Pesëdhjetë vjetori i një mature mbresat dhe kujtimet pas një gjysmë shekulli

Matura e gjimnazit të Maliqit feston 50 vjetorin e saj. Gjysmë shekulli histori, nostalgji dhe emocione. Artistët të cilët dolën nga bankat e kësaj mature. Liderë në shkollë dhe në aktivitet publike të vendit

Petrit Braçe

Këtë vit, 2019, matura e vitit 1969 e gjimnazit të Maliqit jeton vitin jubilar të 50-vjetorit të saj. Si thonë pak, plot gjysmë shekulli më parë, 18-vjeçarët e asaj mature, pas 4 vitesh studimi, kurorëzuan me sukses ëndrrën rinore duke marrë dëftesën e pjekurisë. Por sa mund, përpjekje dhe sakrifica u deshën për të arritur deri këtu! Shumë. Por me durim, me vullnet dhe me pasionin e dëshirën e madhe për të mësuar sa më shumë u kaluan me sukses. Dhe sot, pas gjysmë shekulli, kujtojmë me nostalgji ato vite, emocionet e shumta, netët pa gjumë para konkurseve, olimpiadave, garave e veçanërisht para provimeve.  Kujtojmë shkollën tonë të dashur, të bukur, të pajisur, të pastër; klasat të zbukuruara si jo më mirë; bangat…ah, bangat ku kemi ndenjur me orë e orë pa mbarim, herë të qetë e të gëzuar, herë të emocionuar e të shqetësuar duke pritur me ankth çdo sekondë e minutë deri sa kalonte ajo orë e vështirë… Kujtojmë shokët dhe shoqet tona, një kolektiv i mrekullueshëm, që për katër vjet u rritëm duke mësuar së bashku, ku gëzimet dhe vështirësitë i kemi ndarë më njëri tjetrin si motra dhe vëllezër. Kujtojmë ditët plot vrull në aksionet e rinisë muajve të verës për ndërtimin e hekurudhave; për ndërtimin e rrugës së Malësisë Madhe deri në Vermosh; për elektrifikimin e plotë të fshatrave ku morëm pjesë dhe dhamë kontributin tonë në lulëzimin e Atdheut. Duke shfletuar shënimet e atyre viteve ja se çfarë na ka sjellë “Sirena”, e dalë nga ujërat e kristalta të liqenit, përbri të cilit ne shtrinim kapilarët e hekurt: Dhe sirena lajmëtare,majë më majë do jehojë/ Ndërsa liqeni sykaltër, ka plot gjëra t’i tregojë/ Si e rritëm ne trasenë,shtruam shina dhe binarë/ Si punuam nëpër turne, malin tej e tej e çamë/ Si nga një vështrim magjik u drodh zemra jonë rinore/ Si provuam puthjen e parë në ato mbrëmje hënore/ Dhe notuam si të dehur nëpër valët e gëzimit/ Në liqenin e haresë,nëpër mbrëmjet e vallëzimit….

“Dhimitër Orgocka”

Veç godinës së shkollës, kujtime të bukura e të pashlyera na kanë mbetur nga pallati i kulturës që sot mban emrin e nderuar të artistit të madh‚ “Dhimitër Orgocka”. Ai ka qenë si një zgjua bletësh ku gumëzhinte jeta kulturore artistike. Aty krijuam lidhje të ngushta shpirtërore së pari me bibliotekën e pasur me aq shumë libra e pastaj me sallën e kinemasë ku nga ekrani dhe skena e saj kemi parë filma e shfaqje shumë mbresëlënëse; me hollin e madh ku herë pas here të shtunave zhvillonim mbrëmjet e vallëzimit, ku kemi provuar emocione nga më të bukurat e jetës rinore. Dhe për gjithë atë jetë të pasur artistike merita u takon drejtuesve të talentuar që punonin me pasion e përkushtim deri në orët e vona të natës me grupet artistike, pa pyetur për orar e lodhje. Së pari drejtorit Sotir Andoni, shkrimtar i njohur i Korçës,që na mësoi aq shumë në rrethin letrar të klubit,që me krijimet e tij brilante e pasditet e bukura letrare që organizonte na futi në gjak fjalën e figurën e bukur letrare. Kishte një admirim të veçantë për Mitrush Kutelin dhe i referohej gjithmonë atij kur fliste për prozën. Thoshte se ishte nxënës i tij dhe se Mitrushi ishte një shkollë për çdo kënd në udhën e letërsisë dhe së pari na rekomandonte librat e atij për t’i lexuar…Ndërsa kur fliste për letërsinë s’ngopej së foluri me pasion për Lasgush Poradecin dhe Ali Asllanin,shumë vargje të të cilëve na i recitonte me emocion.

