Portieri i Kukësit merr ofertë nga Franca

Publikuar më 01. 06. 2017 nga pandeli

Enea Koliçi mund të largohet nga Kukësi për një aventurë në Francë.

Portieri që shkëlqeu në sezonin e fundit, duke fituar për herë të parë titullin kampion, ka marrë një ofertë konkrete me një pagë shumë joshëse.

“Panorama Sport” zbulon se skuadra e njohur franceze, Auxerre, që militon në Ligën e Dytë, i ka ofruar 12 mijë dollarë në muaj portierit pogradecar. Koliçi po kalon një moment të shkëlqyer në karrierën e tij dhe kampionati i fundit e konfirmoi më së miri.

Portieri ka një meritë të padiskutueshme në titullin e Kukësit, pasi gjatë kampionatit u bë shumë herë protagonist me pritjet e tij, duke shpëtuar në mënyrë të veçantë skuadrën në ndeshjet ndaj rivalëve direktë.

Ofertat për portierin janë shtuar së tepërmi dhe mësohet se ai që po punon për transferimin e tij jashtë Shqipërisë është ish-lojtari i Kombëtares, Edvin Murati, i cili bashkë me vëllanë e tij, prej vitesh udhëheqin një kompani të njohur menaxhimi për lojtarë.

Nga sa mësohet, kontrata e portierit me Kukësin është edhe për Kupat e Evropës. Kësisoji, aktivizimi në Champions me fanellën e verilindorëve do të jetë një bonus më tepër për pogradecarin.

Shanset që ai të rinovojë me Kukësin janë të pakta, megjithatë çdo gjë mbetet për t’u parë, edhe pse oferta e francezëve është shumë e lartë. Paga që Koliçi ka marrë te kampionët në fuqi të Shqipërisë është disa herë më e vogël në krahasim me ofertën që ka bërë Auxerri.

Drejtuesit e Kukësit duhet të mendojnë seriozisht për rinovimet, pasi pjesës dërrmuese të grupit aktual i përfundon kontrata në muajin korrik.

Bëhet fjalë për titullarë shumë të rëndësishëm, që kanë mbajtur peshën më të madhe në skuadër në sezonin më të mirë të historisë së Kukësit.