“Poetja vlonjate që derdh në vargje pikëllimin e humbjes së të afërmve”

Kritiku i artit Miho Gjini sjell historinë e shkrimtares Mimoza Eliona Osmani. Brengat njerëzore të humbjeve të mëdha të vlonjates që shkrihet në tre librat e saj për dramën komplekse të realitetit tonë shoqëror, si dhe trajtimi me mjeshtëri i figurës komplekse të femrës

Miho Gjini

(Mjeshtër i Madh)

Ka vite që ndjehet një frymë e pazakontë lirike në botimet e vajzave dhe të grave shqiptare, në një konceptim krejt të ri të Botës së tyre Shpirtërore, përmes marrëdhënieve të sotme të përparuara, jo vetëm jashtë temave tabu që lidhen me to, po edhe të konceptimit figurativ të lirikes poetike dhe të vetë figurës së tyre në evolimin social-shoqëror. Pa u ndalur në krijimtarinë poetike të femrave shqiptare, në vendin tonë, ku ato kanë fatin e lumë që të jenë pranë “syrit të vëmendjes” së gjithkujt, le të vemi pak më tej, paksa larg mëmëdheut, kur vajzave e grave tona u duhet që të shkruajnë edhe poezi, pas një pune të rëndë nëpër shtëpitë e vendasve, ndër punishte e fabrika, nëpër taverna, restorante e lokale te ndryshme që gëlojnë këtej, me orë e pa orë, aq sa  krijojnë atë drobitje të tejskajshme të kapitjes. E megjithatë, është e pamundur që të ndrydhet bota e tyre shpirtërore, shprehja e së bukures e dashurisë për vendin e tyre, për prindërit  e largët , për të dashurit  e zemrave të tyre, për ëndrrat e pafundme të jetës. Edhe pse disa krijuese të tilla në mërgim, kanë shkruar poezi të ndjera e kanë disa botime librash, mbi to rëndon, jo pak herë,  heshtja, indiferenca e mospërfillja e largësisë.

Këtë herë, do të bëjmë fjalë për një grua mërgimtare të vuajtur, që nuk iu ndanë asnjëherë plagët e vështira të jetës dhe që do të këndojë në  të tre librat e saj për dramën komplekse të realitetit tonë shoqëror, ku janë të mpleksura pazgjidhmërisht tre  motive kryesore: Zbulimi i plagëve sociale të mërgimit të detyruar; Brenga njerëzore e humbjeve të mëdha: dhe, e treta, Përballja e figurës së një gruaje, midis dashurisë dhe urrejtjes, midis erosit e rimëkëmbjes së saj morale. Dhe kështu, gruaja 48 vjeçare nga Vlora , që ka humbur në jetë gati të gjithë familjen, gjyshen, nënën , të atin dhe, së fundi, edhe motrën, dashurinë e saj të fundit, do të lerë gjithçka në vatrën e lindjes e të përhumbjeve të mëdha e do të kalojë kufirin  e shtetit të saj të shkatërruar që nga themelet për një jetë më të mirë, për pak buzëqeshje e dashuri njerëzore. Të tre librat që do të shkruajë Mimoza Eliona Osmani: “SIDORELA”, “KURORË HËNASH” DHE “VËSHTRIM MES SYVE TË SAJ” do të kenë të njëjtin shtrat poetik : jetën e vrarë me përdhunë që do të shpaloset gradualisht nëpërmjet dallgëve të egra të jetës tonë shoqëroro-politike, deri në gjetjen e vetvetes, në kërkim të dashurisë, si një shpresë e diell, kur vitet rrokullisen drejt humnerës.

Mërgimtarja e re

Ajo ka humbur bijtë e saj nëpër mote e ka mbetur si një “gur mbi varr” në vendin e saj, e cila e kërkon shpëtimin në një dhe tjetër, duke u rropatur, me fare pak gëzime dhe në një pritje të gjatë, për t’u rikthyer, pa mundur që të rikthehet asnjëherë! Në vargjet e këtij cikli të realitetit të ri e ndjen veten përsëri si në një vakum, me shpirtin e lodhur. E merr malli veç për çdo gur, për “plisat e arës”, duke u endur nëpër botë “shpirt verdhur” dhe gjithsesi e do prehjen atje, nën lisat e varreve të vendlindjes.( “Mall për vendin ku u linda,/Mall për babanë e për nënë që u linda,/Gjallë jeton lartë në një hënë”. Mirëpo në këtë vend tjetër , ku ka ardhur të rilindë shpresat e saj, mërgimtaren e re e vrasin dertet, malli i “bëhet dallëndyshe” dhe e sjell me mendje “esëll në “Kus-Baba”, me një “litarë rreth qafe me gogël/Nyje-nyje zgjidh me radhë/Se çdo nyje ka një plagë/E çdo plagë rrjedh të kuq gjak…”. Se, kjo grua, e re akoma, me ëndrra të vrara, është në kërkimin e ethshëm të një “çerdheje të ngrohtë”, nga ku “Zogjtë të mos shtegtojnë” më,  dhe, e mbetur në vend, të  mos pyesë veten.”Rregullohet mëmëdheu?/ Të Kthehemi aty?/Peshku është qelbur nga kreu,/Me thoni s’do qorri sy?!”.

Ky është edhe motivi kryesor që i përshkon tej e tej këto libra poetikë që, nëpërmjet një vendi  të huaj, autorja kërkon tragjikisht shuarjen e një malli në zemrën e saj që e ka të vështirë ta shuajë , sepse në këtë tranzicion tepër të gjatë e ndjen veten të rraskapitur e tani kthimin e mendon si një rrugëtim drejt varrezave të fshatit të saj në Risili, ku nuk do të dëgjohen më as krismat e 97-ës e as vdekjet e njëpasnjëshme e ëndrrat e vrara.  Se mendon që nuk do ta gjejë më as lisin që e ka mbjellë vetë, as pyllin e lëndinën tek mblidhte lule, as shkurret që patën grisur fustanin, as gjyshen që e përkëdhelte, nënën e babën dhe atë motër të shtrenjtë, që përbënte gjithë Botën e saj. Mërgimtarja thur tani vargje me një “fjongo të zezë” mbi krye! “Më bien çurg lotët si hi,-shkruan ajo/kur shoh atdheun (fustanin ) grisur/Nëse sia qepim as unë as ti /s’do hedh kurrë vellon e stisur!”

Brenga e pashuar e humbjeve të mëdha

Mungesa e qetësisë shpirtërore edhe në mërgim, tronditja e vazhdueshme dhe ato fije të padukshme të poetes, kanë një lidhje të përhershme  me humbjen e të afërmve në jetë, që reflektohen pambarimisht ndër vargje plot pikëllim. Së pari, spikat elegjia e nënës, e cila vjen si një monolog i një tragjedie të lashtë, ku aktorja –poete shprehet dhimbshëm: “Shshsht. Mos bëni zhurmë…Qetësohuni. Mos më vrisni heshtjen, të gjithë më janë vrarë. Ndaloni! Unë jam nëna…Këmishën e heshtjes kam marrë”. Ajo thotë më tej se “i ka mbetur ora” në këtë dhimbje universale, që do të shtohet e do të shumëfishohet, kur do t’i largohet edhe njeriu më i afërt i jetës e i moshës, motra, humbja e së cilës, do t’i japë, në të kundërtën, një impuls jete, energjie, qëndrese e force, për t’i dalë ballë jetës krejt e vetme, si të ishte një martire e shenjtëruar. Nostalgjia rrjedhëse e frymëzon të krijojë vargje të tilla sugjestive : “Nostalgji për ty, o motër/ shkaku që nisa të shkruaj/Ngjall imazhin malli yt/Si flutur ndalet pranë meje!”. Muza për ta shprehur dhimbjen e humbjen e madhe, vjen natyrshëm edhe si një protestë e heshtur, kundër pasojave të një realiteti të zymtë që përjetuam si komb, po edhe si protestë ndaj të gjithë ZOTAVE që “strehohen” lart në qiell! E këtë e bën  një grua e thjeshtë. Po, “S’jam thjeshtë një grua, jam dhe nënë,-shkruan ajo/Pa qenë unë s’do ishe as ti./Ti mund të më çosh në hënë/Unë të sjell përsëri”!

Bota komplekse e gruas

Poetja Mimoza Osmani e sheh dhe e shpreh figurën e femrës në të gjithë gamën e qenies e të veprimtarisë së saj në realitetin e gjerë shoqëror. E krahason atë me Diellin dhe me Yjet e qiellit, që u japin rrezatim drite gjithsesi edhe jetës njerëzore, po në trajtën më të epërme. Ajo e trajton atë si një burim të jetës, duke nënvizuar rolin e saj si nënë, si bashkëshorte dhe si vajzë e re, në rolin  e një Eve mitike që e lind jetën. Ka në të tri librat e saj një ndjesi sensuale të zjarrtë, kur Erosi zbret në shtratin e marrëdhënieve vajzë-djalë që ndezin atmosferën erotike . Në një poezi erotke për dashurinë. poetja shprehet se dashuria”s’pyet moshe, je plak a i ri/…Ajo vjen si Zog dhe ngre folenë/Ajo vjen si verë, kur  pi të deh/…Ajo vjen me vrull, venitet një ditë/Kur të zapton zemrën, jetoje me shpirt”…Në shumë poezi ajo flet me dallëndyshet , me zogjtë që fluturojnë, me yjet që ndrisin natën, me lulet e pemët që sapo çelin, me hënën që rrezaton mbi kryet e të dashurve, me dallgët që vijnë në breg, me thëngjijtë e zjarrit e deri me krateret e vullkaneve që janë gati të shpërthejnë dhe, me to, ndërton metafora të guximshme për figurën e vajzës e të gruas .”Shpirti i lirë s’flë gjumë,-shkruan ajo/Bëhet flutur nëpër erë/Ndërton diga nëpër lumë,/Bletë punëtore në Kosherë”. E, më tej akoma, do të pyesë veten:”A flenë ëndrrat ndonjëherë?!”. E përgjigjët po vetë:”Nëpër të shpirtit sirtare/Rrjedhin e nuk të lënë të plakesh/….Ëndrrat si yjet i mbledh, rreth gushe margaritarë,/E për shpresë diellin hedh,/Vezuvin të ndizen zjarr!”, për të shkrirë kështu akuj e ngrica… Pra, poetja Osmani, ka hedhur në këto libra, ndjenja të vrullshme që arrijnë nota të larta të shprehjes emocionale.

 Stili

Kushdo krijues krijon origjinalitetin e vet, përvetëson stilin e të shkruarit, metaforat dhe imazhet. Ajo shkruan kryesisht poezi me rrymë, ku zotëron më tepër poezia erotike, po edhe elegjia, poezia satirike dhe ajo humoristike, fabula, po edhe proza poetike e dendur me proverba jetësore. Përdor bukur motivet e vjershërimit popullor, duke ruajtur trajtën e tyre , po edhe duke i zhvilluar ca me tej.  Po ka rrallë-herë edhe vargje të lira, kur ajo del nga korniza e rrymës e shprehet më gjerësisht e jashtë kornizave të metrikës së rreptë. Ne rrafshin poetik të krijimtarisë së saj është e dukshme si vlerë freskie, poezia lirike, që spikat ca më shumë. “Mos vallë,-shkruan ajo,-në buzët e tua/kishe shtrydhur ndonjë shegë? I ziu unë t’u bëra ftua/Duke pritur, mbi një degë”. Ose, kur thotë:”Në një shpirt që përvëlohet/Nga një zjarr a nga një flakë./E di mirë kush afrohet/Të djeg si yll që larg/…Bëhu gur e behu eshkë/Ajo pjeshkë bëhet për ty./Afrohu të ndizet epsh/Bashkë mos lini gur, dy….”. Mandej, me një mjeshtëri të rrallë përdor vargjet e krijimtarise popullore, duke e përshtatur atë në vargjet e saj, jo si plagjiaturë, po si një “pikë mjalti” mbi të. Sikundër bën në poezinë ”Moj nepërka pika –pika”, ku krijon këtë përshtatje arti: “Një fustan me pika-pika/Kishe veshur atë ditë/Sa të pashë më zuri frika/ Se m’u duke si nepërkë!?”.  Edhe si metaforë është e bukur. Apo kur thotë diku tjetër:”Ndoshta keni peshë me halle/Halle gjer në prag të hënës”. Mbështetja e saj në poezinë popullore është një vlerë estetike e mirëfilltë. Rrjedh lirshëm ndër dejtë e saj, Dhe shkruan vetiu vargje të dala nga shpirti që, “as jepen “ e “as vidhen”,po që, “tërthorazi ndezin zjarre” e “ “bëhen dritë për të mos u tretur!” E është modeste kjo poete nga Risilia e Vlorës, kur thotë si mënjanë:”E di, s’jam poete e mirëfilltë/Se unë pas gishti dot nuk fshihem…Yjet muzë më dhanë në penë/Dritë për Dashuri  /Barut që plas gjinë!”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet