Petrit Malaj rrëfen takimin e fundit me Xhevdet Ferrin: Ishte i shqetësuar për studentët e tij

Ditën e sotme aktori i madh shqiptar, Xhevdet Ferri, u përcoll për në banesën e fundit. Familjarë, miq, kolegë i dhanë lamtumirën mes lotësh, por duke mbartur me vete të gjitha kujtimet e bukura me aktorin e ndjerë. Shumë kolegë të tij shprehën dhimbjen publikisht dhe disa prej tyre kanë rrëfyer takimet e fundit me Xhodën, ashtu siç ata e njihnin Ferrin.

Petrit Malaj, i cili ka luajtur në disa filma së bashku me Xhevdet Ferrin, ka treguar ditën e sotme në emisionin “ABC-ja e mëngjesit” se si e ka njohur ndër vite mikun e tij. Malaj është shprehur se Ferri ishte një person shumë kurajoz, vetvetja dhe se ka dhënë shumë për artin shqiptar e jo vetëm. Gjithashtu ai ka treguar se pavarësisht se Xhevdet Ferri vuante prej 1 viti nga një sëmundje e rëndë, asnjëherë nuk e la pas dore mësimdhënien në “Universitetin e Arteve”.

“Prej një viti ka qenë shumë sëmurë. Ka pasur sëmundje të keqe tumoriale. I përballoi me sukses rreth 8 kimioterapi. Filloi mësimdhënien nga data 17 dhjetor. Një ditë i thamë o Xhodë po nga shkurti i kemi provimet, dua të avancoj me ta më tha. Para 5 ditësh pata një takim me të në spital dhe ishte i shqetësuar për studentët”, ka thënë Petrit Malaj.

Ndër të tjera ai ka treguar se me Xhevdet Ferrin ka luajtur në film qëkur ka qenë 20 vjeç dhe se në sheshxhirim ishte gjithmonë një nga personat më pozitivë.

“Unë kam pasur fatin të interpretoj me Xhodën që 20 vjeç. Ishte filmi i tretë i tij kur unë kam interpretuar me të. Një djalosh që vinte nga Durrësi, shumë më i hedhur sesa ne. Edhe regjisori kishte një komunikim  shumë më xhentil. Ishte për një atmosferë të shkëlqyer në sheshin e xhirimit. Ishte njeri i komunikimit. Ajo që në dhemb është se e kemi humbur si koleg aty. Këto vite kemi humbur disa njerëz të nevojshëm. Humbën Gjergj Xhuvanin, tani Xhevdet Ferrin. Njerëz që i kanë dhënë shumë asaj shkolle”, është shprehur Petrit Malaj. /L.R/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet