Po ndodh ajo që pritej me ekonominë

Zef Preci

Mbiçmimi i lekut shqiptar është përcjellë në shtypin dhe masmedian e ditës së sotme. Në një gjuhë më të thjeshtuar, kjo do të thotë se oferta monetare në Euro në tregun vendas po ecën shumë më shpejt se kërkesa për këtë monedhë. Dmth qeveria po ul koston e borxhit publik (pjesa në Euro) ndërsa po varfërohen me tej depozituesit e kursimeve monetare në bankat tregtare apo ato familje që mbajnë disa të holla mënjanë “për një ditë të keqe”. Gjithashtu, njësoj si në vendet e tjera që jane ndeshur me këtë fenomen në të shkuarën, pritet në periudhën afatmesme edhe ngadalësimi i mëtejshëm i rritjes ekonomike (në mos qysh gjatë ketij viti) dmth vitet 2019, 2020 e më tej, do të jenë edhe më problematikë sa i takon krijimit të vendeve të reja të punës, importimit të teknologjive bashkëkohore dhe në tërësi nxitjes së konsumit të brendshëm. Ky përkeqësim i gjendjes ekonomike të vendit, i shoqëruar me tkurrjen e të ardhurave buxhetore, do të detyrojë qeverinë që të zvogëlojë shpenzimet operative dhe sidomos investimet në arsim, shëndetësi, etj., por kurrsesi të prekë fitimet e koncesionarëve dhe të kontratave skllavëruese të oligarkëve që vazhdojnë të gërryejnë këto të ardhura edhe për 20 -30 vitet e ardhshme.

E pra, i gjithë ky rrënim ekonomik që po bren jo vetëm mirëqenien dhe besimin e qytetarëve ndaj ekonomisë sonë kombëtare, por edhe shpresën e tyre për një jetë më të mirë këtu në Shqipëri e ka burimin në kanabizimin e ekonomisë gjatë 4-5 viteve të fundit, në pafuqinë e institucioneve për t’u përballur me të vërtetat e thjeshta, por të tmerrshme mbi pasojat imediate dhe afatgjata të kanabizimit të ekonomisë sonë kombëtare.

Meqenëse këto kohë fillon diskutimi zyrtarisht i buxhetit të shtetit për vitin 2019, personalisht do t’i bëja një thirrje publike Kuvendit të Shqipërisë që të ndalet në analizën e gjendjes dhe sidomos në rrugët që minimizojnë efektet e kësaj situate. Të tilla, sipas meje, janë: ndërprerja e programit të saj ambicioz dhe të rrezikshëm, të njohur si “Programi 1 Miliard Euro”; publikimi i studimeve të fizibilitetit për të gjitha kontratat koncesionare dhe ato PPP, të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë 10 viteve të fundit; ngritja një grupi këshillimor të posaçem pranë qeverisë ose Universitetit të Tiranës për të monitoruar rregullisht zhvillimet në ekonomi si dhe për të zhvilluar një lloj sistemi të paralajmërimit të hershem për krizat eventuale si dhe për të bashkërenduar më mirë politikat fiskale me ato monetare si dhe për të publikuar një raport publik periodik (psh çdo 3 ose 6 muaj) me qëllim që biznesi dhe familjet shqiptare të vetë-orientohen më mirë në gjendjen e krijuar dhe te marrin kështu vendime të arsyeshme dhe të argumentuara. Është koha të kuptojmë se pa dekanabizuar ekonominë tonë kombëtare, e ardhmja e saj do të jetë edhe më e zymtë se e sotmja.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet