Pesë ambasada-Serbisë: Njihni Kosovën, që të afroheni në BE

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, po kërkojnë nga Kosova heqjen e menjëhershme të taksës dhe fillimin e dialogut me Serbinë. Kjo shikohet se mbyllje e konflikteve të vjetra

Erjon Dervishi

Bllokimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, shikohet si një pengesë për stabilitetin e rajonit. Vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë investuar fuqishëm për të arritur në një përfundim të suksesshëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Këtë e kanë bërë përmes një komunikate të përbashkët, e cila është përcjellë përmes Ambasadës amerikane në Kosovë, në të cilën theksohet se pesë qeveri të fuqishme janë të bashkuara me qëllimin për të parë normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që i kontribuon stabilitetit rajonal. Në këtë komunikatë theksohet se status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe nuk është e qëndrueshme. “Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve 90-të dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë, duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në komunikatë. Pesë shtetet e fuqishme theksojnë se janë të gatshme të forcojnë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por thonë se mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur Kosova të japë shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. “Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, theksohet në komunikatë.

Ky është reagimi i plotë i ambasadave:

Deklaratë e përbashkët e qeverive të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse. Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës. Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre.

Veseli i përgjigjet pozitivisht QUINT-it për dialogun por nuk guxon të thotë se do hiqet taksa

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka komentuar thirrjen e vendeve të QUINT-it, të cilwt dje kërkuan vazhdim të dialogut dhe heqje të taksës. Veseli shton se fillimisht vendi duhet që të shkojë në zgjedhje e pastaj të kujdesen që të mbajnë marrëdhënie me aleatët ndërkombëtare, e jo t’i trajtojnë ata si armiq. Në një reagim përmes Facebook-ut, Veseli ka shkruar se pavarësia e Kosovës është arritur përmes një aleance të fortë me perëndimin, e që shton se një nga temat që duhet të vendoset në këto zgjedhje është edhe nëse duhet të ruhen marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtare, apo të vendosin t’i trajtojnë ata si armiq. “Kosova arriti pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin. Një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në këto zgjedhje është nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme”, ka shkruar Veseli. “Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut”. Veseli ka shkruar se kërkojnë nga BE që të parandalohet financimi i strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë. “Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, tha ai.

Qeveria: Taksa është e drejtë e jona, dialogun s’e kemi ndalur ne

Qeveria në largim e Kosovës nuk u bindet ambasadave të shteteve të fuqishme, që kërkuan vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe heqjen e taksave, duke thënë se s’duhet të vendosen pengesa shtesë. Në kohën kur partitë politike në Kosovë po flasin vetëm për mbajtje të zgjedhjeve, misionet diplomatike kërkojnë që fokusi të kthehet te Serbia dhe bisedimet me të. Zyra e Kryeministrit i është përgjigjur deklaratës së përbashkët të shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës), të cilat kërkojnë vazhdimin e menjëhershëm të dialogut dhe heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Sipas zyrës së kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, taksa është vendim i drejtë dhe dialogun nuk e ka ndërprerë pala kosovare. “Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht kryeministri Haradinaj gjithmonë ka punuar dhe ka qenë i qartë, në të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kësisoj, vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe BH-së ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës, nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në vazhdimësi e kemi thënë tregu për njohje dhe këtë qëndrim vazhdojmë ta kemi. Në të njëjtën kohë, gjithmonë kemi marrë në konsideratë sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë sa u përket temave politike në vend”, ka thënë Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj. “Sa i përket dialogut, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar atë, madje jemi shprehur të gatshëm të ulemi në tavolinë, për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke. Ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar”, thuhet më tutje në reagim. Në komunikatën e lëshuar sot, QUINT-i theksoi se status-quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe nuk është e qëndrueshme. “Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë, duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në komunikatë. Pesë shtetet e fuqishme deklaruan se janë të gatshme të forcojnë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por thonë se mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur Kosova të japë shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. “Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, shkroi në njoftimin e përbashkët të ambasadave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet