“Prodhimet bujqësore janë jashtë kontrollit, hormonet përdoren pa masë”

Ekspertja e bujqësisë analizon pamundësinë e fermerëve shqiptarë për të përfituar nga subvencionet dhe grantet, pasjen e vetëm një Agropike funksionale në Fier dhe mungesën e kontrollit të prodhimeve që dalin në treg.

Sofia Roça

Rihapja e granteve dhe e skemave të kompensimit nëpërmjet fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare janë një mundësi e shumëpritur gjatë gjithë vitit jo vetëm nga kompanitë që operojnë në sektorin e agrobiznesit, por kryesisht nga fermerët të cilët i shohin ato si një mundësi për të rritur kapacitetet e prodhimit, modernizuar teknologjinë e mbi të gjitha për të përmirësuar produktet dhe sigurinë ushqimore. Në një prononcim për Shekulli-n ka folur ekspertja e e çështjeve bujqësore Esmeralda Ballesha.

Cfarë është programi IPARD?

IPARD – Është një instrument për asistencë para-aderimit, i përdorur nga Bashkimi Evropian për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale si dhe në përgatitjen e tyre për zbatimin e politikave dhe ligjeve të BE-së. Ky fond ka qenë aktiv me 3 thirrje deri në vitin 2014 dhe ka ndaluar së funksionuari për disa vite për shkak të përthithjes së dobët nga biznesi i këtij granti përgjatë 3 thirrjeve të para. Nga Ministria e Bujqësisë u deklarua se për sektorin e bujqësisë do të jenë disponibël deri në vitin 2020 një fond prej  95 milionë Euro, nga të cilat 71 milionë Euro financohen nga BE dhe 24 milionë Euro nga qeveria shqiptare. Baza e këtij fondi do të jetë si dhe në vitet e kaluara, rritja e konkurueshmërisë nëpërmjet përmirësimit të standarteve të sigurisë ushqimore.

U fol për grande dhe subvencione në muajin janar nga Ministria e Bujqësisë por fermerët nuk janë të kënaqur. Pse? A ka kushte për aplikim nga fermerët?

Flitet që këtë vit fondet do të jenë më të mëdha. Këtë vit do ngrihen disa Agropika nuk e di sa efektive do jenë, eksperienca e vitit të kaluar ka treguar se fermerët nuk kanë qenë të kënaqur me asistencën e dhënë nga specialistët e fondeve, ka patur disa problematika është folur për korupsion. Por ajo që duhet të bëjë qeveria është që të informojë më shpejt fermerët për kushtet që duhet të përmbushin. Qeveria duhet të jetë më aktive për të informuar fermerët sepse për fermerin e vetmja mundësi është Agropika për informacion gjithashtu dhe ëebsit-e, por ai duhet të jetë i azhornuar në kohë reale. Normalisht nuk mundet që një fermer për një muaj të bëjë gati gjithçka që duhet për aplikim. Sepse janë një sërë kriteresh.

IPARD-i kërkon një plan biznesi të mirëfilltë dhe nuk është kaq e lehtë për ta përgatitur. Përshembull, në rastin kur fermeri do blejë një frigorifer apo një makineri bujqësore duhet të krijojë kontakte paraprake se ku duhet ta blejë atë. Duke qenë se fermeri është i detyruar që produktin ta blejë të ri, atëherë gjëja e parë që do bëjë është që do studiojë tregun për të marrë ofertat më të mira dhe më të leverdisshme. Por kjo procedurë zgjat edhe me muaj të tërë, kemi patur një në aplikimet e meparshme të IPARD që janë dashur plot 8 muaj për të blerë makinerinë dhe fermeri ka humbur për këtë arsye aplikimin. Duhet të bëhet një lloj monitorimi sa fermerë kanë vajtur tek këto Agropika që për momentin vetëm 1 është totalisht funksionale dhe 4 të tjera sapo janë hapur, sa janë informuar fermerët nga këto pika, pra duhet të jetë në monitorim i vazhdueshëm nga qeveria. Ne e dimë që përgjithësisht për kanalizime, për sera,  për mbarështimin e gjedhëve, për fermat organike, për frutat e thata, ka çdo vit subvencione nga skemat kombëtare por duhet të flitet me detaje, specifikohen saktësisht paraprakisht se cilët janë nënsektorët në fokus që në fillim pra duhet të kishte filluar që tani se cili është dokumentacioni që duhet të dorëzojë fermeri. Skema e organizimit ka shumë probleme. Duke filluar që nga informimi

që u bëhet fermerëve.  Nuk mund t’u lësh fermerëve vetëm një muaj aplikim dhe mbi të gjitha një herë në vit, sistemi do funksionote ndryshe dhe do ishte më tepër efektiv dhe do vinte më mirë në ndihmë të fermerëve nëse do hapej 2 herë në vit, pra në muajin Prill dhe Qershor dhe të paktën të rrinte i hapur 3 muaj aplikimi për fermerët. Kështu që është shumë e rëndësishme që fermeri të ketë informacion para se të hapet aplikimi sepse ndonjëherë edhe ne që jemi ekspertë jemi në terr informativ deri në momentin e shpalljeve zyrtare.

Sa janë shanset reale që këto fonde të përthithen nga operatorët e sektorit bujqësor?

Shkaku primar dhe më i rëndësishëm përse nuk i aksesojmë këto fonde pavarësisht nevojës shpeshherë jetike që kanë bizneset bujqësore dhe fermerët ngelet informaliteti i lartë që ka zaptuar fort këtë sektor. Zbutja e këtij fenomeni ka qenë shumë pak e dukshme gjatë viteve të fundit, ku shifrat kokëforta tregojnë për një regjistrim dhe jo formalizim real të subjekteve që operojnë në bujqësi.

Mospatja e dokumentacioneve ligjore dhe financiare, me raste dhe bazike e bën të pamundur aplikimin në këto skema.Problem tjetër ka qenë veçanërisht në skemat kombëtare burokracia e lartë për përgatitjen e dokumentacionit dhe ankesat e shpeshta të ngritura nga fermerët për pagesa nën dorë për ‘ndihmesat’ në realizimin e dosjes të ofruara këto nga ana e administratës. Koha e shkurtër e aplikimit e vënë në dispozicion është një tjëtër faktor i cili ka penguar në aplikim ose dhe në fitimin e granteve, ky faktor përkeqësohet nëse mbajmë në vëmendje që dokumentacionet mbështetëse të cilat tërhiqen në institucione të ndryshme publike duan një kohë të gjatë të vihen në dispozicion të aplikuesve, me vonesa dhe pengesa nga më të ndryshmet të cilat i bën (veçanërisht) fermerët të dorëzohen ose të tërhiqen nga ideja për të aplikuar, duke vlerësuar dhe shpenzimet operacionale që ka gjatë plotësimit të dosjes se aplikimit per grant.Një tjetër problem, dhe ky po aq i rëndësishëm sa të mëparshmit, është ai i pronësisë së tokës ku realizohet investimi, kusht ky i domosdoshëm, veçanërisht nëse aplikohet në skema ndërkombëtare si SARED ose IPARD.

Në ç’kushte është bujqësia sot dhe produktet që blejmë? Vazhdimisht ka ankesa për përdorim masiv të hormoneve dhe pesticideve. A ka kontroll të tyre në treg?

