Pjetri: Të vërtetën time e kam deklaruar, pres verifikimet

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, nuk komenton dokumentin e arrestimit. Kërkon vulën e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane për të marrë bashkinë

Erjon Dervishi

Pas publikimit të dokumenteve nga ana e PD, reagoi i zgjedhuri i PS-së në Shkodër si krye bashkiak, Valdrin Pjetri. “Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumente zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD”, thotë ai ndërsa nuk komenton asnjë nga dokumentet e publikuara nga selia blu. “Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane”, përfundon Pjetri. Në të njëjtën kohë në shkrimin e tij për qytetin e Shkodrës dhe për angazhimin e tij atje, Valdrin Pjetri shkruan se: Traktet e shpërndara natën nëpër Shkodër, organizuar nga 4-5 persona, nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve shkodranë dhe as interesat e demokratëve të ndershëm shkodranë. Thjesht duan të largojnë vëmendjen nga abuzimet shumë vjeçare të bëra në Bashkinë Shkodër, dhe nuk e ndryshojnë dot faktin se pas një jave ky abuzim do përfundojë njëherë e mirë. Valdrin Pjetri nuk është e keqja e Shkodrës. Nuk është ai që ka abuzuar dhe ka shpërdoruar pafund fonde publike. Valdrin Pjetri nuk është shkaktar i gjendjes së mjerueshme, ku gjendet qyteti i Shkodrës sot. Në pak muaj të gjithë banorët e Shkodrës do shikojnë realitetin ndryshe, të një qyteti që do administrohet dhe menaxhohet me përkushtim dhe devotshmëri. Qentë le të lehin, karvani ecën perpara. Ditë më të mira do vijnë për Shkodrën dhe banorët e saj”, përfundon Pjetri.  Ndërkohë nga Partia Socialiste më herët reagoi kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Ai nuk mohon vërtetësinë e dokumentacionit të publikuar nga Partia Demokratike dhe kërkon që e gjithë çështja t’i lihet drejtësisë që të flasë. “Ky rast konkret është një nga ato raste, kur politika duhet t’i referohet vetëm ligjit. E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj”, shkruan Balla në reagimin e tij. Më tej, numri dy i Partisë Socialiste heq përgjegjësinë e përzgjedhjes së kësaj kandidature nga kjo forcë politike. “Për Partinë Socialiste, qoftë pretendimet e opozitës jashtëparlamentare, qoftë sqarimet e dhëna nga Valdrini, përshirë edhe publikimin e dokumentacionit përkatës nga Italia (të vënë më parë në dispozicion prej tij, kur ne kemi kryer si për çdo kandidaturë të gjitha verifikimet ligjore që mundëson statusi ligjor i organizatës sonë) nuk mjaftojnë”, thotë ai. Balla mohon akuzën e Gazment Bardhit se Edi Rama dhe PS është vënë në dijeni të dënimit të Valdrin Pjetrit në të njëjtën kohë me Partinë Demokratike nga një burim diplomatik.

Rama të shqetësohet nga letrat ligjzbatuese italiane

Ndërkohë nuk ka munguar edhe reagimi i Partisë Demokratike dega Shkodër. Me anë të një njoftimi për mediat, PD Shkodër shkruan: “Trafikanti i Ramës në Shkodër qenka shqetësuar nga reagimi i qytetarëve të ndershëm të Shkodrës, që nuk pranojnë që qyteti të jetë peng i trafikantëve të drogës dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar. Mos u shqetëso nga letrat e reagimit qytetar, që me urdhër të Edi Ramës i quan trakte. Ato nuk të çojnë në burg! Shqetësohu nga letrat e autoriteteve ligj zbatuese italiane, që nuk janë trakte dhe që provojnë se je një person i dënuar për trafik drogë. Këto letra të ndalojnë të uzurposh zyrën e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, të çojnë në burg për falsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit dhe të bëjnë subjekt të menjëhershëm të ligjit Antimafia! Në këtë të fundit nuk të ndihmon dot as Edi Rama, as Tom Doshi, as babai dhe as vëllai. E kot të të ripyesim a të kujton gjë data 27 janar 2003, sepse e kemi të qartë që të ka marrë peng Edi Rama dhe nuk të lejon ta kujtosh. E kot të presim për një përgjigje, sepse ti ke vendosur të mashtrosh dhe të fshihesh nga e vërteta njëlloj si Elvis Rroshi i Kavajës! Prandaj nesër shqiptarët do kenë mundësi të shikojnë me letra (dhe jo trakte) se çfarë është për përfaqësuesin politik të Edi Ramës në Qarkun Shkodër data 27 Janar 2003. Deri nesër ke kohë për të ëndërruar përralla me qentë e karvanët, që po të çojnë përpara, drejt greminës!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet