“Peshëngritja më nxorri nga një labirint ku ndihesha e humbur”

Foto 1 nga 5 Pas Para

Marsela Carja, 16-vjeçarja nga Elbasani që gjeti dritën te sporti i ngritjes së peshave. Fillimi i vështirë , mes lodhjes dhe paragjykimeve të familjes, deri te titujt kampionë. Dhe ëndrra vazhdon, duke u ndjekur edhe nga motra e vogël

Blerta Lata

Marsela Carja u rrit në një familje, ku asnjëri nuk merrej me sport. Madje, ajo ishte pak e shëndoshë dhe nuk kishte aspak trup atletik. Dukej sikur ajo dhe sporti i peshëngritjes ishin dy botë paralele. “Unë kam patur një jetë shumë pasive më përpara dhe po mendoja të merresha me diçka, qoftë për të mbajtur trupin në formë dhe për të mbushur ditën”-thotë 16-vjeçarja nga Elbasani.

“Zbulimi’ i saj ishte rastësi. Në një ndeshje futbolli midis shkollave 9-të vjeçare, ku Marsela po luante, trainerja  Eglantina Çuni, që po kërkonte të rekrutonte vajza për sportin e peshëngritjes, rastësisht e shikon dhe bisedon me të. Jo për futbollin, por për peshëngritjen. Marsela, e etur për diçka të re në jetën e saj,vendosi ta provonte. Si gjithmonë, fillimi nuk ishte aspak i lehtë.

“Ishte shumë e lodhshme dhe ditën e parë thashë që nuk do ta vazhdoj më, por dalëngadalë duke punuar çdo ditë, fillova të mos e ndjej më lodhjen, aq sa stërvitja më është kthyer në kënaqësi dhe  nuk ka ditë që të them se nuk do ta vazhdoj më. Pas dy vitesh stërvitje unë mora titullin kampione e Shqipërisë.”

Kështu, vështirësitë u bënë sukses, e suksesi u bë uri për arritje të tjera.Tanimë Marsela, kampione Shqipërie po hedh vështrimin tutje, për të rrëmbyer edhe trofe europianë e botërorë. “Unë dua që të jem kampione  Europe, bote apo edhe olimpike. Kjo është ëndrra e çdo sportisteje”.

Marsela është vajza e parë e familjes pas 3 djemve dhe pas saj erdhi në jetë edhe motra më e vogël, duke u bërë kështu një familje e madhe. Sot familja e saj krenohet me të pasi Marsela u ka zbardhur faqen. Por nuk ka qenë gjithçka rozë.  “Familja ime fillimisht nuk donte që të merresha me sportin e peshëngritjes dhe unë stërvitjen e kam nisur pasi ka ikur babi sepse nuk më lejonte. Tani ai është njeriu më krenar për mua. Unë e kisha palestrën larg një gjysmë ore nga shtëpia dhe mami e kishte shumë merak. Ajo fillimisht më shoqëronte çdo ditë nga shtëpia deri te palestra”.

Tani Marsela nuk është më vetëm. Suksesi i saj ka tërhequr edhe motrën e vogël, Enkelejdën, e cila është dedikuar me mish e me shpirt dhe rezultatet që ajo ka arritur premtojnë një të ardhme po me kaq suksese sa Marsela.

“Motra ime më e vogël Enkeleda, duke më shoqëruar mua çdo ditë në stërvitje filloi ta praktikonte mundjen, fillimisht me shkop e pastaj me pesha. Ajo është kampione në moshën e saj, edhe pse është vetëm 11 vjeçe.  Në krahasim  me mua, për kategorinë në të cilën konkuron, mund të them se ajo është edhe më e mirë sesa unë. Enkelejda ka marrë disa medalje. Ajo pretendon të kapë rekordin europian për 15-vjeçarët”.

Marsela tregon se sa shumë e ka ndihmuar sporti që të jetë ajo që është sot. “Peshëngritja më ka ndryshuar si person. Nga një njeri me pak miq, e ndrojtur me një jetë pasive, tani kam plot miq, jam më sociale dhe bëj një jetë aktive. Me duket sikur marr frymë më lirshëm dhe gjërat më shijojnë më shumë”.

