Policia bastis shtëpinë e vjehrrit të Klement Balilit

Nga Nikoleta Kovaçi

Nis operacion i ri për kapjen e Klement Balilit në vendbanimin e tij. Kontrollohet sa bie nata banesa e vjehrrit të tij po nuk gjejnë askënd, pasi dy të moshuarit jetojnë në shtëpinë e Balilit me të bijën. Akuzon Avni Veizi: bënë kontroll pa vendim gjykate. Do ta kallëzoj policinë se më kanë vjedhur gjërat me vlerë

Ndonëse prej më shumë se një viti ai është në kërkim ndërkombëtar si i kërkuar i drejtësisë greke në fakt, policia ka nisur kërkimet sërish në fshatin e tij dhe të gruas së tij për ta gjetur në ndonjë banesë. Edhe pse operacioni mësohet se ka nisur në bazë të informacioneve të mbërritura pranë policisë se Klementi është parë në zonat e Delvinës, kërkimet e djeshme nuk kanë sjellë ndonjë rezultat. Mësymja e parë ka qenë në shtëpinë e vjehrrit të Balilit. Po ndërsa policia ka kryer kontrollin, nga shtëpia e të kërkuarit, dy banorët e asaj shtëpie kanë reaguar për mediat duke lëshuar një akuzë të fortë për policinë.

Ka qenë vjehrri i Balilit që ka akuzuar policinë që i kanë vjedhur sende me vlerë në shtëpi gjatë kontrollit pasi në atë shtëpi nuk gjendej asnjë person. Dy të moshuarit mësohet se jetojnë në shtëpinë e Balilit me vajzën e tyre, e cila tashmë është e vetme me fëmijët e saj. Në fakt jo pak herë familjarët e Balilit janë ankuar publikisht për terrorin psikologjik që ushtrohet ndaj familjes së tij të afërt duke kryer kontrolle të njëpasnjëshme për arrestimin e tij.

Balili, i cili konsiderohet edhe si koka e trafikut ndërkombëtar të drogës është një prej personave më të kërkuar në vend, më shumë se sa për akuzat ndaj tij për sherrin që krijoi emri i tij i lidhur me elementë të veçantë të qeverisë së fundit. Po përveç faktit se Klement Balili është i kërkuar nga policia jonë dhe ajo greke, tashmë janë edhe një sërë procesesh tjera që po ndiqen nga familja e tij në lidhje me disa aktivitete private dhe për sa i përket bllokimit dhe vënies nën sekuestro të objektit luksoz “Santa Quaranta”. Familjarët kanë pretenduar se biznesi është i të gjithëve dhe jo vetëm i Klementit dhe se prokuroria dhe as gjykata nuk kishin të drejtë ta bllokonin.

Operacioni i djeshëm   

Është njoftuar se ditën e djeshme policia ka kryer një kontroll blic në banesa të ndryshme për të kapur Balilin. Ndalesa e parë që ka bërë policia mësohet se ka qenë në shtëpinë e vjehrrit të Balilit. Në atë shtëpi, bëhet me dije se që nga koha që Balili është në kërkim dhe është larguar në drejtim të paditur për policinë, nuk jeton asnjë njëri. Prindërit ë bashkëshortes së Balilit janë shpërngulur dhe jetojnë me të bijën dhe fëmijët në shtëpinë e Balilit në Sarandë ndërsa policia kur ka shkuar mbrëmë nuk ka gjetur askënd aty. Të zotët e shtëpisë kanë bërë me dije se policia ka hyrë në banesën e tyre pa asnjë vendim gjykate dhe pa qenë askush i pranishëm aty. policia bëhet me dije se pas kontrollit në atë banesë kanë kryer kontrolle edhe në disa banesa të tjera, familjet e të cilave janë miq të njohur të Balilit. Por sërish nuk kanë gjetur gjë, ose të paktën nuk është bërë publike të jetë kryer arrestimi i tij apo edhe gjetja e tij.

Por vjehrri i Klement Balilit, Avni Veizi ka reaguar lidhur me aksionin që ndërmori policia në banesën e tij, me qëllim kapjen e dhëndrit, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Veizi në një prononcim pohoi se policia zbarkoi në banesën e tij private në lagjen “Papuci” në qytetin e Delvinës rreth orës 17:20 minuta, ndërsa shtoi se po vijonte ende kontrolli ndërsa ai denonconte atë kontroll. Mes të tjerash ai akuzoi policinë për thyerje të banesës, pasi sipas tij ata janë futur në shtëpi pa vendim gjykate dhe pa prezencën e tij. Veizi tha se nga banesa i ishin grabitur sende me vlerë.

Kujtojmë se pak ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka nisur një letër-porosi autoriteteve greke në lidhje me Balilin. Krimet e Rënda mësohet se duan përgjigje për letër-porosinë e parë. Prokuroria kërkon të dhënat nga Greqia për mbylljen e procesit ndërkohë që gjyqi në Apelin e Krimeve të Rënda po shtyhet prej javësh, Klement Balili vijon të jetë në kërkim policor. Dosja hetimore ndaj tij vijon gjithashtu të jetë nën hetim në pritje të përgjigjeve nga Greqia, përgjigje që nuk dihet se kur do vijnë edhe pse prokurorisë i ka mbërritur një dosje me 10 mijë faqe me episode të shumta të trafikut të drogës që ka drejtuar vetë Klement Balili.

Kërkimet e Balilit

Dosja e penale e autoriteteve greke ndaj Klement Balilit që u vonua për më shumë se 20 ditë të përkthehej nga autoritetet tona solli një sërë episodesh në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës. Provat që Prokuroria greke ka siguruar për grupin e Balilit, tregojnë se trafikonte tonelata drogë në vit, drejt Bashkimit Europian.

Policia nuk i ka ndërprerë kërkimet për Klemend Balilin, i cilësuar nga autoritetet greke si “Eskobari i Ballkanit”. Burime nga uniformat blu bënë me dije se kërkimet për të do të vijojnë por jo në të njëjtën mënyrë si herën e parë kur policia u dislokua në jug dhe kërkonte përgjatë gjithë kohës në vende të ndryshme ndërsa më vonë edhe u akuzuan për nxjerrje sekreti, pasi një polic u dyshua se lajmëroi njerëzit e besuar të Balilit për operacionin. Në dhjetorin e 2016 policia organizoi operacione përveç Sarandës, Delvinës edhe në Gjirokastër. Po ashtu kërkimet janë shtrirë edhe në disa zona të tjera të vendit.

Kontrolle u ushtruan edhe në disa mjedise të qytetit të Durrësit, në Tiranë dhe në Ksamil, por pa sukses. Nga ana tjetër, të afërmit e 43-vjeçarit refuzuan të japin informacion për vendndodhjen e tij, disa herë ndërsa thuhej aso kohe se Balili qëndronte mes Tiranës dhe Delvinës i pa prekur nga askush. Për ato operacioni të dështuara aso kohe u tha se nisi hetimi i SHÇBA-së dhe u fokusua tek personat që kanë pasur dijeni për operacionet blic që u zhvilluan për kapjen e Balilit. Dyshimet ranë mbi policinë lokale, ndërsa për operacionin e djeshëm nuk ka asnjë të dhënë për dekonspirim edhe pse është ende herët të flitet për dekonspirim në radhët e bluve, pasi vetëm pak ditë kanë me një drejtues të ri policie!

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet