Policia masakron dhëndrin e Starovës para ndeshjes, ai i çon në gjyq

Policë agresivë pa ndonjë shkak të madh. Hera-herës ushtrojnë dhunë kur nuk duhet dhe, në raste të tjera, rrinë spektatorë kur shemben në dru arbitrat. Të patrajnuar për të menaxhuar situata specifike në stadium dhe rreth tij, të mërzitur për “angarinë” që u sjellin aktivitetet sportive, shpesh murmurisin ndër dhëmbë dhe ankohen për orët shtesë të punës që nuk u paguhen.
Kjo është ana tjetër e medaljes kur bëhet fjalë për sjelljen e uniformave blu karshi tifozëve. Policia krijoi një kolaps të vërtetë në ndeshjen Partizani-Teuta të fundjavës që shkoi, kur befas kërkoi, përveç biletës, edhe kartën e identitetit. Meqë një pjesë e vogël e tifozëve nuk e kishte me vete, u bllokua pothuajse e gjithë tribuna përkarshi.
Në fund, pati edhe shoqërime ultrasish në komisariat, si dhe dhunë ndaj atyre që kundërshtonin këtë ndryshim rregullash të minutave të fundit.
Një ndër viktimat e dhunës policore ka qenë edhe Gent Malaj, dhëndri i trajnerit të Partizanit, Sulejman Starova. Ai është paraqitur pranë stadiumit dhe, kur ka marrë vesh se biletat mund të bliheshin vetëm me kartë identiteti ose me tjetër dokument identifikimi, është nisur drejt makinës së tij për të marrë kartën e identitetit. Në atë moment, policët i kanë vendosur një kapuç në kokë dhe e kanë dhunuar barbarisht pa i dhënë ndonjë arsye.
Nuk dihet ende nëse ka qenë një keqkuptim i policisë dhe Malaj është ngatërruar me ndonjë tjetër, por ai ka përfunduar në rajon i shoqëruar. Menjëherë pas ngjarjes mësohet se Malaj ka marrë raportin mjekësor dhe po përgatit padinë për dhunën policore.
Duke qenë se është i pajisur edhe me pasaportë italiane, dhëndri i Starovës ka njoftuar edhe ambasadën e shtetit fqinj për dhunën që ka pësuar, duke pretenduar se ka qenë sulm i padrejtë dhe pa asnjë shkak. Ai ka kërkuar videot nga televizionet që janë gjendur aty afër në atë moment, me qëllim që të argumentojë se policia e ka keqtrajtuar pa asnjë shkak.

Të tjera

Abissnet