Këtu nuk ka asnjë lloj kontrolli.  Së pari ne kemi kompani të papërgjegjshme që shesin produkte jashtë standarteve. Ekzistojnë investitorë të huaj që donin të investonin në Shqipëri për produkte që ishin në ndihmë të fermerëve qoftë kjo për pjesën organike qoftë për pesticidet dhe hormonet dhe ishte shumë e vështirë për ta për të hyrë në treg, sepse pikërisht këto pika që aktualisht operojnë në Shqipëri janë shumë të fuqishme dhe është shumë e vështirë që të hyjnë kompani të mirëfillta dhe serioze të huaja, sepse kostot e tyre janë shumë më të larta. Kompanitë këtu e shesin më lirë farën dhe cilësia është shumë e dobët. Për të marrë një produkt të mirë, të mirëfilltë,  një hormon  të cilësisë së mirë, çmimi është shumë më i lartë sesa ato që shiten sot në tregun shqiptar. Cilësia e asaj që ne konsumojmë është ë papranueshme për organizmin e njeriut pikërisht nga përdorimi pa masë i këtyre hormoneve që janë të cilësisë së ulët dhe duke ditur që fermerët tanë e kanë më të vështirë nga ana ekonomike për ta blerë më shtrenjtë e shikojnë që është më e lirë dhe e marrrin atë.

Si është bujqësia sot në raport me kushtet mjedisore ku operojnë fermerët, kushtet e punës, mirëqënia e bimës?

Fermerët nuk janë të informuar mirë se si t’i përdorin ato hormone që përdorin sepse mungojë trajnime. Problemi më i madh që kanë fermerët është për faktin që agronomët që operojnë ashtu siç duhet nëpër rrethe, nuk arrijnë dot që t’i ndihmojnë ata për të përdorur përqëndrimet e duhura të pesticideve dhe hormoneve në produkt.  Ka patur raste konkrete në vreshtari, që janë djegur vreshtat sepse janë përdrur më tepër pesticide se ç’duhej ose sepse fermeri ka përdorur një pesticid për produktin e gabuar. Agronmët që dalin nga bankat e shkollave aktualisht janë më shumë të orientuar drejt shkollës sesa terrenit. Tani bujqësia është kthyer në shkencë nuk është më si më përpara që ti e mbjell pemtoren dhe pret që  të ta rrisi zoti. Tanimë aplikohen të gjitha llojet e formave që të mund të prodhohet gjithçka kudo, kështu qe duhet që këto drejtoritë rajonale të jenë efektive, që veterinerët  dhe agronomët atje jo vetëm të kontrollojnë por edhe të informojnë fermerët, duhet të ketë trajnime të vazhdueshme se cilat janë hormonet që duhen përdorur dhe përqëndrimet e tyre që janë pjesa më e rëndësishme. Tani ne duam që të hyjmë në bashkimin europian dhe nëse këta fermerët tanë nuk arrijnë dot që të përdorin përqëndrimet e duhura jo vetëm që nuk do kenë një produkt të mirë por nuk do arrijnë ta shesin produktin jo më brenda vendit por as jashtë vendit.

Kur të gjitha fondet e lira në ekonomi po tentohen të investohen në bujqësi zhvillimet brenda sektorit nuk e reflektojnë këtë rritje. Për çfarë arsye ndodh kjo?

Nëse bëjmë një analizë subvencionet që kanë qenë tek IPARD-i  në 3 thirrjet e para vetëm 35% e tyre kanë qenë të përthithura, pra ka patur një vështirësi të jashtëzakonshme dhe të madhe që të përfitoheshin keto fonde. Ato fonde u morën vetëm nga industria dhe nga kompanitë e mëdha që janë shumë pak në numër dhe nuk përfituan fermerët, normalisht pjesën më të madhe ne i kemi fermerë, nuk i kemi industri. Kjo ka qenë arsyeja që kemi një reflektim më të ulët në ekonominë shqiptare. Filtet që ka një rritje, por rritja porporcionalisht nuk është kaq e madhe duke marrë parasysh edhe rajonin. E krahasojmë veten me rajonin sepse na ka rastisur që të jemi në një rajon shumë konkurrues, sepse kemi vende që na rrethojnë si Maqedonia apo Serbia që janë vende të cilat japin shumë pjesë të buxhetit të tyre pikërisht për bujqësinë.

 

Të tjera

Abissnet