Probleme me “WhatsApp”? Ja çfarë ka ndodhur

Publikuar më 03. 11. 2017 nga Elidona Syla

Dita e sotme ka nisur me panik rreth botës, pasi “WhatsApp” nuk funksiononte në mëngjes. Aplikacioni më i përdorur në të gjithë botën nuk punonte përreth 40 minuta.

Njerëzit nuk mundeshin që të dërgonin mesazhe teksa serveri vazhdonte të tregonte “connecting” (duke u lidhur).

Ndërkaq, nuk dihet ende se cilat janë shkaqet, teksa njerëz të ndryshëm kanë komentuar në rrjetin social “Twitter” lidhur me këtë anomali të kompanisë në pronësi të “Facebook”.

““WhatsApp” nuk punon dhe të gjithë po shkruajmë në “Twitter”; nuk mund ta imagjinoj çdo të ndodhte nëse dhe “Twitter” nuk do të punonte”, shkruan një person në llogarinë e tij në “Twitter”.

Vetë kompania konfirmoi më herët se është duke punuar për të zgjidhur problemin, pa bërë të ditur çfarë ka ndodhur. Anomalia goditi Europën, përfshi dhe Shqipërinë, dhe zona të Malajzisë dhe Indonezisë.

Njerëzit nuk mund të fshijnë apo të redaktojnë foton e tyre, apo të përditësohen me informacionet në “WhatsApp”.