Preç Zogaj: Koncentrati im janë lirikat e dashurisë!

Publikuar më 04. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Poeti dhe publicisti Preç Zogaj promovon librin me poezi “In love”. Në njëqind e një poezi dashurie poeti ka thurur vargje ndjenjës më të lartë njerëzore. Natasha Lako, Rudol Marku, Zija Çela dhe Agron Tufa vlerësojnë guximin e Preçajt, për të mbajtur gjallë poezinë shqipe.

“In love në mes të dimrit, Tiranës/ Krejt i harruar prej lajmeve, bashkëkohësisë, duke parë andej këndej çfarë u zhduk përpara se të shihej, duke u rrotulluar në vend majtas, djathtas, me shumë kujdes, me shumë vëmendje, mos me u duk i marrë dhe me kap/hyjnoren fishkëllim të Mozartit. Sapo u nda nga trupi im që po dridhet si kordë, si gjethe, si kitarë”. Poeti dhe publicisti Preç Zogaj me këto vargje i këndon dashurisë, ndjenjës më të lartë njerëzore, pa të cilën askush në jetë nuk do të bënte dot. Vet Zogaj, kishte zgjedhur që dje gjatë promovimit në panel të ishte përkrah poetes Natasha Lako dhe shkrimtarit Rudolf Marku jo më kot. Të dy njerëz të letrave shqipe, të cilët kanë shkruar dhe përkthyer për këtë temë shumë vargje.

Ndërsa, profesor Gëzim Basha, i cili prej disa vitesh jeton edhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë jo vetëm zbërthimin e njëqind e një poezive të dashurisë të Zogajt, por edhe një profil të plotë të krijimtarisë së poetit, i cili vargjet e para i botoi në mesin e viteve ’80. “Poezia është bërë për të komunikuar në vetmi me secilin, por kësaj here jemi bërë bashkë për të shprehur mirënjohjen karshi njëri-tjetrit. Në një moment të gjithë përqendrohemi te koncentrati që duam dhe mua më duket se koncentrati im është poezia lirike e dashurisë”, u shpreh Zogaj dje gjatë promovimit, duke dashur që vlerësimet për librin e sapobotuar, kësaj here t’i bënin njerëz të tjerë të fushës së letërsisë.

Rudolf Marku: Në poezinë e Preçit gjen mahnitjen, ngazëllimin, por edhe pasigurinë

Për shkrimtarin Rudolf Marku poezia e dashurisë në një farë mënyre është poezia për poezinë, sepse ai mendon se vet akti i krijimit është një akt dashurie. “Të gjithë poetët në botë nuk i kanë shpëtuar joshjes për të shkruar poezi dashurie. Në traditën evropiane poezia e dashurisë është konflikti mes tundimit seksual ndaj femrës dhe përjetimeve shpirtërore. Nga ky konflikt lind edhe tensioni metafizik që krijon dhe poezinë e dashurisë”, shpjegon shkrimtari. Marku shprehet se te vargjet e Zogajt në mënyrë të natyrshme trishtimi vjen si një element në poezinë e dashurisë. “Poezia e Preçit është një poezi e zbulimit për herë të parë. Prandaj mund të them se edhe poezia e tij, është një zbulim, ose krijim për herë të parë i universit. Mahnitja, ngazëllimi në të njëjtën kohë, por edhe pasiguria, të gjitha në kompleks janë në poezinë e Preçit”.

Natasha Lako: Poezia e njohjes, e penetrimit edhe e akteve, forca e madhe emancipuese që ne kemi

Poetja Natasha Lako gjatë promovimit rikujtoji Jul Varibobën, për të cilin u shpreh se do të duhej që në vendlindjen e tij, të ngrihej një monument për të, pikërisht, sepse është një nga poetët që ka shkruar vargjet e para për dashurinë (të lëna në shënim në letërsi). “Tani që kanë kaluar rreth 300 vjet prej vargjeve të Varibovës, kemi në duar poezitë e dashurisë nga Preç Zogajt. Gjithçka që ndodh në Shqipëri është një katarakt (ujëvarë), që ne e shohim ose jemi pjesë e tij. Pikërisht në këtë katarakt shqiptar petalja e bukur e dashurisë për mendimin tim është shpëtimtarja”. Poetja mendon se sot poezia e njohjes, e penetrimit edhe e akteve është forca e madhe emancipuese që ne kemi. Sipas saj, kjo është arritur, falë poezisë popullore shqiptare edhe në poezive të krijuara nga poetët shqiptarë ndër shekuj, si një instinkt të brendshëm dhe humanist.

Zija Çela: Zogajn poet nuk e ka vrarë politika

Zija Çela rrëfen se poezitë e para të Zogajt i ka lexuar në mesin e viteve ’80. “I lexova poezitë dhe nuk e di se përse më erdhi në mendje tambli (qumështi). Nuk e dalloja dot se përse ishte ndryshe nga të gjithë tamëlet, që kisha provuar më herët. Jo thjesht në shije, por nga aroma, dukej sikur vinte nga thellësia e pyllit dhe kishte pasur mundësi që të grumbullonte për vete çdo aromë. Kjo ‘Drenusha’ e atëhershme ishte Preç Zogaj, kishte dhe vet një pamje prej drenushe, i kuq në fytyrë dhe i ambël. Edhe tani pas kaq shumë vitesh them se si dreqin me atë jetë politike që ka bërë, e kanë zënë dy saçma, por nuk e kanë vrarë si poet. Kjo na bashkon plotësisht me Rudolf Markun se, Preç Zogaj është poet i lindur”.

Agron Tufa: Vetëm shpirtra fisnik mund t’i kuptojnë lirikat e dashurisë së Zogajt

“Të shkruash në zhanrin më të epërm, që është poezia do të thotë të rrezikosh të biesh në banalitet. Edhe vetëm shpirtra fisnikë mund të japin prekje kaq të ndjeshme, siç janë lirikat e dashurisë së Preç Zogajt”. Tufa mendon se ky është koncepti, që ne duhet të kemi që t’i afrohemi kësaj lloj lirike, e cila ruan një esencë të lashtë folklorike, që duhet përpunuar, por edhe duhet pasur shumë susta për të ndjerë.

Biografi

Preç Zogaj (1957), shkrimtar, publicist, është autor i disa vëllimeve me poezi, si “Emrat tuaj” (1985), “E pakryer” (1987), “Njëri nga ata” (1987), “Vonesa” (1990), “A thua do të vish duke qeshur” (1989), “Shëtitorja” (1990),  “Finalja” (2004), “Pas Erës së Re” (2004) , “Gjallë unë pashë” (2007), “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë” (2010), “Fundi, një fëmijëri tjetër” (2013), “Ushtrimet e melankolisë” (2016) etj. Cikle të poezive së tij janë përkthyer italisht, spanjisht, gjermanisht apo frëngjisht. Vitet e fundit ka nisur të lëvrojë prozën.