Projektligji për Teatrin, atentat për artin dhe kulturën

Republika e Shqipërisë

Dërgon: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Subjekti: Letër e Hapur

Drejtuar Presidentit të Republikës z. Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit dhe krerëve të grupeve parlamentare, z. Taulant Balla, z.Edi Paloka, z. Petrit Vasili

Z. President, Z. Kryetari i Kuvendit, zotërinjë përfaqësues parlamentarë të subjekteve politike, ne që po ju shkruajmë, jemi një përfaqësi e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, e përbërë nga dy Sindikatat e Artistëve (SASE), aktorë të Teatrit Kombëtar, aktorë të lirë në profesion, aktivistë dhe simpatizantë të Teatrit, dhe shprehim indinjatën e thellë për një hap tërsisht të papritur nga ana e Ministrisë së Kulturës, për t’ju drejtuar institucionit të Parlamentit me një projektligj, i paparë dhe i padëgjuar në Republikën e Shqipërisë, ku në themel të tij qëndron synimi për të shkatërruar godinën e Teatrit Kombëtar, dhe godinën e Teatrit Kombëtar Eksperimental, të konsideruar në një, megjithëse janë institucione të ndara administrativisht. Projektligji i paraqitur vjen në një moment, kur një përfaqësi artistësh anë kryer dy takime, me Presidentin e Republikës dhe me Kryetarin e Kuvendit, në të cilat kanë marrë garanci të plota, që nuk do të kishte asnjë hap arbitrar pa marrë konsensusin e artistëve. Me këtë hap, ne e ndiejmë veten të tradhtuar nga institucioni i Ministrisë së Kulturës dhe nuk mund të futemi në asnjë dialog për një projektligj që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental. Ne mendojmë që ky projektligj, është anti-kushtetues, tërësisht arbitrar dhe që cenon rëndë artin dhe kulturën në Republikën e Shqipërisë.

Argumentet tona janë si më poshtë:

Së pari, projektligji, është propozuar pa marrë në konsideratë opinionin tonë si komunitet për zgjidhjen e mundshme të pritshme për Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental.

Së dyti, Projektligji në fjalë prezantohet në formën e një kontrate të mbyllur pa konkurs, me fitues të shpallur, duke cenuar dhe misionin më fillestar që duhet të kryejë një ligj për rregullimin e marrëdhënieve në shoqëri. Në rastin konkret institucioni i Parlamentit zhvendoset nga detyrat e veta kushtetuese për të hartuar projektligje mbi bazë konsultimi dhe kthehet në një noter të rëndomtë, që vulos kontrata dhe jep leje ndërtimi. Sipas Nenit 7 të Kushtetutës, në Republikën e Shqipërisë pushtete janë të ndara, parlamenti harton ligje, qeveria i ekzekuton dhe Gjykata kujdeset për garantimin e drejtësisë mes qytetarëve. Ky projektligj “ad-hoc”, injoron tërësisht legjislacionin në fuqi që rregullon marrëdhëniet mes sektorit publik dhe atij provat, si p.sh “Ligjin për Koncesionet, Ligjin Për Partneritetin Publik-Privat dhe i bën Ligjin Ligjit, duke dalë mbi Ligjin”.

Pushteti lokal si pushtet i pavarur me frymë kolegjiale, i lidhur direkt me fatet e qytetit, me kompetenca dhe detyra të ndara, injorohet tërësisht, duke u kthyer në një Përmbarues të porosive të pushtetit ekzekutiv, në shkelje totale të përfaqësimit të interesave të qytetarëve në rang lokal.

Ky është i vetmi Ligj në botë që vlefshmërinë e ka brenda disa metrave katror kur Kushtetuta nëpërmjet Nenit 116 e shpreh qartë se ligji ka fuqi në gjithë territorin dhe jo vetëm tek territori i Teatrit Kombëtar. Bazuar mbi argumentet si më sipër, si edhe duke e konsideruar këtë sipërmarrje si një atentat ndaj kulturës dhe artit në Shqipëri, me rrezikun që mund të krijohet një kolaps kulturor në vend, duke goditur njëherazi infrastrukturën mbështetëse që është në dispozicion të artit, si edhe pavarësinë e statusit të aktorit, i cili konsiderohet si punëtor me mëditje.

Ne kemi besim se argumentet e parashtruara në letër do të merren në konsideratë për të mos pranuar këtë Ligj në Parlament, në mënyrë që Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera përgjegjëse të fillojnë punën për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në interes të të gjithë grupeve të interesit, qytetarëve dhe interesit publik në tërësi. Si përfaqësi e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, paralajmërojmë se nëse deri ditën e Premte, kemi një reagim mbi këto kërkesa, atëherë trupa teatrore, artistët, aktivistë dhe qytetarë të legjitimohemi që ta uzurpojmë godinën e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, si të vetmen formë që zëri ynë të dëgjohet. Urojmë në mirëkuptimin tuaj, dhe jemi në pritje të një përgjigjeje.

Përfaqësia e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet