Prishja e banesave në Shkozë, banorët përleshen me policinë

Unaza e Re, nis prishja e banesave në Shkozë. Tensione dhe përplasje mes IKMT-së, policisë dhe banorëve të zonës. Të prekurit kërkojnë dëmshpërblime, disa ngujohen në banesa

Enida Vërça

Mëngjesi i djeshëm ka nisur me përplasje mes Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe banorëve të Shkozës, të cilët për orë të tëra kundërshtuan prishjen e banesave, të cilat preken nga projektit të Unazës Lindore të kryeqytetit. Rezistenca dhe përplasja fizike mes tyre nuk kanë mjaftuar, duke bërë që të shembet banesa e parë, nga 37 të tilla të cilat preken nga ky projekt. Ndërkohë që pritet të shemben edhe dy banesa të tjera, të cilat janë skualifikuar vitin që lamë pas nga procesi i legalizimit, shumë prej banorëve vazhdojnë të mos tërhiqen. Ata shprehen të revoltuar se nuk kanë qenë të njoftuar vetëm një natë para nga IKMT, duke bërë që të mos heqin asnjë nga orenditë e ndodhura brenda. “Ne jemi lajmëruar shumë vonë. Vetëm një natë më parë dhe nuk ka lanë kohë që të paktën të nxirrnim sendet nga shtëpia. Çdo gjë që pata e lashë brenda mureve të asaj banese, e cila pritet të hidhet në tok nga momenti në moment”, u shpreh një nga banorët e kësaj zone. Më tej shtoi se me prishjen e banesës, së bashku me familjen e tij, dalin në rrugë, pasi nuk kanë asnjë mundësi ku të jetojnë. “Këtë po bën kjo qeveri. Ku të shkojmë? Ku të përplasemi? Vetëm në rrugë, nuk kemi zgjedhje tjetër”, përfundoi ai.

Ngujimi

Pavarësisht tjerrjes, së IKMT-së dhe policisë, për të liruar banesat, të cilat më pas i hapini rrugën prishjes së shtëpive, banorët nuk pranuan. Shumë prej tyre u ngujuan brenda mureve dhe shumë të tjerë vëzhgonin fadromat nga tarraca e banesave. E tillë është familja Kalia. Merita Kalia, tregon se policia ka ushtruar dhunë mbi banorët që janë në mbrojtje të shtëpisë së tyre. Merita thotë se një punonjës i policisë i ka marrë me forcë bashkëshortin e saj, ndërsa vetë atë e ka gjuajtur me shqelm. “Shtëpia jonë është ende në proces gjyqësor, burrin ma morën dhe ma shtrinë aty përdhe dhe e morën me forcë. Djalin 3 vjeçar e kam çuar te mamaja ime, polici më ka qëlluar në këmbë me shkelm, shenja duket këtu. Unë po mbroj fëmijën tim, po kërkoj të drejtën e banesës sime. Dy duar për një kokë janë, ça mendoi ai zotëri, se nuk e gjejmë dot se kush është?! Ai ka motër, ka grua. Na kanë kërcënuar me arrestime, djemtë e rinj i dhunuan”, thotë ajo. Ndërkohë më tej ajo tregon se veprimi i IKMT-së është në shkelje të ligjit, pasi banesa e tyre është ende në proces gjyqësor, dhe nuk ka ende një vendim të formës së prerë për ta prishur atë.

Dëmshpërblimet

Sjelljet e IKMT-së, banorët e i kanë cilësuar mizore dhe barbare, duke kërkuar dëmshpërblim për banesat e tyre. Ata shprehen se prej vitesh kanë aplikuar për legalizimin e banesave të tyre dhe minimumi që mund të bëj qeveria është dëmshpërblimi. “Unë kam derdhur gjithë mundin e jetës, në këtë shtëpi. Prej vitesh kemi aplikuar për legalizimin dhe banesat tona janë në proces. Nuk e kuptoj si mund të prishen në këtë mënyrë? Me çfarë të drejte?A kanë lejuar ndërtimet në këtë zonë?A  i paguar taksa gjatë gjithë këtyre viteve? Atëherë si mund të na hedhin në mes të katër rrugëve, brenda pak minutave. Ku jemi këtu? Qeveria duhet me patjetër që të na dëmshpërblej. E ka për detyrë që ta bëj këtë gjë”, u shpreh një tjetër banorë.

Projekti

Unaza Lindore e kryeqytetit nis nga zgjatimi i lumit të Lanës pranë Maternitetit të Ri drejt Shkozës, për të kaluar deri në farkë ku bashkohet me kryqëzimin e hyrjes së autostradës Tiranë-Elbasan. Punimet do të përfshijnë edhe sistemimin e lumit të Lanës, i cili do të vishet me shtrat betoni, ndërsa skarpatat anësore do të gjelbërohen. Segmenti do të jetë i ndarë në dy karrexhata me nga 3 korsi qarkullimi secila, si dhe një korsi të dedikuar për biçikletat. Pamjet tregojnë se puna do të prekë edhe kryqëzimet dhe rrethrrotullimet ekzistuese, ndërsa në pjesën ku përfundon Unaza e Vogël dhe lidhet me Unazën e Madhe do të kemi një mbikalim mbi një rrethrrotullim. Paralelisht me Unazën Lindore, ARRSH po punon edhe për projektimin e Unazës së Madhe në pjesën veriore të qytetit, segment që lidh sheshin Shqiponja me zgjatimin e Bulevardit të Ri.

Mbështetja

I pranishëm në mbështetje të banorëve të cilët preken nga prishja e banesave, në zonën e Shkozës, ishte edhe ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi, i cili e ka konsideruar si sjellje ‘kafshërore’ aksionin për prishjen e banesave. Ai tha se nuk mund të prishet një banesë pa u dhënë vendimi i gjykatës. “Kjo është një kafshëri që ndodhin vetëm në diktatura. Ka vendim gjykate që thotë nuk mund të prishet shtëpia derisa të jepet vendimi i gjykatës. Përpara 3 vitesh janë prishur shtëpitë përgjatë Lanës. Ka nisur ndonjë projekt?” është shprehur Bumçi. Sipas Bumçit edhe Gjykata e Strasburgut i ka dhënë përgjigje kësaj çështje. Banorët duhet të dëmshpërblehen. “Gjykata e Strasburgut i ka dhënë përgjigje kësaj çështje: Thotë nëse shtëpia ka paguar taksa, i ka lidhur drita dhe uji atëherë shteti i detyrohet dëmshpërblim. Një sjellje kafshërore. Ky është më keq se tërmeti. Një qeveri e dhunshme që nuk pyet për të drejtat e njeriut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet