Po kanionet e Setës pse preken, z.Rama?

Publikuar më 10. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Abdurahim Ashiku

Kryeministri Rama doli publikisht me një deklaratë në mbështetje të vlerave të kanioneve të Osumit, mos shndërrimin e tyre në hidrocentrale interesash të dyshimta e korrupsioni. “Kanionet e Skraparit nuk preken” – deklaroi Rama. E përshëndes për sa tha por nuk e përshëndes për sa ka bërë dhe ende bën. Ka edhe një kanion mbi të cilin është bërë “rrugë HEC-esh”, një kanion ku është shkruar me djersë e gjak historia e një treve që u dogj, u vra, u pre, u shua… 550 vjet më parë. Fjalën e kam për Kanionin e Setës në Dibër ku ndërtues dhe popull po përballen me drejtësinë, ku të “plotfuqishmit”, disa ditë më parë, arritën të shtyjnë gjyqin, për të bërë fakt punimet.

Kryeministri do ta ftoja të marrë makinën e tij dhe veshur me rrobat e alpinistit dhe të raftingut, të kalojë rrugës tejet të ngushtë anës kanalit të Çidhnës, atij kanali ku në vitin 1967 u shkrua heroizmi i pashoq i dibranëve në betejën për marrjen e ujërave të burimeve të Setës dhe përcjelljen e tyre, nga njëra anë deri në Reç e nga ana tjetër në Sinë, Fushë Çidhën, Kastriot e Vakuf.  Është koha edhe për një VETING mbi natyrën, për të nxjerrë para ligjit të gjithë ata që shkatërruan pyjet, burimet e ujit, kanalet kulluese e ujitëse, mbrojtjen e tokës dhe të pasurisë e jetës së njerëzve, natyrën e bukur shqiptare.