Petrit Vargu: Gjithçka po shkon më keq, drejtuesit s’kanë lidhje me shëndetësinë

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Bleona Metushi

Mjeku kardiolog i Urgjencës së QSUT-së dhe një nga firmëtarët e memos sqaron kushtet e rënda ku punojnë mjekët dhe urdhrin e drejtorit për të mos trajtuar pacientët që vijnë në Urgjencë pa lejen e tij

Mjekët e pavionit të Urgjencës në QSUT, ditën e sotme kanë firmosur një peticion me dorëheqjet nga vendi i punës, një ndër ta jeni edhe ju. Pse erdhi ky vendim?

Kushtet e punës janë përkeqësuar shumë si pasojë e një drejtimi, të mbrapshtë nga ana e drejtorit të QSUT. Vendimi erdhi pasi kanë dalë urdhra kohët e fundit, nga ana e drejtorit të Spitalit që penalizojnë mjekët e urgjencës. Tashmë, me anë të një urdhri, na është njoftuar se nuk kemi të drejtë pa u konsultuar, të shtrojmë pacientët në reanimacion, gjë që është anti-mjekësore, pasi çdo sekondë për një sëmundje kardiake është e barabartë me një muskul zemre. Ndërsa ne duhet të bëjmë burokraci, të kërkojmë mjekë në një situatë të tillë, ku koha nuk pret.

Po në lidhje me pikat e tjera të memos që keni nënshkruar, çfarë keni për të thënë ?

Pikat e tjera janë në varësi të kësaj. Duke qenë se drejtori erdhi me “shpatë”, dhe nxorri disa urdhra, këto urdhrat nuk u zbatuan nga shefat dhe i takon drejtorit të spitalit të tërhiqet, të japë dorëheqjen. Urdhrat e tij nuk u zbatuan as nga shefat e shërbimit dhe as nga mjekët. Meqenëse ai nuk jep dorëheqje, atëherë do të largohemi ne. Çdo veprim e kemi bërë konformë rregullores, pasi një muaj përpara duhet të paralajmërojmë dorëheqjen, dhe e kemi bërë.

Çfarë duhet të ndryshojë që ju të tërhiqeni nga ky veprim?

Drejtori duhet të japë dorëheqjen. Anija e tij u mbyt, nuk solli asnjë të re. Situata është agravuar. Nëse ai nuk e kupton këtë gjë dhe ka njerëz që iluzionohen se ai me të vërtetë ka fituar konkurs për atë vend, atëherë s’ka mbetur asgjë tjetër, përveçse ne, të japim dorëheqjen. Por nuk është vetëm kjo, nëse ai vërtetë është i zoti, të nxjerr ku i ka aftësitë dhe të normalizojë punën. Nuk kemi asnjë problem me këtë pjesë, vetëm të normalizohet.

Ankoheni për gjendjen e Urgjencës. Si është realisht gjendja në  këtë pavion?

Në urgjencë, nga dhoma dyshe, pacientët kanë kaluar në dhoma katërshe. Janë nga katër veta në dhomë, ku s’ka kushte higjenike. Pacientët nuk kanë aq metër kub ajër sa u nevojitet, dhe jo më të kërkohet për kushte mjekësore dhe shëndetësore.

Çfarë është bërë gabim në sektorin e shëndetësisë?

Gjithçka është bërë keq, dhe shkon keq e më keq, pasi njerëz inkopetentë, që s’kanë lidhje me shëndetësinë, sot po drejtojnë. Bën me pa në konkursin që u zhvillua në shëndetësi, që gjoja u proklamua, ish-zëvendësministri i shëndetësisë, drejtor i Autoritetit Shëndetësor Rajonal në Tiranë, me publikime në të gjithë botën, u rendit i katërti, ndërsa i pari doli një inxhinier mekanik, që nuk e ka idenë e mjekësisë. Më parë ka qenë në një televizion dhe është larguar si i paaftë. Ky quhet menaxher, pa asnjë kurs menaxhimi.

Po në lidhje me largimin e mjekëve të rinj, janë duke ndikuar këto kushte që ju tregoni ?

Sa për largimin e mjekëve të rinj, do thoja se nga urgjenca janë larguar 7 apo 8 kolegë drejt Gjermanisë, dhe të tjerë po përgatisin dokumentet për tu larguar. Dhe vetëm nga urgjenca, ata janë specializantë urgjence. E ndërsa shkak për këtë është  disorganizimi total i shëndetësisë, një desiluzionim total.