Aleko Prodani

Të palodhurit Aleko Prodani dhe Mihallaq Bitraku që përveç punës së tyre, na ndihmonin aq shumë për aktivitetet tona kulturore e sidomos në përgatitjen e grupit kulturor për të dhënë program artistik në sezonin e verës. Të pa harruara kanë  mbetur ditët plot aktivitet me këtë grup artistik (e quanin dhe brigadë kulturore) të krijuar nga 10-12 maturantë të talentuar me në krye mësuesin veteran Maqo Çekrezi,që me një program të pasur artistik: me këngë, valle, skeçe recitime, parodi, jepnim shfaqje për një muaj rresht netëve të verës nëpër fshatrat e Gorës. Mbas mbarimit të shfaqjes rinia e fshatit bashkohej me ne dhe programi vazhdonte me mbrëmje vallëzimi… I kujtojmë me respekt familjet gorare që, pas shfaqjes, na merrnin nëpër shtëpitë e tyre e na prisnin e përcillnin me dashuri e bujari të veçantë. Dhe kjo kënaqësi përsëritej çdo natë duke kaluar nga njëri fshat në tjetrin. Ja pra duke ecur nëpër këto udhë të bukura të gjimnazit,vit pas viti ,duke ngjitur shkallët e dijes arritëm në ditën e ëndërruar,marrjen e diplomës, për të hedhur hapin  tjetër në jetë. Momente  të gëzueshme dhe plot emocione të bukura që kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën tonë. Shpresa të shumta, perspektiva të reja në rrugët e çelura të dijes e të shkencës. Kjo ishte një betejë e fituar. Por lufta vazhdonte. Beteja të tjera prisnin përpara që duheshin fituar…. Dhe me kalimin e kohës u fituan. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Me vullnetin dhe dëshirën për të mësuar, këta maturantë, me statusin e studentit, u ulën nëpër auditorët e fakulteteve të ndryshëm dhe çanë përpara në rrugën e dijes. U diplomuan në degët përkatëse, të aftë për të ecur të sigurt në rrugët e çelura të jetës.

Liderët e klasës

Adelina Lazi, lidere e klasës si dhe vajza çapkëne Sabrie Aliçkolli- të dyja doktoresha, në mbrojtje të shëndetit të fëmijëve e qytetarëve; Engjëll Sulollari dhe Ahmet Mançellari -pedagogë me mbi 30 vjet punë në universitetin shtetëror të Tiranës me grada shkencore; Marko Bitraku – aktor i njohur i skenës dhe ekranit; Sinan Agolli -Doktor në mbrojtje të shëndetit dhe drejtor spitali disa vjet; Alberti, Ylli-ekonomistë; Natasha, Shkëlqimi, Fillareti – pedagogë në gjimnaze; Shefqeti, Çlirimi, Taqo, Zeneli, Dashi – oficerë karriere në mbrojtje të Atdheut dhe të tjerët, kuadro të lartë në  ekonomi e gjetkë nëpër vise të Atdheut duke punuar me zell e përkushtim në mësimin e edukimin e brezave të tërë duke dhënë kontributin e tyre modest në zhvillimin e mëtejshëm të vendit tonë. Në këtë 50 vjetor të maturës, bashkë me peshën e viteve mbi supe, mbajnë dhe një përvojë të gjatë pune të suksesshme. Gjurmët e këtyre viteve kanë filluar të duken edhe nëpër flokë ku shndrisin thinjat e arta. Kuptohet, tani ata me fëmijë të rritur, janë bërë gjyshër dhe një pjesë të kohës ua kushtojnë nipërve dhe mbesave duke jetuar kënaqësinë e veçantë që të japin vetëm ata.  Në këtë 50 vjetor kujtojmë me respekt të gjithë pedagogët tanë të nderuar si A.Lubonja, V.Demirazi, N.Mongoleci, L.Treska, V.Kostreci, V.Kaçiroti, LL.Tërrova dhe në  veçanti pedagogun tonë kujdestar Kiço Melo që e kujtojmë si një prind të dashur, të rreptë dhe të drejtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet