Plani i Ramës për Teatrin, kullat fitimprurëse në tokën publike

Kritikët thonë se plani ‘frymëzues’ i kryeministrit Edi Rama për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar është frymëzuar më së shumti nga dëshira për të dorëzuar tokën e teatrit ekzistues te ndërtues privatë.

Kritikët e kanë kundërshtuar ashpër planin për teatrin e ri, duke sugjeruar se synimi real i qeverisë nuk është të ndërtojë një teatër më të mirë, por të lirojë tokë për kulla private në pjesën më të shtrenjtë të Tiranës. Teatri aktual Kombëtar gjendet në zemër të qendrës së kryeqytetit dhe zë një hapësirë prej mijëra metrash katrorë tokë publike. Ndërtesat binjake dykatëshe u dizajnuan nga arkitekti italian Giuglio Bertè, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kanë shërbyer si teatër kombëtar që nga viti 1947. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës pretendojnë se ndërtesat janë të degraduara, me cilësi të keqe dhe nuk  mund të mirëmbahen siç duhet. Ata kanë në plan që të rizhvillojnë zonën duke përdorur të ashtuquajturën Partneritet Publik-Privat, PPP, një mjet kontrovers që është përdorur nga shumë qeveri për të dhënë pronat publike për përdorime private. Në shkurt, qeveria i kërkoi aktorëve të largohen nga ndërtesa, duke pretenduar se ata do të strehohen së shpejti në një teatër tjetër gjetkë. Aktorët protestuan dhe pretenduan se qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim se çfarë dëshironte të bënte me ndërtesën aktuale. Pasi u akuzuan se po përpiqen “të vjedhin” tokën, e cila është pronë publike, qeveria tërhoqi vendimin e zhvendosjes dhe filloi “konsultimet për një ndërtesë të re teatri”. “Propozimi është një përpjekje fare pak e fshehur për të vjedhur mijëra metra katrorë tokë të çmuar, një gjethe fiku për një plan të turpshëm për të shkatërruar historinë e qytetit për përfitime private,” deklaroi Kastriot Çipi, një regjisor teatri dhe një nga kritikët e planit. Çipi dhe artistë të tjerë po luftojnë për të rikontruktuar ndërtesën e vjetër me fonde publike dhe për të mos lejuar dhënien e tokës te zhvilluesit privatë. Duke iu përgjigjur kritikave, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, këmbëngulin se qeveria nuk ka para mjaftueshëm për të rinovuar ndërtesat e vjetra dhe kjo është arsyeja se pse ata do të përdorin një “partneritet publik-privat”. Partneritete të tilla, të njohura më së shumti si koncesione, shihen si ushtrime kontroverse. Fondi Monetar Ndërkombëtar nxiti qeverinë javën e kaluar “të vetëpërmbahet nga nënshkrimi i kontratave të tilla” për shkak të përfitimeve dhe kostove të paqarta për taksapaguesit. “Kuadri i qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimeve, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm, sipas vlerësimit të FMN”, tha përfaqësuesi i FMN në Tiranë Jens Reinke. “Deri sa ky kuadër të mund të forcohet në mënyrë thelbësore, do të jetë më mirë të mos firmoset asnjë kontratë e re madhore PPP. Gjithashtu, ne rekomandojmë që qeveria të japë me tender të gjithë projektet dhe të mos mbështetet në propozimet e pakërkuara,” shtoi Reinke. Tirana ka parë disa raste kur toka publike, përfshirë parqet, është privatizuar nën rrethana të paqarta. Qeveria është kritikuar së fundmi se ka dhënë shumë leje ndërtimi në qendër të Tiranës, duke ngritur shqetësime mbi mbizhvillim dhe shkatërrim të pak hapësirave të fundit të mbetura të gjelbra.

Kullat

Dokumente të siguruara nga arkitektë dhe urbanistë të lidhur me Bashkinë e Tiranës, në fillim të marsit ekspozojnë një realitet krejt ndryshe për Teatrin Kombëtar dhe kullat që priten të ndërtohen përbri saj. Trualli në pronësi të Teatrit Kombëtar shtrihet në parcelen 1/141 me një sipërfaqe prej rreth 5900 m2. Parcelat 1/240, 1/239 dhe 1/62 që ndodhen në vazhdimësi të volumit të Teatrit dhe ku gjenden “Dekor Reklama”, si edhe 2 aktivitete private janë gjithashtu pjesë të truallit publik. Këto kapin një sipërfaqe prej rreth 300 m2. Parkingu ngjitur në pronësi të Bashkisë së Tiranës, parcela 1/66, ka një sipërfaqe prej 1300 m2. Pra, në total trualli publik është rreth 7500 m2. Ndërkohë parcelat e tjera ngjitur, janë truall privat dhe ato kanë një sipërfaqe totale prej 1200 m2. Njolla e Teatrit të ri Kombëtar shtrihet në gjysmën e truallit aktual dhe është e spostuar drejt ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, për të qënë në vijë të drejtë me ish-Ministrinë e Zhvillimit Urban. Ndërsa në pjesën e pasme të Teatrit, parashikohet një volum i përbërë nga së paku 6 kulla të vendosura në një skemë zig-zag, e që shkojnë deri tek muri i ish godinës së Partisë Demokratike, sot FRD. Nga analiza  imazheve rezulton se Teatri i ri Kombëtar do të zërë vetëm 3000 m2 truall, nga 7500 m2 që zotëron aktualisht. Ndërsa kullat do të zënë më tepër sipërfaqe se Teatri Kombëtar, pra rreth 4500 m2 hapësirë publike si dhe 1200 m2 që i ka privati. Sipas parashikimeve të projektit që është ende në fazë studimore, kulla e parë do të jetë me 10 kate, e dyta me 12, e treta me 14 e deri tek e 6-ta që shkon 22 kate.

Të tjera

Abissnet