edhe në mënyrën se si ai i trajton artistët e vet. Nëse shteti nuk ka para për të rritur rrogat e artistëve, ose të paguajë figurën artistike (gjë që më duket e pamundur) mund të lejojë që të ardhurat e biletave t’i mbeten teatrit. Mund të vendosen kritere të drejta, që kush punon më shumë e më mirë të paguhet më mirë. Është për të ardhur keq, që ne jemi vendi me pagesat më të ulëta në rajon.

“Artistët s’mund të punojnë për bukën e gojës, në komunizëm rrogat tona arrinin atë të një anëtari të byrosë politike”

Numëroni rreth 50 role në skenën e TK. Si e kujtoni atë periudhë, që keni punuar me regjisorët më në zë. Pavarësisht ideologjisë së kohës, cili ishte vlerësimi që u bëhej artistëve?

Pavarësisht ideologjisë, censurës, frikërave etj., personalisht e ndjej veten me fat dhe të privilegjuar, që kam qenë pjesë e Teatrit Popullor e më pas atij Kombëtar. Kam punuar me aktorë e regjisorë shumë të mirë, që kanë qenë në kuptimin e vërtetë të fjalës, një shkollë. Sot përdoren lehtësisht superlativat, i madh, i jashtëzakonshëm, fantastik e shpeshherë  pa vend. Dikur këto terma pothuajse nuk përdoreshin e megjithatë artistët ishin me të vërtetë të mëdhenj, por edhe shumë modestë.

Nëse kam mësuar diçka nga regjisura, atë e kam dhuratë prej Pirro Manit, e nëse me “Luiza Miler” kemi dhënë mbi treqind shfaqje ajo është meritë e regjisores Drita Agolli dhe aktorëve që merrnin pjesë në të. Ajo që më së shumti funksiononte në atë kohë ishte disiplina artistike, pasioni i madh. Këshilli artistik, i përbërë prej profesionistëve të teatrit, regjisorë, dramaturgë, aktorë, funksiononte më së miri e vërejtjet ishin tepër profesionale. Ruaj edhe sot vërejtjet që më bëheshin prej kolegëve e këshillit, si për provat në tavolinë, po ashtu për provën gjenerale. Çdo të martë, para provave, bëheshin vërejtjet për të gjitha shfaqjet e javës, për lojën e aktorëve, respektimin e mizansenave, teknikën etj.

Kjo rriste përgjegjësinë, secili përpiqej të rriste përherë nivelin profesional. Ishte një teatër repertori, ku për natë kishim shfaqje të ndryshme e qemë të angazhuar të gjithë, si me role të para deri dhe figurantë, por ky qe një trajnim i përhershëm, që kërkonte përgatitje. Sigurisht, për ideologjinë e kohës, teatri, si i gjithë arti, qe pjesë e propagandës. Si i tillë edhe trajtimi qe disi më ndryshe. Kështu shteti siguronte leje krijuese, për shkrimtarët, kompozitorët, jepte studio për piktorët e skulptorët e po ashtu rrogat e trupës artistike në teatër, në raport gjithmonë me kohën, ishin nga më të mirat. Po të shtosh pastaj që ne punonim me honorare në radio, televizion, dublime në kinostudio, rrogat tona arrinin atë të një anëtari të byrosë politike. Me këtë nuk dua të them, që gjithçka shkonte vaj e sistemi nuk duhej rrezuar, por ajo që është e vërtetë nuk duhet mohuar.

Edhe pse jetoni jashtë vendit, lidhjet me artin në Shqipëri nuk i keni shkëputur asnjëherë. Si ndiheni kur dëgjoni lajme të këtilla për artin, një fushë në të cilën keni derdhur djersën? 

Padyshim që më vjen keq e nuk ndjehem mirë. Ne presim me padurim përherë veç lajme të mira prej vendit tonë, ndërsa ky nuk është i tillë. Nëse p.sh ky lajm do të dalë në shtypin italian, ku do të thuhet se në Shqipëri shembet Teatri Kombëtar për të ndërtuar një qendër tregtare, ose krijimtaria kinematografike censurohet e vihet në shërbim të politikës, kjo s’është e bukur. Europa për këtë është tepër e ndjeshme e nëse artistët, që tashmë kanë mjaft mundësia e njohje, sensibilizojnë opinionin ndërkombëtar, e keqja i mbetet politikës.

Nëse Shqipëria synon të hyjë në Europë, mendoj se arti kinematografik, por edhe ai teatror është tashmë në Europë. Fakti që ne jemi të barabartë në bashkëprodhimet ndërkombëtare, veprat tona shpërndahen në vendet e Europës, jemi pjesëmarrës në forume evropiane, pra në një farë mënyre jemi pjesë e Europës. Mbrapa në gjithë këta vjet, ka qenë politika shqiptare. Këto lajme janë një kthim prapa e nuk do të doja kurrsesi, që vendi ynë të pengohej qoftë edhe për nxitime të këtij lloji, si drafti i projektligjit për artin e kulturën.

Dhe së fundmi, çfarë do të propozonit, si artist i skenës dhe ekranit, që kjo situatë në të cilën gjenden artistët shqiptarë, ku shumë prej tyre punojnë edhe për bukën e gojës, të ndryshojë njëherë e mirë?

Së pari, do t’i përgëzoja për nismën e do t’i ftoja të mos heqin dorë prej kërkesave të tyre. Të rezistojnë! Është e thjeshtë t’u thuash: Rezistoni, kur iu presin kontratat, e nuk i paguajnë, por nëse duhet të arrihet diçka kjo bëhet, duke këmbëngulur e lobuar. Nuk më pëlqejnë përplasjet, por nëse do të jetë nevoja ajo nuk mund të përjashtohet. Duhet të jenë të bashkuar e kërkesave të tyre t’iu shkojnë deri në fund. Është një rezultat i lavdërueshëm, ngritja e sindikatës së artistëve të skenës e ekranit.

Sindikatat nuk janë pengesë, përkundrazi, janë qytetari, përparim, për të venë në vend dinjitetin njerëzor, kur ai shkelet, shtypet e shfrytëzohet prej makutërisë së individëve, që mendojnë vetëm e vetëm si të pasurohen. Nuk do të doja ta dëgjoja më fjalën “për bukën e gojës”, për artistët e skenës dhe ekranit. Dinjiteti i tyre duhet të vihet në vend e këtë politika duhet ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë. Investimi në kulturë, sikundër e thashë, është investim në të ardhmen, investim për emancipimin e shoqërisë.

Unë gjithsesi jam optimist e kam shpresë në sensibilitetin e ministres së Kulturës e kryeministrit. Unë vlerësoj shumë ata politikanë, që kur gabojnë, thonë gabova e kërkojnë ndjesë. Këtë gjë e ka bërë dy ditë më parë kryeministri, përsa i përket HEC-ve të Osumit. Besoj që edhe në këtë rast, ata do ta tërheqin këtë draft. Do të dëgjojnë sugjerimet e kërkesat e palëve të interesuara e do të hartojnë një projektligj, që do të jetë në funksion të artit shqiptar, mbi të gjitha për të mirën, interesat e shoqërisë shqiptare.

Dialogu është forma më e mirë për të arritur rezultatet e duhura. Tek maxhoranca qeverisëse e tek opozita ka njerëz me integritet, që do ta shohin se problemet e artit nuk mund të zgjidhen me diktat ose veprime të njëanshme.