Përveç stërvitjes për një sportiste, ushqimi është po aq i rëndësishëm. Konsumimi i sa më shumë proteinave dhe llogaritja e kalorive është prioritet për Marselën. Megjithatë,për një vajzë t’u thuash lamtumirë ëmbëlsirave është po aq e mundimshme sa një betejë. Por ajo ia ka dalë ta fitojë këtë deri tani, me përjashtim të ndonjë rasti festiv. “Përsa i përket ushqimeve, ne duhet të konsumojmë 7 vezë në ditë. Është puna jonë se si do ia dalim, ama duhet ta  bëjmë. Pastaj, gjëja që nuk duhet të abuzojmë janë ëmbëlsirat të cilat unë mezi e mbaj veten. Ndërsa për ushqime të tjera nuk kemi gjëra të ndaluara, mjafton të jenë të shëndetshme, të paktën jo fast food.”

Të merresh me peshëngritje, për një vajzë në një qytet me zemër të madhe, por me mentalitet akoma tradicional si Elbasani, do të thotë të thyesh tabu, pasi ajo ka qenë ndër vajzat e para që është marrë me këtë sport.

“Si peshëngritëse kam kapërcyer paragjykimet e njerëzve, si nga shoqëria apo familja sepse ata nuk e pëlqenin që unë, një vajzë, të merresha me peshëngritjen dhe gjëja më e rëndësishme është se e kam kapërcyer këtë në bazë të rezultateve që kam dhënë”.

Edhe pse aq e re ne moshë, Marsela numëron një numër të madh pjesëmarrjesh në kampionate dhe çmime të fituara. Në dhjetor 2017 ka qenë kampionati i parë i saj, ku doli në vend të katërt. Shumë shpejt, në prill 2018 u shpall kampione dhe peshëngritësja më e mirë për 15-vjeçarët. Në shtator dhe nëntor të 2018 doli në vendin e dytë, ndërsa kulmin e ka arritur së fundmi, me tre kampionate radhazi, të fituara në shkurt, mars dhe maj 2019”.

Titujt janë stimulus dhe qëllimi i stërvitjes së lodhshme. Por sporti i peshëngritjes i ndryshoi jetën Marselës dhe efekti i tij aq pozitiv dhe vendimtar nuk mund të përmblidhet më mirë se me vetë fjalët e saj: “Peshëngritja më shpëtoi nga një labirint ku ndihesha e humbur. Unë besoj fort në fuqinë e sportit, për të ngritur qytetërime të tëra nga rrënojat, e histori suksesi nga dështimet .Le të përqafojmë sportin për një jetë më të shëndetshme dhe për një shoqëri që hedh hapa përpara”.

Dëshira për mësuese letërsie

Të qënit e suksesshme në një sport si peshëngritja nuk vjen pa sakrifica dhe Marsela pranon që i është dashur ta ndajë kohën mes mësimeve dhe stërvitjes, e cila çdo ditë zgjat nga 2 -3 orë. “Mësueset e mia më thonë që pasi ke nisur stërvitjen i ke lënë mësimet pas dore. Unë përpiqem ta mbaj fort edhe shkollën, sepse, përveç sportit duhet të kem edhe diçka ekstra.”

Për më tepër Marsela ka pasion letërsinë dhe dëshiron që në të ardhmen të bëhet mësuese letërsie. Ajo aktualisht është nxënëse në gjimnazin ‘Vasil Kamani’, në klasën e 11-të . E nëse e pyet se çfarë do të ndodhë pas një viti kur, duhet të bëjë një zgjedhje, Marsela i ka gjërat e qarta. Asgjë nuk mund t’ia heqë vështrimin nga medalja olimpike,  madje as dashuria që ka për letërsinë.

“Në lidhje me sakrificat që kam bërë për sportin mund të them që ndoshta në të ardhmen duke qenë se jam e fokusuar te peshëngritja, do të më duhet të heq dorë nga dëshira për tu bërë mësuese. Ndoshta pas shumë vitesh do të bëhem trajnere dhe në një farë mënyre do ta ushtroj profesionin e mësueses nëpërmjet sportit. Tani për mua mundja është gjëja më e rëndësishme dhe i jam përkushtuar plotësisht asaj.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet