Pezullimi i drejtoreshës së Informacionit, MAS: Ja shkeljet që ka bërë

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkoi sot pezullimin e menjëhershëm nga puna të drejtoreshës së Teknologjisë, Informacionit dhe komunikimit Ornela Koleka.

Përmes një njoftimi për mediat MAS bëri me dije shkeljet që ka bërë Koleka në punë.

Njoftimi i MAS

Në zbatim të detyrime që rrjedhin nga Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017, “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm nga puna të znj. Ornela Koleka me detyrë Drejtor i Teknologjisë, Informacionit dhe komunikimit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Ky pezullim është bërë për shkak të shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ana e znj. Koleka në kundërshtim me përcaktimet ligjore dhe detyrave të caktuara nëpërmjet urdhrave të Ministrit të Arsimit dhe Sportit si dhe për garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e sistemeve të sigurisë dhe bazës së të dhënave të institucionit.