Pranimi pa bujë i projektit ‘Kokëdhima’

Arben Rrozhani

Pak javë më parë, në një studio televizive, Koço Kokëdhima shprehej për partinë që themeloi dhe drejton prej prillit 2017: “ ‘Zgjidhja’ ka bërë një punë shumë të madhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik, për të vërtetën e vendit tonë dhe për t’u treguar shqiptarëve rrugën e daljes nga kjo gjendje e pashpresë. Ne kemi një narkoshtet të izoluar ndërkombëtarisht, qoftë nga pikëpamja diplomatike, qoftë nga pikëpamja ekonomike. Sot ‘Zgjidhja’ nuk ka prioritet luftën për marrjen e pushtetit. Ajo është e përqendruar në luftën për ndryshimin e sistemit dhe çlirimin e zgjedhjeve. Ky është objektivi kryesor i saj në këtë periudhë të historisë sonë”.

Kjo është e vërteta e partisë ‘Zgjidhja’, projektit ‘Kokëdhima’, tezave të hedhura prej fundvitit 2016, Paktit Kombëtar dhe Platformës së Lirisë dhe faktit se, në mungesë të projekteve të tyre, PS, PD dhe LSI i kanë marrë dhe po i bëjnë të vetat këto teza.

Le të bëjmë pak histori:

Në fund të shkurtit 2017, Koço Kokëdhima po bënte takimin e radhës në Durrës, pas disa takimeve të tjera me mbështetësit e ‘Zgjidhja’-s. Në nisje të fjalimit, shprehej: ‘Ironia qëndron në faktin se, në krye të luftës për zgjedhje të lira e të ndershme janë vënë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Ata sot ndihen të kërcënuar nga një sistem zgjedhor i ndërtuar nga vetë Berisha dhe Rama. Kodi zgjedhor që kemi në fuqi është pikërisht ai që la Berisha përpara 3 vitesh e gjysëm. Lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës edhe për faktin se gjatë këtij mandati nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i pastruar zgjedhjet e qershorit dhe për ta shëruar përfundimisht këtë kancer që nuk e lejon Shqipërinë që të ngrejë kokë’.

Gati dy vite e gjysëm më vonë ironia është me më shumë ‘ngjyra’. Berishës dhe Bashës i janë shtuar Kryemadhi e LSI-së, por edhe vetë kryetari i PS-së, Rama që flasin për zgjedhje të lira dhe për dorëzimin e administrimit të zgjedhjeve nga partitë: të gjithë kopjacë hileqarë në vjedhjen e tezave për Shqipërinë demokratike. Ashtu siç është edhe pjesa serioze e marrjes dhe shpërndarjes së ideve: përfaqësues të politikës, intelektualë, veprimtarë të shoqërisë civile dhe individë me peshë në opinion publik, që tashmë po zgjohen nga ‘letargjia’, ku kishin rënë, për të kuptuar se ishin pengje të një sistemi të marrë peng nga disa kryetarë partish të vjetra.

‘Dashuria’ e madhe e partive të vjetra për projektin e demokratizimit të vendit, shpërtheu sodomos pas disfatës së tyre në votimet e 30 qershorit 2019, me pjesëmarrjen historikisht të ulët, rreth 16 për qind, dhe një refuzim total që votuesit u bënë si qeverisë, por edhe partive të opozitës.

Tani kryefjala e përfaqësuesve tipikë politikë të tranzicionit shqiptar janë bërë vota e lirë, administrata zgjedhore jopolitike, votim dhe numërim elektronik, kthim pushteti te Sovrani…

A e duan këto këtë ndryshim dramatik dhe kërcënues për bashkësitë e tyre politikie, por të paevitueshëm?

Jo, nuk e duan, por do të duhet ta pranojnë, nëse duan të mbijetojnë.

Në janar 2017, PS-ja u shpreh zyrtarisht kundër votimit elektronik, kur pas 5 muajsh ishin planifikuar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit 2017. Katër vite me radhë, PS-ja anashkaloi atë që kishte kërkuar 8 vite në opozitë: votimin dhe numërimin elektronik, si mënyrë për të hequr nga duart e partive vjedhjen e zgjedhjeve. Koço Kokëdhima kishte nisur betejën publike qysh në nëntor 2016 për çmontimin e pushtetit absolut të kryetarëve të partive dhe kthimin e të drejtës së votës dhe të zgjedhjes së deputetëve, këshilltarëve dhe drejtuesve të pushtetit vendor te anëtarësia. Ai propozoi një projekt me pesë pika që do të modernizonin dhe pastronin zgjedhjet në Shqipëri. Ndryshe nga PS-PD që flisnin vetëm për një votim elektronik në disa vendvotime, duke e cilësuar thjesht si projekt pilot, Kokëdhima propozoi votim elektronik dhe numërim elektronik në qendrën e votimit; këmbëngulte për një administratë zgjedhore apartiake; një kontroll të rreptë dhe të plotë mbi financimin e zgjedhjeve; një kuadër masash ligjore që kriminalizojnë çdo shkelje në procesin elektoral, duke i cilësuar si përgjegjësi të rënda penale shit-blerjen e votave, manipulimin, trafikimin si dhe trajtimin si krime të rënda penale urdhrat që japin kryetarët e partive.

Këto teza të artikuluara nga Kokëdhima, copy-paste u morën nga Lulzim Basha për të motivuar dhe dizenjuar projektin e “Republikës së Re”, me të cilën luajti 3 muaj në ‘Çadrën e lirisë’, por që e shiti për disa poste bashkëqeverisëse me Ramën më 18 maj 2017.

‘Zgjidhja’ i bojkotoi zgjedhjet e 25 qershorit 2017 dhe u bëri thirrje partive të tjera të bënin të njëjtën gjë. Nuk dëgjuan dhe dështuan. Kokëdhima e shpjegoi shumë thjeshtë: ‘Sistemit ynë elektoral është pervers. Partive të mëdha u mundëson deputetë me 7-8 mijë vota, ndërsa të voglave nuk u mundëson asnjë deputet për shumë më tepër vota se kaq. Ato dështuan sepse nuk janë të përgatitura siç duhet, nuk kanë struktura, burime njerëzore, materiale dhe financiare, institucione, programe alternative qeverisëse, strategji e taktika të mirëstudiuara elektorale. Ato konkurojnë në kushte krejtësisht të pabarabarta. Shkuan në zgjedhje pa standarde dhe pa aftësi për t’u përballur me kurthet e pafundme që ju ngrenë Rilindja dhe partitë e vjetra’.

‘Zgjidhja’ i bojkotoi edhe votimet farsë të 30 qershorit 2019 dhe sërish u bëri thirrje partive të tjera, sidomos atyre të reja të mos bëheshin pjesë e farsës. Sërish nuk dëgjuan dhe tani ‘gjuajnë’ me ankimime në KQZ-në e PS-së fitoren me 107 për qind të kandidatëve të Rilindjes.

Tani edhe i superpushtetshmi, Edi Rama do ndryshimin e rregullave të lojës, të paktën në aspektin  propagandistik.  ‘Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Do duan apo s’do duan bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve që ikën, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore. Besoj edhe me mbështetjen e opozitës parlamentare”-deklaronte ai, gjatë fjalimit në Kuvend, të hënën e shkuar, më 8 korrik 2019.

Por kjo lojë mund të bëhet edhe nëse Rama dhe partia e tij nuk e do ndryshimin e sistemit. Atë mund ta imponojë opozita, nëse është e sinqertë në betejën për ndryshimin e gjendjes aktuale.

Në shtator 2017, PD-ja u duk se reflektoi ndaj apeleve të partisë ‘Zgjidhja’ se reforma zgjedhore është mëma e reformave në Shqipëri dhe se ajo duhet bërë me urgjencë. Ajo dorëzoi kërkesën për të ngritur një komision parlamentar ad hoc për Reformën Zgjedhore, me dy pika kryesore: shitblerjen dhe manipulimin e votës dhe votimin elektronik.

‘Zgjidhja’ e përshëndeti këtë hap dhe kërkoi nga Lulzim Basha dhe Edi Rama që të bëjnë “Mea culpa” publike për krimet elektorale që kanë bërë në Shqipëri PD dhe PS.

‘Zgjidhja’ paralajmëroi se nëse reforma zgjedhore do të mbetej në një kuadër bipartizan PD-Rilindje siç ka ndodhur në të kaluarën dhe nëse reforma zgjedhore nuk shoqërohej me një reformë rrënjësore të partive politike në Shqipëri, kjo përçapje gjysmake vetëm sa do t’i përkeqësojë zgjedhjet.

Ashtu siç edhe ndodhi.

PS-PD ranë dakort për të mos ndryshuar Kodin Zgjedhor, për të bërë ca retushime dhe mundësuar votimin e emigrantëve dhe e lanë reformën në fillim të rrugës.

‘Zgjidhja’ këmbënguli që objekt të reformës zgjedhore të ishin edhe: depolitizimi i administratës zgjedhore, sepse dy-tri parti nuk mund të administrojnë zgjedhjet ku garojnë edhe shumë parti të tjera dhe ku komisionerët e caktuar nga partitë shqyejnë votat; Pa demokratizim të partive politke nuk mund të ketë demokratizim të qeverisjes dhe të sistemit. Të hiqet me ligj monopoli që kanë kryetarët e partive për të caktuar kandidatët në zgjedhje, ndërsa u duhen prerë financimet partive politike që nuk do t’i caktojnë kandidatët për deputetë, kryetarë dhe këshilltarë bashkie me zgjedhje primare nga populli dhe përmes një procesi të garantuar me ligj.

Edi Rama nuk ka preferuar të flasë ende për këto tema të nxehta që çojnë në heqjen e pushtetit abuziv të kryetarëve të partive. Ndërsa Lulzim Basha, parimisht, është evaziv, i paqartë dhe i përgjithshëm. Më 7 mars 2019, Basha duke prezantuar një formulë për zgjidhjen e krizës politike, foli për anulimin e marrëveshjes Rama-Berisha të 21 prillit 2008 si dhe për një formulë që zbeh kompetencat e kryetarëve të partive.

Kokëdhima e përshëndeti këtë deklaratë të Bashës, edhe pse e cilësoi të pamjaftueshme. ‘Ai duhet të deklarohet prerazi e përfundimisht për barazinë e zgjedhjeve dhe për depolitizimin e administratës zgjedhore. Këtë që premton sërish Basha përpara shqiptarëve, unë ia kërkova zyrtarisht që në janar 2017, kur i bëra thirrje që të pranonte krimet elektorale që kishte bërë PD në të shkuarën dhe t’i bashkohej projektit të ‘Zgjidhja’ që kandidatët për deputetë të zgjidhen nga populli përmes sistemit të primareve”-deklaronte Kokëdhima. Dy ditë më parë, përmes një video-mesazhi Basha premtoi edhe në emër të partive të tjera opozitës se do të prijë aspiratën e tyre për ndryshim. ‘Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët’-shprehej ai. Pas tij, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, në një status në Facebook, mes të tjerave, shprehej: ‘Shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme…’.

‘Zgjidhja’ u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen rreth projektit të Paktit Kombëtar, për Reformën Zgjedhore dhe Kushtetuese me qëllim çlirimin përfundimtar të votës së lirë, procesit zgjedhor, parlamentit, qeverisjes dhe të vetë partive. Në aspektin deklarativ, të gjithë janë dakort. Mungojnë vetëm partnerët tanë ndërkombëtarë që e dinë shumë mirë të vërtetën se ende nuk bëjmë dot zgjedhje të lira e me standarde si në vendet e tjera të Europës dhe kanë në të pjesën e tyre të fajit.

Projekti ‘Kokëdhima’ tashmë është një realitet i pranuar gjerësisht, për t’i ikur sa më parë dramës së sotme. Sa më shpejt të zbatohet, aq më mirë është për të gjithë, veçanërisht për Shqipërinë. Ai ka paralajmëruar sistematikisht prej tri vjetësh: Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet