Presidenti i ri i Serbisë, Kosovën na e quan Serbi?!

Publikuar më 02. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Ky cilësim iracional dhe i gabuar historikisht, politikisht dhe ligjërisht i presidentit të sapoinaugurar Aleksandar Vuçiç, imponon këtë pyetje të pashmangshme për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar, po sikur presidenti Bujar Nishani të kishte deklaruar nga presidenca, ose nga parlamenti i Shqipërisë, se “Shumadia e Serbisë është krahinë e Shqipërisë”, a do të kishte reaguar Beogradi zyrtar? A do të kishin reaguar të të gjithë serbët brenda dhe jashtë Serbisë? A do të kishte reaguar BE-ja? A do të kishte reaguar OKB-ja? A do të kishte reaguar OSBE-ja? A do të kishte reaguar NATO-ja? A do të kishte reaguar Moska? A do të kishte reaguar Pekini? A do të kishte reaguar Uashingtoni ?

– Përgjigja është 100 herë “Po”, sepse ishte shkelur e drejta e  sovranitetit të Serbisë mbi territorin e saj, si dhe  parimet, normat dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe objektivat dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe rregullat dhe normat e sistemit juridik pozitiv ndërkombëtar, që garantojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, sigurinë, paqen, bashkëpunimin  dhe sovranitetin e shteteve si subjekte juridike ndërkombëtare. -E në rastin konkret të  paprecedent të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pse nuk reagoi askush nga  faktorët e theksuar relevantë ndërkombëtarë e as nga Shqipëria (as Presidenti, as Krykuvendari e as Kyreministri) dhe nga partitë politike shqiptare?!

Derisa Kosova figuron në Kushtetutën e Serbisë (2006), ky është rrezik dhe kërcënim  potencial për  sigurinë dhe për paqen evropiane dhe ndërkombëtare! Më 31 maj 2017,  në seancën solemne të Kuvendit të Serbisë,  presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dha betimin e tij, por me përmbajtje të vjetër përsa i përket Kosovës së Shqipërisë Etnike.

Këtë lloj paranoje të vjetër kolektive serbe ndaj shqiptarëve, Aleksandar Vuçiq e shprehu me këto fjalë: “ Betohem se  gjithë energjinë time do t’ia përkushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj, si dhe mbrojtjes e respektimit të ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Serbisë…” (http://ëëë.balkanuzivo.net/predsednik-polozio-zakletvu-u-zakletvi-spomenuo-i-kosmet-kao-deo-srbije/ ).

Që  në fillim, duhet t’ia përkujtojmë presidentit të ri Aleksandar Vuçiç, se me rastin e “leximit” të betimit të tij, ashtu sikurse ish-presidenti i tij, Tomsilav Nikoliç theu një rrenë të madhe, se gjoja “Kosova është Serbi”. Urime reprizimi i gënjeshtrës shekullore, por Kosovën shqiptare mund ta shihni vetëm ëndërr, asgjë më shumë, sepse gjatë 100 viteve të shkuara Kosova ishte vetëm një koloni e Serbisë, jo kurrfarë territori legjitimim e as legal.

Logjika e shëndoshë e thotë, sikur Kosova dhe pjesët e tjera të Shqipërisë Lindore (Nish-Kurshumli, Bllacë, Presheva, Bujanoci, Medvegja…) të kishin qenë territore serbe, mirëfilli Serbia nuk do të kishte pasur asnjë arsye, që t’i kryente disa gjenocide ndaj shqiptarëve (1878-1999), me qëllim që t’i pushtonte territoret indigjene të Shqipërisë Etnike.  Për realizimin e një strategjie të këtillë serbomadhe në dëm të territoreve  dhe të popullsisë shqiptare, Serbia me Slobodan Milosheviçin, me Vojsilav Sheshelin, me Tomislav Nikoliçin, me Aleksandar Vuçiçin, me Ivica  Daçiçin, me Zhelko Razhnjatoviiqn-Arkanin…, e me qindra e mijëra kriminelë të tjerë serbë kryen gjenocidin e fundit në Kosovë (1989-1999).

Mirëpo, këta çetniko-fashistët barbarë serbë e  “paguan shtrenjtë”, sepse e humbën përgjithmonë ish-koloninë e tyre  100-vjeçare-Kosovën (1912-1999), e cila, tanimë është shtet i pavarur dhe sovran, të cilën e kanë njohur 114 shtete të Kombeve të Bashkuara (shkurt 17 2008-2017).  Mirëpo, me gjithë krijimin e këtij realiteti të ri në Ballkan, Beogradi zyrtar, as Kisha Ortodokse Serbe me eksponentët e tyre militantë etnocentristë dhe nacionalshovinistë  kurrsesi të pajtohen me humbjen e luftës së tyre gjenocidale në Kosovë (1999), sërish po vazhdojnë me strategjinë e vjetër politike të regjimit të Slobodan Milosheviçit, që me çdo kusht Kosovën ta rikthejnë nën saçin e skuqur kolonialist të Serbisë së Madhe.

Kontraversat e Presidentit të ri  serb Vuçiq

Skurse “mesija” e tij Slobodan Milosheviçi, ka futur Kosovën në Kushtetutën e Serbisë (2006), duke e konsideruar si pjesë të pandashme territoriale të saj. Ndërkaq, në anën  tjetër, kërkon dialog paqësor me shqiptarët e Kosovës; –Betohet se, si president i ri, do ta rikthejë Kosovën në sovranintetin e Serbisë, në anën tjetër kërkon bisedime me palën shqiptare kinse për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

–Tha se “Serbia ka zgjedhur rrugën që ushtarakisht të jetë neutrale”, në anën tjetër, armatoset deri në dhëmbë me arsenal ushtarak dhe me aeroplanë “Mig” të Rusisë  së Vladimir Putinit.

–Premtoi se  “do ta mbrojë integritetin e Serbisë, dhe do të pranojë bisedime me shqiptarët e Kosovës, sepse në këtë mënyrë  i mbrojmë serbët në Kosovë dhe e ruajmë paqen”, në anën tjetër ka okupuar pjesën veriore të Republikës  së Kosovës, duke i dëbuar nga shtëpitë dhe nga banesat e tyre me forcë dhe me terror mbi  50 mijë shqiptarë.

-Vuçiçi rikujtoi sintagmën e vjetër politike false se :”- Dëshirojmë të jemi zot në shtëpinë tonë, të kemi të pajisur mirë armatën tonë-ushtrinë serbe.

Presidenti  i ri serb, do të jetë “zot në shtëpinë e tij”, duke e mbrojtur me një ushtri të fortë të Serbisë.

– Çfarë nonsensi ky, po nëse  Vuçiq me serbët e tij,  “janë zot në shtëpinë e vet”, atëherë, pse duhet të  jenë të mbrojtur nga ushtria e tyre aq madhe dhe e fuqishme, kur  ai thotë se Serbia, tanimë, është shtet neutral në kuptimin ushtarak?!

Presidenti  Vuçiç si Tito dhe si Milosheviçi

Me rastin e betimit të tij si president i Serbisë para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, më 31 maj 2017, Aleksandar Vuçiç, ndër të tjera ripërsëriti sloganin serbo-jugosllav të idhujve të tij, Tito dhe Milosheviç: “Tudje necemo, svoje ne damo”(“Të huajën nuk e duam, tonën se japim”.

-Vështruar në retrospektivën historiko-politike të marrëdhënieve të këqija serbojugosllave-shqipatre (1912-2017) kjo parullë false ishte dhe, edhe sot ka ngelur si “mollë sherri” mes shqiptarëve dhe serbomëdhenjve, sepse  është ndërrim teze  për shkak se  serbët pushtues ende ndodhen në tokën e huaj shqiptare, kurrsesi nuk mund të jenë zotërues të Shqipërisë Etnike dhe të shqiptarëve.

Prandaj, edhe presidenti i ri serb Vuçiç, duhet të mos jetojë me “ringjalljen” e këtyre tezave të  “tredhura” se gjoja “ serbët janë në shtëpinë e vet”, kurse shqiptarët në “janë shtëpinë e huaj”.  Kjo tezë pseudohistorike dhe gënjeshtër manipuluese politiko-propagandistike, kurrë nuk do bëhet realitet në Kosovë e as në viset e tjera të banuara me shqiptarë nën Serbi (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).

Serbia kurrë nuk do të integrohet në BE derisa Kosovën ta kosniderojë dhe trajtojë si pjesë të saj. Gjithashtu, lidershipi shqiptar i Kosovës, duhet të pezullojë çdo formë bisedimesh me Beogradin zyrtar për Kosovën, sepse Kosova nuk është pjesë territoriale, as administrative e as shtetërore e Republikës së Serbisë, edhe Kushtetuta dhe presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, thonë se “Kosova është territor  i Serbisë”!

“Vula” e betimit e Vuçiçit, e kobshme për Serbinë dhe për Ballkanin!

Prologu i  betimit të presidentit të ri të Serbisë, Akeksandar Vuçiç: “Kosova është Srbi” dhe  epilogu: “…Mjaft jemi varrosur nëpër Ballkan, koha është që të lindidm”.

( http://ëëë.b92.net/info/vesti/index.php?yyyy=2017&mm=05&dd=31&nav_category=11&nav_id=1266624).

Pjesa  hyrëse e këtij betimi jo vetëm se është absurde, por edhe e dënueshme sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare, sepse  Serbia  nuk ka kurrfarë të drejte, që Kosovën ta sanksionojë në Kushtetutën e vitit 2006, si pjesë territoriale të saj, e as Presidenti i ri serb Vuçiç,  të “betohet”  para serbëve, se Kosovën, do ta “rikthejë nën Serbi” mbase Kosova është shtet i pavarur dhe sovran  i shqiptarëve dhe I Shqipërisë Etnike.  Derisa Serbia dhe serbët vazhdojnë “këngën e vjetër” të miteve të tyre mesjetare, se “Kosova është serbe”,  varret do të ngelin të hapura jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha territoret shqiptare, të pushtuara nga elementi  kolonialist sllav.

Ndërkaq, pjesa përmbyllëse e këtij betimi të Vuçiqit, logjikisht është e pranueshme, sepse vërtet, ka ardhur koha e fundit që serbët të kuptojnë dhe të rivetëdijësohen se me viktima, me varre, me gjenocide, me luftëra të padrejta për t’i shfarosur shqiptarët dhe për t’ua pushtuar dhe kolonizuar territoret e tyre, dot  nuk mund të krijohet kurrfarë pajtimi me shqiptarët në Ballkan.

Përkundrazi, varret do të ngelin të hapura, ndërsa lindjet dhe paqja, do të ngelin vetëm  utopi e shkretë e presidentit të ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe  të pushtuesve kolonialistë serbë. Nuk do të ketë pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve  në Ballkan derisa Serbia nuk e njeh Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Gjithashu, Prishtina zyrtare, duhet të pezullojë çdo dialogim me  Serbinë derisa  presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kuvendi dhe qeveria e Serbisë, të mos e heqin Kosovën nga Kushtetuta e Republikës së Serbisë (2006).  Këtë e kemi kërkuar që nga viti 2006, kur Kuvendi i Serbisë e miratoi Kushtetutën e theksuar, ku Kosova figuron “si pjesë përbërëse territorial e Republikës së Serbisë”.

Nëse presidenti  i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dëshiron të jetojë i qetë dhe “zot” në shtëpinë e tij në Serbi,  jo kursesi “zot” në shtëpinë e shqiptarëve në Kosovë e gjetkë, të kroatëve apo të myslimanëve boshnjakë, atëherë, pikësëpari, duhet ta njohë Republikën e Kosovës (17 shkurt 2008), si dhe t’i normalizojë marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë dhe  me myslimanët boshnjakë të Bosnjës, duke revizionuar strategjinë hitleriane lebensraum të Serbisë së Madhe të Ilia Garashaninit (1844); strategjinë e “tokës së djegur” të Slobodan Milosheviçit dhe  doktrinën e rrezikshme të ish-akademikut, shkrimtarit dhe babait  të kombit serb, Dobrica Qosiç: “ Të gjithë serbët kanë të drejtë të jetojnë në një shtet të përbashkët, kufijtë e të cilit bazohen në dogmën e instinktit territorial, aty ku është një varr serb, është Serbia”.

Nëse nuk varrosen këto strategji paranojake dhe fashistoide të Serbisë, lidershipi politik i Beogradit me presidentin Aleksandar Vuçiç në krye, do ta ketë të pamundur, që ta realizojë doktrinën e tij parashikuese për  t’u integruar në BE, në NATO, si dhe  për t’u pajtuar me shtetet fqinje në Ballkan.  Duke qenë se jetojmë në vlugun e bashkëpunimit, të  paqes  dhe të demokracisë evropiane të shekullit XXI,  liderët politikë dhe shtetarët serbë, duhet të mendojnë seriozisht dhe të veprojnë urgjentisht, që Serbia të heqë dorë dhe të përshëndetet përgjithmonë nga opsioni i luftës me fqinjët,  me qëllim të zgjerimit koheziv dhe permanent të kufijve të Serbisë së Madhe për të pasur dalje në Detin Adriatik.

Ky opsion i gabuar, Serbisë i kushtuar shumë shtrenjtë (duke i humbur të gjitha betejat dhe luftërat agresive pushtuese), që nga luftërat ballkanike (1912-1913), kur në emër të çlirimit të territoreve të saj, së bashku me Malin e Zi pushtoi, kolonizoi dhe aneksoi territoret autoktone të Shqipërisë Etnike.

Kjo është tragjedia ballkanike, që edhe sot në shekullin XXI,   elita intelektuale dhe  politike serbe nuk do të ballafaqohet me të, në mënyrë që të lirohej nga obsesioni dhe paranoja kolektive e  “instinktit primordial”, i cili në mungesë të vetëdijes gjithee nacionale serbe, ishte faktori kryesor  i shpërthimit të tri luftërave gjenocidale të Serbisë kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës(1990-1999).

Sa më sipër, si presidenti i ri Aleksandar Vuçiç, ashtu edhe e gjithë Serbia dhe serbët, duhet të mbajnë parasysh faktin se Kosova kurrë  nuk ka qenë serbe, dhe kurrë nuk do bëhet serbe e as e Serbisë, por vetëm e shqiptarëve dhe e Shqipërisë Etnike.

Kjo është e drejta natyrore, historike, kombëtare dhe ndërkombëtare e Kosovës shqiptare. Ndryshe, kush   cenon këto të drejta, është në luftë të hapur me shqiptarët. Kjo vlen edhe për ata shqipfolës filoserbë, që me  “kombin kosovar” dhe me “gjuhën kosovarsishte”, janë bërë aleatë të Serbisë kolonialiste për  zhbërjen e kombit shqiptar dhe të gjuhës shqipe.