“PPP si gogol, pse në çdo rast?! Të paktën në institucionet kombëtare duhet të jesh ti si shtet!”

Nga Valeria Dedaj

Aktori Neritan Liçaj vazhdon që të jetë i habitur me filozofinë PPP (partneritet publik-privat). Ai mendon se të paktën institucionet kombëtare, duhet që t’i ndërtojë shteti vet. Liçajn e shqetëson shumë arroganca e pushtetit, që vendos vet për çdo gjë. “Projekti është i bukur si pasion, por nuk kishte kuzhinën, që i duhet teatrit për shfaqje”.

Zoti Liçaj, cili është mendimi juaj për projektin e Teatrit të ri Kombëtar?

E pashë nga televizori! Do kishte qenë më mirë ta kisha parë atje, por nuk pata mundësi. Kolegët e mi e panë dhe bën shumë mirë që e panë. Nuk kam asnjë lloj kundërshtie në lidhje me këtë, pasi jemi lënë disi në mjegull në lidhje nga deklaratat e mëparshme. Por, nuk doja të ndalesha tek projekti më shumë, se sa tek filozofia e tre P-ve, partneriteti Publik-Privat, që është kthyer në gogol në Shqipëri. Nuk e kuptoj se përse kudo duhet të përdoret kjo mënyrë qeverisjeje. Jo se jam kundër, por përse në çdo rast?! Pse duhen futur qoftet në Butrint, pse teatrin duhet ta ngrejë privati dhe t’i marrë ca metra. Dreqi e mori, nëse je shtet i fortë, të paktën tek kombëtarët duhet të jesh ti si shtet, tek stadiumi kombëtar, opera kombëtare, teatri kombëtar, galeria kombëtare, biblioteka kombëtare. Sepse, çuditërisht komoditetet për veten, këta qeveritarët tanë i kanë shumë të mira, për udhëtime në klas të parë etj. Dhe mirë bëjnë se u takon me meritë, se janë qeveritarët e vendit të tyre, por përse kur vjen puna tek arti dhe kultura, gjithnjë nuk ka lekë. Mua kjo më shqetëson.

A humbet në sipërfaqe TK?

Po, sipas projektit, po, humbet. Unë nuk jam arkitekt dhe s’mund të them, por ajo u pa dhe është evidente. Është e njëjta logjikë si tek stadiumi. Unë i bëj “dhuratë” ndërtuesit ca metra dhe ai më ndërton këtë. Përse të mos i mbajmë të gjitha metrat dhe e bën shteti vet. Maqedonia, një vend me probleme integrimi, kombësish, arriti që të bënte një Teatër Kombëtar. Vetë shteti me shpenzimet e veta, për të treguar që ne kemi një identitet kombëtar. Ndërsa, ne vazhdojmë me këtë logjikë absurde. Qeverisja jonë është e majtë. Kryeministri ynë është përfaqësues i një mazhorancës së majtë dhe në logjikën e së majtës duhet të jetë më pranë qytetarit, por kryeministri po qëndron shumë pranë biznesit. Mirë bën, çdo kryeministër duhet të mendojë edhe për biznesin, por jo vetëm për biznesin. Duhet të mendojë edhe sa çfarë duan njerëzit.

Komuniteti teatror do mbajë një qëndrim?

Patjetër që do ketë! Kryeministri bëri kërcënimin e radhës. U mësuam me një kryeministër që shantazhin, arrogant, që pret koka, jep ultimatume dhe fakt është që për njerëzit, kjo arrogancë u bë pak e tepërt. Nëse do isha pranë kryeministrit Rama do i thoja që të ndryshonte pak stil. Njerëzit duhen parë në sy e duhen dëgjuar. Duhen dëgjuar për atë që ata duan vërtetë dhe të vendosësh ti për gjithçka pa pyetur njeri, kjo nuk është e drejtë. Nuk mund të flas për hapa proteste, për këtë po bisedojmë si komunitet.

Çfarë mendoni për godinën, a ishte e përshtatshme për teatër Kombëtar?

Projekti në vetvete është shumë i bukur! Unë nuk e fsheh, më pëlqeu. Por, sa i përshtatshëm do të jetë brenda, kjo është punë tjetër, sepse edhe aty u fol pak si për “Turbinën”. Edhe për atë nuk u fol për xhepat skenikë, dekoret. Lartësi skene, pra infrastrukturën e nevojshme skenike. Dhe tek projekti i djeshëm që në pamje të parë dhe si koncept ishte shumë i bukur, nuk pashë detaje si tek opera, ku gjithçka ishte e detajuar në mënyrë profesionale. Flitej për salla provash, dhoma solistësh etj. Kurse, këtu për restorante, xhama dhe nuk u fol shumë për infrastrukturën e brendshme. Për këtë nuk jam shumë i qartë. Por nga jashtë ishte shumë i bukur, por nuk u fol për kuzhinën e prodhimit të teatrit.

Të tjera

Abissnet